Viti i ndryshimit, sondazhet e PS e nxjerrin me 29 për qind

Armand MAHO

Edi Rama i mori zvarrë shqiptarët, përgjatë tre viteve të qeverisjes. Erdhi me premtime të mëdha për një rilindje kombëtare, por fondet u adresuan drejt rilindjes urbane, të cilat nuk janë gjë tjetër vetëm se një përvetësim i fondeve publike për një kastë të caktuar njerëzish. E ndërsa varfëria vazhdonte të thellohej, ai shtonte represionin kryesisht mbi familjet e varfëra, shtresat e pambrojtura duke i burgosur, ndërprerë energjinë elektrike, rritur taksat, duke i hequr ndihmën ekonomike sepse pasi konstatonte në shtëpitë e tyre bolierë dushi (pasi sipas mendjes së tij quheshin pasanikë), u rriti gazin, energjinë. Shqipëria në sundimin e Ramës mund të quhet sot, i vetmi vend ku njerëzit shpenzojnë dyfishin e atyre që marrin. Ku votuesi i thjeshtë sheh se si arrin majat politike përdhunuesi, trafikanti e çdo lloj tjetër krimineli. Se si lihen të vdesin fëmijët si Kristi Maze, se s’kanë të paguajnë korrupsionin politik të Ilir Beqajt me PPP e famshme. Se si Elvis Rroshi flet për reformën në drejtësi, ndërkohë që s’dihet se sa emra ka pasur në të shkuarën e tij si trafikant. Se si thirret Armando Prenga nën gjykim për plagosje gjatë kohës që gëzonte mandatin e deputetit, për të votuar Vettingun e bërë sipas shijeve të tij. Shqiptarët sot jetojnë marrëzinë më të madhe që pas rënies së diktaturës, në një shtet ku s’bëhet asgjë dhe ku çdo njeri e sheh shpresën për fëmijët e tij jashtë kufijve të vendit. Në një shtet ku dy janë gjërat më të organziuara, vjedhja e fondeve publikeve dhe trafiku i drogës…

Sondazhet

Edi Rama ka vetëm një pikë ku mund të mbështet nga humbja ndoshta më e madhe që një parti politike ka përjetuar në këto 25 vjet ndryshim sistemi. Ajo pikë është rekrutimi në masë i kriminelëve dhe përdorimi i parave të drogës për të blerë masivisht votën. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar shumëkush në PS e mban mend nervozizmin e kryetarit, kur sondazhet brenda partisë së tij e nxirrnin në rënie të lirë. Në sondazhin e fundit, të organizuar nga skuadronet mavi, shifra arriti pikën më të ulët të historisë së PS-së në 29%. Nga kjo situatë nuk mund ta shpëtojë askush tjetër përveç se elementit kriminal. Kjo është arsyeja se përse në zgjedhjet e Dibrës, por dhe në ato të Kolonjës më pas, elementi kriminal dominoi në çdo qelizë. Ata ishin sekserët e votave, ata ishin ata që kërcënonin tek të pabindurit. Ekranet e televizioneve u mbushën me pamje të tilla, faqet e rrjeteve sociale gjithashtu shfaqnin pamje se si njerëz të kërkuar nga drejtësia kapardiseshin majë makinave të doganave dhe tatimeve. I gjithë mekanizmi shtetëror u vu në shërbim të tyre, ndërsa vetë ata u vunë në shërbim të një fitoreje virtuale që ekziston vetëm në mendjen e çorientuar të kryetarit të PS-së. Rama dhe ata që i mbajnë ison po orvaten që skemën e Dibrës ta shtrijnë në të gjithë Shqipërinë, për të siguruar vazhdimësinë e establishmentit politik që po vjedh me anë të privatizimit dhe koncesionit gjithçka.

Kriminalizimi i administratës

Kohët e fundit Prokuroria ka kërkuar shenjat e gishtave për 570 zyrtarë të lartë të administratës për të cilët ka dyshime të forta se kanë të kaluar kriminale. Burime nga Prokuroria saktësojnë se më shumë se 50 për qind e tyre janë në poste të larta drejtuesish deri edhe deputetë. Por ky është vetëm numri për të cilin ka dyshime Prokuroria, pra njerëz që kanë një dosje në zyrat e saj për krime të ndodhura këtu ose jashtë vendit. Këta janë drejtorë drejtorish, këshilltarë, doganierë, policë e drejtues policie, të veshur me petkun e pushtetit, të cilët flasin përditë për reformën në drejtësi, që firmosin koncesione, që bëjnë sekserin, që bëjnë trafikun e drogës, dhe çdo trafik tjetër. Po t’i shtojmë këtyre dhe rrethin që ata rekrutojnë atëherë shifra dhjetëfishohet… Jo më kot çdo individ dhe grup kriminal, ka synimin e afrimit drejt Rilindjes?! Dhe kjo po ndodh çdo ditë e më shumë kryesisht në vendet ku Rama ka humbur çdo shpresë se mund të marrë vota. Kjo po ndodh në Kamëz, në Kukës, Tropojë, Shkodër, si dhe një përqendrim shumë i lartë është vënë re në Tiranë e Durrës. Jo më kot kryetari i Bashkisë së qytetit bregdetar u investua personalisht për të nxjerrë para zgjedhjeve kreun e bandës famëkeqe Lulzim Berisha. Kjo është arsyeja se përse Klement Balili, një financues i fushatës së PS-së vazhdon të lihet i lirë…

Mungojnë 220 mijë vota

E shprehur në shifra sipas sondazheve të saj, Partisë Socialiste i mungojnë më shumë se 220 mijë vota. Nuk janë vetëm vota të elektoratit gri, por janë vota dhe të socialistëve të zhgënjyer nga qeverisja e saj. Këta janë dhe targeti që do të synohet më shumë të blihet me anë të parave të drogës. Burime nga PS shprehen se militantët janë nën presion të madh dhe po u kërkohet përditë të rikuperojnë dëmin e shkaktuar nga vetë qeverisja e tyre. Nga ana e tij vetë Rama, për të ndrequr sadopak atë që ka bërë, ka filluar një fushatë të shfrenuar ku hiqet si i “pakënaqur” me qeverinë e tij, gjë që e përsërit shpesh. Por jo vetëm kaq?! Gishtin e ka drejtuar dhe nga aletatët e tij, duke is etiketuar ata si të keqen e qeverisjes së tij. Madje për këtë ka lëshuar dhe ushtrinë e analistëve dhe gazetarëve që i ka në boderotë e tij apo të Veliajt në Bashki. Por gjithsesi faktet janë kokëforta, shifrat akoma më shumë dhe të gjitha shigjetat çojnë drejtimin vetëm tek i vetëquajturi lideri global. Të vetmit që nuk e akuzojnë atë për këtë vjedhje situate janë njerëz si Elvis Rroshi i Kavajës apo dhe kryetari i PS-së atje, të dy të akuzuar për trafik dhe aktivitet kriminal apo dhe mijëra të tjerë si ata që po organizohen për të mbrojtur investimin e tyre me emrin Edi Rama…Viti i ndryshimit ka nisur.

Viti i fundit

Rilindja sapo ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Më 18 qershor janë zgjedhjet e përgjithshme dhe karvani i reformave, ende nuk dihet se me çfarë premtimi do u kërkojë votën shqiptarëve. Rilindja jo vetëm u tall, por dhe i vodhi deri në atë pikë sa i çoi drejt vendimeve vetëvrasëse. Gjestikulacionet dhe rënia e bërrylit nën modelin e qoftëlargut, duket se s’po e ndihmojnë shumë kokën e karvanit për të rikuperuar dëmin e parikuperueshëm jo vetëm material, por edhe moral e psikologjik që u ka bërë shqiptarëve. Shpresë ka dhe nga kjo katrahurë nuk do e shpëtojnë as paratë e drogës, as kërcënimet e kriminelëve dhe kapja e drejtësisë. Jo vetëm shqiptarët, por edhe komuniteti ndërkombëtar është ndërgjegjësuar se s’mund të ulen në një tryezë me të njëjtin njeri që ndan tryezën me të akuzuar për përdhunim, madje i paraqet dhe si vlerë. Nuk mund të ulen me një kryeministër që përze çdo ditë nga vendi i tij me qindra e mijëra të rinj e të reja të shkolluar duke i bërë këtij vendi një dëm të pallogaritshëm. Nuk mund të ulen me një njeri që s’ka respekt për demokracinë, për opozitën dhe fjalën e lirë. Kjo është një tjetër pengesë që Rama nuk e zgjidh dot as me batutat e tij bajate nëpër konferenca dhe as me ardhjen e ndonjë politikani humbës në prag të largimit të tij. Qeverisja e rilindjes është e destinuar për të mbetur si një njollë e errët në historinë e këtij vendi, si një katërvjeçar që përdhosi vlerat e lirisë dhe ekonomisë së tregut. Dhe nga kjo liderin global nuk e shpëton dot asgjë, as lëpirjet që i bën aleatëve, as “mea culpa” e shtirur teksa shpërndan tapi legalizimesh (u premtoi që do ja bënte falas), as propaganda e Taulant Ballës dhe as mosha e Artan Lames.

Artikulli paraprakKush e krijoi “RD”?
Artikulli tjetërGrushta mes policëve në Tiranë, policia fsheh ngjarjen