Biznesi i vogël kuotë fikse 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale

Deputetja e PD, Jorida Tabaku vlerëson se platforma ekonomike e PD mbështet fuqizimin e biznesit në vend. Përmes një reagimi, Tabaku sqaron se masat e parashikuara nga PD i japin zgjidhje shqetësimeve të ngritura nga bizneset. “Do të vendosim taksën e sheshtë 9% për të ardhurat personale, 9% për fitimin e korporatave dhe 9% për kontributin e sigurimeve shoqërore për punëdhënësin dhe punëmarrësin.
Biznesi i vogël do të ketë një kuotë fikse përafërsisht të barabartë me 1.5% të xhiros, mbi të gjitha pulla fiskale tek këto biznese. Do të ulim TVSH-në në një shkallë të vetme tatimore prej 15% dhe pothuaj pa përjashtim ekzekutivi do të shndërrohet nga një superqeveri me superadministratë në një qeveri të vogël. Të gjitha këto kanë për qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të biznesit. Taksa e sheshtë thjeshtëson sistemin kompleks tatimor ekzistues, rikthen investimet e huaja në Shqipëri e ul infomalitetin. Administratë e vogël eficente në shërbim jo si rojtare e biznesit”, tha Tabaku.
Duke iu referuar pyetësorit të zhvilluar së fundmi nga BERZH, Tabaku tha: “As një vit pas vëzhgimit të Dhomës amerikane të Tregtisë, si dhe asaj të Dhomës gjermane të Tregtisë që evidentonin problemin kryesor të klimës ekonomike në vend tek taksat e larta, korrupsioni dhe tarifat e shtrenjtuara, vjen edhe vrojtimi i BERZH. Shqipëria, sipas vrojtimit të BERZH, ka 6 zëra problematikë, të cilët ndahen në dy grupe të mëdha: pjesa e ndershmërisë së qeverisjes dhe pjesa e politikave ekonomike. Korrupsioni na rendit të tretët në rajon, me një vlerësim 6.3 ndërkohë që para nesh janë Serbia dhe Kosova. Në fushën e informalitetit renditemi po kështu ndër tre vendet e para, duke regjistruar 16.8 pikë që është më shumë se sa mesatarja e rajonit”, thekson Tabaku. Në regjimin e taksave, vendi jonë vazhdoi të vuajë politikën fiskale si pengesë për bizneset duke qenë vetëm pas Malit të Zi dhe Serbisë. Sakaq energjia elektrike që për kryeministrin nuk është rritur, por ulur, konsiderohet nga bizneset si barrierë, saqë shënon 13 pikë, ndërsa mesatarja e rajonit është 5 pikë. Sikundër problematik shfaqet edhe administrimi fiskal, që na rendit të parët në rajon.

Artikulli paraprakVjedhja me mbifaturimet, po paguajmë 50% më shumë
Artikulli tjetërBerisha gol në derbin e Melburn