Veriu izolohet nga bora, Kukësi drejt katastrofës

Situata në Veri të vendit paraqitet tejet problematike si pasojë e borës dhe ngricave. Gjendja më alarmante paraqitet në Kukës, ku situata po shkon drejt katastrofës. Qeveria Rama ka dështuar në përballimin e situatës së borës dhe ngricave, ndonëse përkeqësimi i motit ishte paralajmëruar prej dy javësh. Rama u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë për shkak të borës dhe ngricave, por nuk mori asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar dhe të mbetur në terr. Siç bëhet e ditur nga vetë autoritetet, në shumicën e zonave mungojnë borëpastrueset dhe kripa, dhe si pasojë shumë zona në Veri ndodhen të bllokuara.
Stuhitë e borës kanë vijuar përgjatë natës dhe ditës së djeshme, duke krijuar masive me borë në pikat kyçe të akseve rrugore. Të gjitha fshatrat e njësive administrative për momentin janë të bllokuara. Temperaturat shënojnë minus 7 gradë, ndërsa energjia elektrike mungon që nga ora 11:00 e paradites së enjte. Qeveria njoftoi se energjia elektrike u kthye dje në mesditë në Kukës, por burimet bëjnë të ditur se vetëm disa orë ka patur energji me ndërprerje, ndërsa në mbrëmje energjia është ndërprerë sërish.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu deklaroi se, situata në Kukës është katastrofike. “Jam në terren. Po merremi me zhbllokimin e akseve rrugore. Fryn erë me stuhi dhe situata përkeqësohet nga çasti në çast. Dritat një herë vijnë, një herë ikin. Eshtë situatë katastrofike. Kemi patur tre varrime sot, mezi po ndihmojmë njerëzit në vështirësi”, deklaroi Shehu për gazetën “RD”.
Në rrugën e “Kombit” kalimi bëhet me shumë vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Mungesa e kripës e bën të pamundur pastrimin e rrugës nga bora dhe akulli, ndërsa stuhitë e borës krijojnë bllokime të herëpashershme. Disa trajlera të cilët provuan të lëvizin pa zinxirë në goma u bllokuan. Në zonën pranë Repsit ku fillon dhe problematika janë vendosur efektiv të policisë rrugere dhe asaj të rendit për të mos lejuar qarkullimin e automjetëve pa zinxhirë. Drejtuesit e mjetëve thonë se, në disa zona ka prezence akulli por lëvizja është pa probleme.
Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, kërkon mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën, ndërsa shton se, bashkia ka marrë të gjitha masat për funksionimin e institucioneve jetike si Ujësjellësi si dhe mbajtjen hapur të rrugëve që të çojnë drejt spitalit, maternitetit dhe njësive të shërbimit. Kryetari i Bashkisë i bën apel qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur një arsye të fortë në këto ditë ku priten edhe rënie drastike të temperaturave.
Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj-Arrën vijojnë të jenë të bllokuara. Probleme ka edhe në akset Kukës-Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me shumë vëshitirësi vetëm me zinxhirë. Moti i keq ka sjellë probleme dhe në zona të tjera të Qarkut Lezhë.

Hasi tërësisht i bllokuar, pa rrugë, pa drita dhe pa ujë të pijshëm

Hasi është tërësisht i bllokuar nga bora e ngricat dhe ndodhet pa energji elektrike e ujë të pijshëm. Partia Demokratike reagoi dje, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e rëndë ku ndodhet i gjithë rrethi i Hasit. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma deklaroi gjatë një konference për shtyp se, të dhënat tona tregojnë se prej dje, i gjithë rrethi është izoluar, të gjitha rrugët janë të bllokuara, dhe nga dje nuk ka drita, as ujë të pishëm.
“Raportohet se mungojnë absolutisht ndërhyrjet qeveritare dhe banorët e kanë të pamundur të komunikojnë apo të marrin ndihma. Ndërkohë, kësaj gjendje i shtohet edhe epidemia e gripit, dhe banorët e rrethit të Hasit e kanë të pamundur të marrin ndihmë shëndetësore. Trashësia e dëborës shkon nga 50 centimetra, deri në 1 metër e gjysëm në shumë zona.
Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë dhe t’u vijë në ndihmë banorëve të rrehit të Hasit. Ne do të raportojmë në mënyrë periodike për situatën në zonat më të goditura nga moti i keq, me besimin se do t’u vijmë në ndihmë banorëve”, deklaroi Duma.

Gjysma e Shqipërisë pa energji elektrike

Krahas izolimit të mjaft zonave nga bora dhe ngricat, vendi po vuan edhe mungesën e energjisë si pasojë e defekteve dhe dëmtimit të rrjetit shpërndarës nga moti i keq. Një sërë zonash, fshatra por edhe lagje të disa qyteteve janë pa energji elektrike në gjithë vendin. OSHEE thotë se, numri i tyre ka qenë më i madh, por gjysma e defekteve janë riparuar deri në mesditë. Situata më e vështirë paraqitet në Verilindje të vendit.

Zonat pa energji elektrike

Rajoni Tiranë: pjesërisht pa energji: lagjia Kombinat, Zallbastari, Mulleti, Iba, zona e autostradës, Valias si dhe zona e Tufinës.
Rajoni Durrës: Shkëmbi i Kavajës, Ballaj, Golem qendër, Xhafzotaj, rruga “A Goga”, Gjiri i Lalzit, Katund Sukth, Romanat, Koxhas, Rrashbull, ish-këneta Shijak.
Rajoni Shkodër: Arrëz Miriska, Rrapë, Iballë, Kaçinar, zona e Parkut Fushë Arrëz, Bajzë, Kelmend, Velipojë (pjesërisht), Zues, Lufë, Dobraç.
Rajoni Korçë: Lagjia 5 Pogradec, pjesërisht pa energji, Buçimas (pjesërisht), Libonik pa energji.
Rajoni Elbasan: Tregan (pjesërisht), Bradashesh (pjesërisht); pjesërisht Stravaj, Rrjacë, Qytet Prenjas, Orenjë, Lunik, Pajovë (pjesërisht).
Rajoni Burrel: Dilkinisht, Bardhaj, Fushë Gjon, Orosh, Gore, Baze, Simon, Shullaz, Kaçinar, Mamurras, Shupezë, Derjan, pjesërisht qytet Rrëshen, Rremulle, lagjia 2 Laç, Arraz, Sanxhak, Guri i Kuq, Fan, Fushë Shullaz, Blinisht.
Rajoni Kukës: Pjesërisht Mamëz, Shëmri, Fajzë, Pac, si dhe plotësisht Lekbibaj, Helshan, Kishaj, Margeganjë, Bicaj, Topojan, Shishtavec.

Izolohen zonat rurale në Korçë

Në rajonin e Korçës problemet më të mëdha janë në zonat rurale. Shumë fshatra janë bllokuar dhe kanë mbetur pa energji elektrike. Kryesisht rrugët kryesore janë të kalueshme me zinxhirë, por në Qafë Plloçë ka vështirësi. Gjatë natës mjetet borëpastuese punuan për ta bërë të kalueshëm këtë segment. Por megjithatë edhe gjatë ditës së sotme aty ka probleme. Policia ka apeluar të shmanget lëvizja përmes këtij segmenti derisa situata të stabilizohet.
Vendi është përfshirë nga moti i keq me acar dhe reshje bore, duke sjellë ndërprerje energjie në disa zona të vendin. Mësohet se “Lagja 5” në Pogradec, Buçimasi dhe Liboniku janë pa drita. Po ashtu, pa energji janë edhe Tregan, Bradasheshi, Stravaj si dhe Rrjaca. Të njëjtat probleme has dhe Prrenjasi, fshati Orenjë, Lunik, dhe pjesërisht Pajova. Sipas OSHEE, shkak i ndërprerjes së dritave kanë qenë defektet në linjat e tensionit të lartë pas motit të keq që ka përfshirë vendin, me ngrica dhe reshje bore. Ndërkohë, raportohet se probleme me energjinë elektrike ka në disa qytete.

Bllokohen disa rrugë në Elbasan

Moti i keq ka shkaktuar probleme në Qarkun e Elbasanit, pasi disa segmente rrugore janë bllokuar. Mësohet se aksi Librazhd-Stërblevë-Qarrisht Lunik është bërë i pakalueshëm, pasi është bllokuar nga reshjet e borës. Ndërkohë, në Labinot-Shmil dhe Gjinar-Zavalin, kalohet vetëm me zinxhirë. Sakaq, në aksin Librazhd-Qafë Thanë, qarkullimi i mjeteve vijon pa zinxhirë, ndërsa në Hotolisht, Frare, Xhyrë dhe Dardhë kalohet me zinxhirë.
Po ashtu, mësohet se qarkullimi në Prrenjas-Qafë Thanë vazhdon pa zinxhirë, ndërsa në Prrenjas-Menik-Berzeshtë dhe Qukës kalohet me zinxhirë. Ndërkaq, policia është duke monitoruar situatën.

Durrësi zbardhet nga bora

Bora e rënë gjatë natës ka zbardhur Durrësin për herë të parë pas 7 vjetësh. Petku i bardhë mbuloi të gjithë qytetin, duke sjellë entuziazëm tek banorët e kryesisht fëmijët. Por në mëngjes bora ka ngrirë si rezultat i temperaturave që në Durrës shënonin zero gradë.
Trotuaret dhe rrugët u bënë të rrezikshme si pasojë e akullit dhe qytetarët e pamësuar të Durrësit me këtë situatë kanë rrezikuar të rrëshkasin e të pësojnë trauma në rrugë. Gjatë mëngjesit daljet nga shtëpia i kanë shmangur të gjithë përveçse atyre që janë në punë. I mbuluar nga bora deri në bregdet, Durrësi ofron një pamje fantastike si rrallë herë në borë.

R.POLISI

Artikulli paraprakBasha: Rama është dorëzuar pa kushte para Beogradit
Artikulli tjetërAvokatët e Haradinajt kërkojnë lirimin me kusht