Koncensioni i radhës, 5 miliardë dollarë për portin e Karpenit në Kavajë

Qeveria ka dërguar në Parlament një projektligj, i cili parashikon ndërtimin e një porti në Karpen të Kavajës me vlerë 5 miliardë dollarë. Sipas relacionit shoqërues, ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e një procedure të veçantë, për negocimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited” për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike. Star Bridge Port Developments Limited është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjoze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa. Kjo kompani nuk është e regjistruar si subjekt i ligjit shqiptar pasi në këtë fazë nuk është detyrim ligjor. Kompania do të regjistrohet pas nënshkrimit të kontratës. “Nga një vlerësim paraprak i projektit “Morgan” i paraqitur nga aleanca e kompanive të mirënjohura në fushën e projektimit, ndërtimit dhe operimit të porteve strategjike në botë, të përfaqësuara nga subjekti për qëllime të veçanta “Star Bridge Port Developments Limited”, propozimi i sjellë përbën një investim strategjik, i pari i këtyre përmasave në Shqipëri dhe një mundësi unike zhvillimi si për zonën ku është menduar të realizohet, edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit”, thuhet në relacion. Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD-sh për një periudhë 5-10 vjet. Porti propozohet të ndërtohet në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej1700 ha-sh. Zona e portit parashikohet të përbëhet nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase). Në relacion thuhet se niveli i investimit është i tillë që do të ketë menjëherë një impakt të dukshëm në performancën ekonomike shqiptare. Vetëm faza e ndërtimit do të sjellë një investim vjetor të barabartë me 57% të PBB-së çdo vit, dhe 6 200 vende pune. Në përfundim të realizimit të projektit, parashikohet të gjenerohen 70 100 vende pune për ekonominë shqiptare, që përfaqësojnë një rritje të nivelit të punësimit me 6.4%.

Artikulli paraprakVetëm dje 8 aksidente, 1 i vdekur dhe 13 të plagosur
Artikulli tjetërShqiptarët trafikohen drejt Anglisë si tifozë