Vetëm dje 8 aksidente, 1 i vdekur dhe 13 të plagosur

Tetë aksidente, me bilanc një të vdekur dhe 13 të plagosur kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Tiranë, në autostradën që të lidh me qytetin e Durrësit, në Korçë dhe në Fier. Një 63-vjeçar me incialet P.T ka gjetur vdekjen, pasi ka humbur kontrollin e motoçikletës me të cilën po udhëtonte, në aksin rrugor Mbrostar – Ferko në qytetin e Fierit.
Rreth 02:45, në Tiranë në hyrje të rrugës “Mine Peza”, 3 persona mbetën të plagosur dhe 6 makina u dëmtuan, pasi drejtuesi i mjetit, me targa AA101MG, ishte në gjendje të dehur dhe me shpejtësi humbi kontrollin dhe përfundoi në trotuar. Burime nga policia thanë se, në orët e para të mëngjesit në orën 02:45, në hyrje të rrugës “Mine Peza”, automjeti me targa AA101MG, me drejtues shtetasin Gj. L, ka humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë janë dëmtuar 6 mjete të parkuara në buzë të rrugës. Nga ky aksident nuk ka dëme në njerëz vetëm dëme materiale. Automjetet e dëmtuara janë të markave të ndryshme. Policia ka kryer hetimet e para.
Rreth orës 10 e 30 minuta, në zonën e “Brrylit”, një mjet tip “Smart”, i drejtuar nga një 25-vjeçare që po fliste në telefon ka goditur 67-vjeçarja Fahrie Spahiu, e cili ndodhet e shtruar në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. E moshuara ndodhej e shtrirë në rrugë, e gjakosur teksa një person i jep ndihmën e parë në pritje të ambulancës. Ambulanca është vonuar më shumë se 25 minuta, ndërsa gruaja qëndronte shtrirë në mes të rrugës. E moshuara u dërgua në spital pas 35 minutsh.
Nuk do të kalonte shumë  dhe një tjetër aksident, ndodhi në afërsi të ish-Uzinës Dinamo, ku mbeti e plagosur një 75-vjeçare teksa po kalonte rrugën në vizat e bardha. Edhe këtë herë mjeti drejtohej nga një 20-vjeçare, e cila u shoqërua në polici, ndërsa e moshuara është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore ku paraqitet në gjendje të rënduar.
Në Maminas ndodhën dy aksidente të ndryshme rrugore në pak minuta, ndërsa vetëm në njërin prej tyre mbetën të plagosur dy persona. Sipas burimeve, dy automjete janë përplasur, duke shkaktuar plagosjen e personave që ishin në makina. Të paktën 2 prej tyre konsiderohen me dëmtime serioze, por jashtë rrezikut për jetën.
Një aksident ka ndodhur dje pasdite rreth orës 20:30 në aksin Korçë-Kapshticë, gjatë të cilit janë përplasur tre automjete. Për pasojë dy persona janë plagosur dhe një ndodhet në gjendje të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Plasë.
Një tjetër aksident me pasojë plagosjen e 4 personave është regjistruar në aksin Korçë-Kapshticë në afërsi të fshatit Plasë. Një zetor është batuar nga rruga dhe për pasojë janë plagosur tre gra pasagjere dhe drejtuesi i mjetit. Policia bëri me dije se si pasojë e aksidentit u plagos drejtuesi i mjetit M.B 23 vjeç dhe tre pasagjerët, të cilat qëndronin në karrocerinë e punës V.B 54 vjeç, R.R 55 vjeç dhe L.B 50 vjeç të gjithë banues në Zëmblak. Pas aksidentit të 4 të plagosurit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Korçës si pasojë e dëmtimeve të marra. Pas aksidentit, policia ka nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti që rrezikoi jetën e 4 personave.

R.POLISI

Artikulli paraprakSocialistët, proçesverbale fiktive për zgjedhjen e kryepleqve në Lushnjë
Artikulli tjetërKoncensioni i radhës, 5 miliardë dollarë për portin e Karpenit në Kavajë