Shqiptari kapet në Itali me 38 kg drogë

Policia italiane arrestoi një 30-vjeçar shqiptar, i cili u kap teksa transportonte me kamion 38 kg marijuanë me vlerë tregu 40 mijë euro. Ai u ndalua nga Policia Rrugore në Areco, pasi kishte hyrë në mënyrë klandestine në Itali, dy ditë më parë. Policia e ndaloi për një kontroll rutinë, por dyshimet lindën, pasi kamioni udhëtonte pa ngarkesë.
Shqiptari nuk u përgjigj, kur u pyet nga policët se çfarë transportonte dhe ku po shkonte. Ndaj dhe kamioni iu nënshtrua një kontrolli më të imtësishëm, prej të cilit u zbulua edhe lënda narkotike e fshehur në pjesën e poshtme.
Ndërkohë, tre shqiptarë dhe një italian u arrestuan nga policia italiane, pasi akuzohen se kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng një të ri. Mediat italiane shkruajnë se arrestimi u bë në Pergine Valsugana dhe pengu akuzohet se kishte humbur një kg marijuanë, të cilën ishte ngarkuar me detyrë që ta ruante.
Sipas policisë, i riu u mor peng në shtator 2016. Ai u la i lirë, pasi babai i tij kishte paguar “gjobën” shtatë mijë euro, që i kishte vënë banda e shqiptarëve dhe italiani. Mediat italiane shkruajnë se të arrestuarit janë Enrik Fetahu, Kreshnik Dedej, Enea Vrapi dhe italiani Vincenzo Longobardi.

Artikulli paraprakVilma Nushi i shet aksionet dhëndrrit për të fshehur gjurmët
Artikulli tjetërGjendet një trup i pajetë në plazhin e Sarandës