Vjedhja me mbifaturimet, po paguajmë 50% më shumë

Krahas rritjes së çmimit të energjisë, qytetarët shqiptarë janë përballur edhe me një tjetër fenomen që po rrënon ekonominë e tyre, mbifaturimin e kostos së energjisë. Përmes një deklarate për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ngriti dje shqetësimin e qindra familjarëve, të cilët po vuajnë mbifaturimet e energjisë elektrike. Ajo denoncoi vjedhjen e hapur që po u bëhet qytetarëve, ndërsa dënoi gjithashtu pabarazinë e ndjekur nga qeveria, ku njerëzit pranë saj nuk paguajnë asnjë faturë, ndërsa qytetarët e thjeshtë dënohen. “Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata. Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar. Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë dhe flasim muajin tjetër. Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër. Edi Rama jo vetëm e rriti çmimin e energjisë elektrike, por vazhdon t’i vjedhë qytetarët dhe bizneset. Ata që nuk janë të lidhur me qeverinë, se miqtë e qeverisë nuk paguajnë. Dhe atë që nuk paguajnë miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar”, tha Duma. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e protestave të 18 shkurtit për t’i dhënë fund padrejtësive të keqqeverisjes. “Jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por Edi Rama la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë. Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve. Më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat. Më 18 shkurt të protestojmë për qindra kryefamiljarë të papunë që nuk kanë para për të siguruar energjinë elektrike për fëmijët e tyre. Më 18 shkurt të ndalim padrejtësinë dhe me votë të lirë t’i hapim rrugën një qeverie për qytetarët”, tha Duma.

Artikulli paraprakGjiknuri duhej të ishte në burg për mospagim të energjisë
Artikulli tjetërBiznesi i vogël kuotë fikse 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale