Gjiknuri duhej të ishte në burg për mospagim të energjisë

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri rezulton se ka qenë debitor i CEZ për shkak të mospagimit të faturave të energjisë elektrike. Partia Demorkatike publikoi dje faturën e papaguar të Gjiknurit për tre muaj rresht, si dhe kërkesën e CEZ Shpërndarje ndaj tij për të paguar faturat. Denoncimi është bërë nga Partia Demorkatike. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ka denoncuar dje mbifaturimin e qytetarëve me faturat e energjisë, si dhe masat represive ndaj qytetarëve që nuk kanë pasur mundësi ekonomike t’i paguajnë ato, masa që disa prej kryefamiljarëve shqiptarë i kanë çuar drejt vetëvrasjes. Pas deklaratës së Dumës, reagoi menjëherë ministri Damian Gjiknuri në pretendimin e të cilit kjo qeveri ka “shpëtuar” qytetarët nga mbipagesat e energjisë. Krahas ankesave të qytetarëve për mbifaturime, deklaratën e Gjiknurit e rrëzoi Grida Duma, e cila në një tjetër reagim pas deklaratës së Gjiknurit publikoi një ankesë të CEZ Shpërndarje drejtuar Damian Gjiknurit për mospagim të energjisë elektrike për tre muaj rresht. Sipas masave represive të qeverisë së sotme, sot Gjiknuri do të duhej të vuante dënim me burg ashtu siç qindra qytetarë të varfër janë burgosur sepse s’kanë mundësi që të paguajnë faturat e mbikostuara të energjisë elektrike. “Sot ngritëm shqetësimin e mijëra qytetarëve që janë mbifaturuar në mënyrë abuzive. Janë me mijëra familje që ankohen në sportele dhe u thuhet: ‘… paguajeni sot dhe shohim muajin tjetër’. Ministri i Energjetikës nuk jep llogari, por komenton për etikën. Nëse do të përdornim logjikën që përdorin vetë këta, edhe ministri vetë mund të ishte në burg për faturën e vet të papaguar; siç ka ndodhur me mijëra familje. Disa prej të cilave në pamundësi pagese kanë humbur jetë njerëzish. Është po kjo kastë qeverisëse, Rama e Gjiknuri, që zhvat nga qytetarët 600 milionë eurot që ia fali CEZ, të cilat po ja merr qytetarëve me dhunë me mbifaturime të përballueshme. Janë po këta që mashtruan qytetarët duke iu premtuar në fushatë uljen e çmimit të energjisë, uljen e TVSH-së për energjinë në 6%”, u shpreh Duma në reagimin e saj. Ajo kujtoi qytetarët që kanë shkuar drejt vetëvrasjes për shkak të pamundësisë për të paguar energjinë elektrike. “Ndërsa përpiqen të fshihen nuk japin llogari për këtë vjedhje ndaj qytetarëve, kërkojnë edhe mos të përmenden njerëzit e jetët e humbura. Kërkojnë harresën, kërkojnë të zhdukin e mos përmenden më emrat e të flijuarve nga varfëria dhe dhuna e faturës së pamundur. I quajnë edhe kufoma! Këta janë të pamëshirshëm edhe pas vdekjes! Nuk janë kufoma, por jetë njerëzish të humbura për një faturë”, tha Duma. Ajo garantoi se Partia Demokratike në programin e saj parashikon që “familjet në nevojë të marrin 200 kw energji elektrike falas”. Duma ftoi të gjithë qytetarët që më 18 shkurt “t’i bashkohen protestës së opozitës për të rrëzuar pushtetin abuzivist dhe të dhunshëm që rëndon çdo muaj edhe me mbifaturimet në familjet e shqiptarëve”.

Arben Shahini

Artikulli paraprakLigji për investimet strategjike kthen investitorët
Artikulli tjetërVjedhja me mbifaturimet, po paguajmë 50% më shumë