Vëllai i Kryeministrit tek laboratori i kokainës

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një lidhje të vëllait të Kryeministrit me trafikantët e laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Berisha tha se disponon dokumentat që provojnë se Olsi Rama ka dalë pesë herë nga laboratori i drogës me makinën e njërit prej të arrestuarve me emrin gentian Gjonaj. “I kam këtu dokumentat me datat, targën e makinës dhe vendin ku ka shkelur me të”, tha Berisha.
“Po krimi?,-pyet ai,- A keni parë ju kryeministër në Europë që të ketë ardhur në pushtet i lidhur me “Hakmarrjen për Drejtësi” deri në palcë? I lidhur me Aldo Baren, i deponuar nga Banda e Lushnjës në Prokurorinë italiane, i lidhur me banda të tjera me të cilat vodhi kutitë e votimit. Çfarë ishte Xibraka? Ishte punishtja e Edi Ramës dhe Hakmarrjes për Drejtësi. Pse e akuzojnë Ramën për këtë? Sepse ka një vëlla që quhet Olsi Rama, i cili me makinën e Gentian Gjonajt, makinë e përdorur për transport kokaine, ka dalë të paktën pesë herë, i kam këtu dokumentat me datat, targën e makinës dhe vendin ku ka shkelur me të. Pra ky është Edi Rama. I lidhur me Xibrakën, i lidhur me Kostandinin e Partisë. A mundet një kryeministër të dali me nënën e një xhelati në kryeministri? Ky është Edi Rama që i shkonte Shullazi në zyrë dhe i jepte porosinë të shkonte të kërcënonte Lulzim Bashën. Ky është Edi Rama që urdhëron Gjushin për të dhënë dëshmi për të lëshuar Lul Berishën. Gjushi është një vegël e verbër, por njeriu që e liron është Edvin Kristaq Rama”.
Për zotin Berisha këto nuk janë raste të veçuara por një aktivitet i mirëfilltë kriminal i lidhur ngushtë me politikën. “Pse Shqipërisë i nxorën kartonin e kuq për krimin?,-thotë ai. Sepse kreu i qeverisë, ministriat e tij janë anëtarë të asaj organizate kriminale që përbën rrezik të madh për paqen në vend dhe në rajon. A mund të më thoni pak, a e shndërruat vendin në Kanabistan, a e shndërruat vendin në Kolumbi të Europës?  A lexuat se grupi më i fuqishëm parlamentar i Europës vuri kusht sine qua non ndërprerjen dramatike të mbjelljes së kanabisit. A e dini ju se secili prej tyre e di që është qeveria e lidhur me të, se është Edi Rama që menaxhon kanabisin. Nëse mendoni që jo, unë ju garantoj që po”.

Ku del emri i Gentian Gjonajt

Një superoperacion ndërkombëtar me përfshirjen e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it çoi në shkatërrimin e një laboratori të përpunimit të drogës në Labinot-Fushë në Elbasan, i pari i përmasave të tilla në vendin tonë. 11 persona ranë në pranga, mes tyre edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha si dhe dy kolumbianë, të cilët përgatisnin kokainën në laborator.
Burime nga Prokuroria thanë se në makinën e Ermal Hoxhës u zbuluan dhe sekuestruar një shumë parash prej 300 mijë eurosh. Ndërkohë në automjetin e të arrestuarit tjetër, Sajmir Batku janë zbuluar dhe sekuestruar 18 kg lëndë narkotike kokainë, duke e çuar në total në 121 kg totalin e kokainës të kapur në këtë superoperacion të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare.
Nga informacionet e marra nga policia bëhej e ditur se, koka e grupit kriminal ishte Ilir Hyseni, i cili mësohet se është përgjuar i pari nga ana e autoriteteve të rendit. Më pas, pista e përgjimeve është shtrirë edhe në personat e tjerë, ku i dyti është përgjuar edhe Hoxha, çka ka çuar më pas në zbulimin e grupit të trafikantëve.
Grupi i strukturuar i trafikantëve operonte në ish-magazinat e Rezervave të Shtetit të braktisura nga viti 1997 nën pretekstin e një firme, e cila grumbullonte bimë medicinale. Në këtë mënyrë sasia e lëndës narkotike dyshohet se vinte nga Amerika Latine, përmes këtyre bimëve medicinale, ndërsa pas përpunimit të saj në këtë laborator droge, lënda narkotike më pas trafikohej në tregun e brendshëm dhe në Europë, kryesisht në Gjermani.

Të arrestuarit
1.    Saimir Sadik Batku,  43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
2.    Fatmir Xhemal Hoxha, 48 vje, lindur  dhe banues në Tiranë
3.    Kastriot Haxhi Imeri, 47 vjeç, lindur  dhe banues në Tiranë
4.    Gentjan Hasan Gjonaj, 43 vjeç, banues  në Vlorë
5.    Arjan Zeni Dalipi, 50 vjeç, banues  në Elbasan
6.    Kelment Zeni  Dalipi,45  vjeç,  banues në Elbasan
7.    Cezar Adolfo Avila lindur në Tunja Kolumbi, 67 vjeç
8.    Walther Moren Juan Moreno, 42 vjeç banues në Bucaramanga, Kolumbi
9.    Ilir Skënder Hyseni, 47 vjeç,  banues në Tiranë
10.    Ermal Ilir Hoxha, 40 vjeç, banues ne Tiranë
11.    Egest Dankësi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan

Artikulli paraprakVettingu dënohet me kontroll qeveritar
Artikulli tjetërGrabitje me armë në Lezhë, plagoset polici