Interi, dy alternativa për mbrojtjen në merkaton e janarit

Objektivi ishte që të riktheheshin në Champions League, por Interi i Spallettit po ecën me një ritëm të shkëlqyer, prej kampioni. Zikaltrit kanë vendosur mbrëmë rekordin historik të nisjes më të mirë të sezonit, me 29 pikë në 11 javët e para dhe ky fakt ka hapur oreksin e drejtuesve të klubit. Tani ata duken të vendosur t’i plotësojnë dëshirat Spallettit në merkaton e janarit, për të tentuar titullin që në vitin e parë. Repartet e mbrojtjes dhe mesfushës, janë ata ku trajneri i zikaltërve do të donte të kishte të tjerë futbollistë, për t’u ndjerë komod.
Sa i përket prapavijës, në stol qëndron vetëm Ranochia, që gjithsesi nuk ofron garanci dhe zikaltrit janë hedhur në sulm për të afruar mbrojtësin e Atleticos së Madridit, Jose Gimenez. Uruguajani 24-vjeçar ka prishur raportet me Simeonen dhe zikaltrit kanë identifikuar te ai, partnerin ideal të Milan Skriniar-it, në qendër të mbrojtjes. Gimenez ka një klauzolë prej 60 milionë eurosh, por zikaltrit shpresojnë për një ulje të madhe, për shkak se mbrojtësit i skadon kontrata në qershor të 2018-ës.
Në rast se nuk arrihet te uruguajani, drejtuesit e Interit po negociojnë edhe për huazimin e mbrojtësit belg Thomas Vermaelen, nga spanjollët e Barcelonës. 31-vjeçari nuk po gjen aspak hapësira te katalanasit dhe do të mirëpriste një huazim në janar, për të pasur më shumë minuta në këmbë, para botërorit ‘Rusi 2018’ .
Sa i përket mesfushës, zikaltrit nuk kanë ndërmend të shpenzojnë shumë në janar, por nga Kina mund të vijë braziliani Ramirez, i cili është pjesë e klubit Jiangsu, që ka për pronar, të njëjtin person që zotëron shumicën e aksioneve të Interit. Krahas brazilianit, nuk përjashtohet as një mundësi shkëmbimi mes Joao Marios dhe Pastores, në aksin Milano-Paris.
Borja Valero shënoi golin e parë me fanelën zikaltër, pikërisht ndaj një kundërshtari të preferuar, si Verona, të cilës i ka shënuar edhe herë të tjera. Spanjolli, thuajse 33-vjeçar u prit me skepticizëm në radhët e zikaltërve, por këmbëngulja e Spallettit, duket se është shpërblyer më së miri në këto 11 javë të para të Serisë A. Borja Valero po sillet si një lider i vërtetë në fushë dhe ndihmon shumë ekipin në qarkullimin e topit.
“E kisha kuptuar se koha ime te Fiorentina kishte përfunduar dhe po mendoja të luaja në Kinë, por telefonata e Interit më bëri të ndryshoj mendje. Zikaltrit më pyetën nëse isha gati të bëja edhe me Interin, të njëjtën gjë që bëj te Fiorentina dhe kjo gjë më bëri të ndërmarr një sfidë me veten time. Nuk kishte të bënte me pagesën, sepse nga Kina më ofruan 3 herë më tepër, por doja që të luaja për një ekip pretendent dhe Interi ishte një hap i rëndësishëm në vitet e fundit të karrierës time. Deri tani kemi bërë paraqitje të mira dhe shpresoj të ruajmë të njëjtin ritëm deri në fund të sezonit, për të kënaqur tifozërinë e mrekullueshme zikaltër”, tha Borja Valero.

Artikulli paraprakVidal nuk largohet
Artikulli tjetërLideri suprem i Iranit: Amerika, armiku kryesor