Vidal nuk largohet

Arturo Vidal është objektivi i madh i Interit për merkaton e janarit, por ashtu siç dështuan gjatë verës gjasat janë që zikaltërit të dështojnë sërish për të firmosur me mesfushorin kilian. Drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamidziç ka nënvizuar se Vidal është një lojtar shumë i rëndësishëm për Bayernin dhe nuk do të largohet kurrsesi për asnjë arsye nga kampionët e Gjermanisë në merkaton e dimrit. Boshnjaku shtoi gjithashtu se trajneri i ri Jupp Heynckes e njeh shumë mirë Arturon që nga koha që drejtonte Bayer Leverkusenin dhe di si të marrë më të mirën nga mesfushori amerikano-jugor.
Robert Lewandowski pritet të jetë gati për përplasjen e të shtunës me ish-skuadrën e tij, Borussia Dortmund, për javën e 11-të të Bundesligës. I dëmtuar në fund të pjesës së parë në fitoren 2-0 me Leipzigun, ku shënoi golin e dytë, sulmuesi polak mungoi në përballjen e Championsit me Celtic, por do të jetë gati kundër verdhezinjve. Sipas trajnerit Jupp Heynckes, Lewandowski nuk po ndien dhimbje, çka e bën opitimist për ta hedhur në fushë. “Është stërvitur relativisht mirë dhe nuk ka shqetësime. Më duket sikur do të debutojë kundër Dortmundit”, tha trajneri.
Javën e kaluar Bayerni përfitoi nga humbja 4-2 e Dortmundit në fushën e Hannoverit, për t’u rrëmbyer vendin e parë “verdhezinjve”, që këtë sezon synojnë të thyejnë hegjemoninë e bavarezëve në Bundesligë.
Zëvendësimi i Robert Lewandowskit me Arturo Vidal në fund të pjesë së parë ndaj Liepzigut dha idenë e një dëmtimi serioz të sulmuesit polak, i cili sapo kishte realizuar golin e dytë të skuadrës së tij. Trajneri Jupp Heynckes vendosi ta ulte në stol menjëherë sapoi kuptoi problemin muskular që kishte lojtari më i rëndësishëm në vijën e parë të sulmit. Një masë paraprake kjo për të shmangur një dëmtim edhe më të rëndë, që mund të vinte nëse Lewandowski do të vazhdonte të qëndronte në fushë.
Heynckes qetësoi tifozët pas ndeshjes, duke u shprehur se “pret që sulmuesi të jetë i gatshëm për ndeshjen e të martës në Champions League ndaj Celtic Glasgow”. Lewandowski ka luajtur gjithmonë titullar të 10 takimet e Bundesligës, teksa ka realizaur 10 gola. Në dy raste ka sigluar dygolësh, duke mos e gjetur rrugën e rrjetës në vetëm dy sfida.
Bayern Munich synon të transferojë në “Allianz Arena” Edin Dzeko-n. Skuadra e drejtuar nga Jupp Heynckes ka shfaqur interes për sulmuesin e Romës, siç raporton “BeIN Sports”. Klubi bavarez e konsideron 31-vjeçarin si zëvendësuesin ideal të Robert Lewandowski. Bundesliga nuk është një kampionat i panjohur për Dzekon, përkundrazi, sulmuesi është aktivizuar në radhët e Wolfsburg, nga viti 2007 deri në 2011, teksa këtë sezon boshnjaku po paraqitet shumë mirë me fanellën verdhekuqe. Bayern Munich ka nevojë për një sulmues që t’i vijë në ndihmë Robert Lewandowskit dhe ta zëvendësojë në momentet që polaku do të ketë nevojë për pushim. Sipas mediave franceze, bavarezët po mendojnë për bomberin boshnjak të Romës Edin Dzeko.
Arlind RAMA

Artikulli paraprakXhixhi Bufon vë në shënjestër Leo Mesin
Artikulli tjetërInteri, dy alternativa për mbrojtjen në merkaton e janarit