Basha: Rama është dorëzuar pa kushte para Beogradit

Kryetari i opozitës Basha deklaroi mbrëmë përmes një postimi në Facebook se Rama është dorëzuar ka kushte para Beogradit, duke iu referuar reagimit të tij pas arrestimin të Ramush Haradinajt. “Ky dorëzim duhet të marrë fund”, thotë Basha.
“Bisedova me Anita Haradinajn, bashkëshorten e Ramushit. I shpreha shqetësimin dhe revoltën time për këtë goditje tjetër të pabesë serbe ndaj heroit të Kosovës dhe mbështetjen time të plotë personale dhe politike. Jam i bindur se sot të gjithë shqiptarët janë me Ramush Haradinajn, pavarësisht bindjeve politike dhe përkatësive partiake.
Anita më tha se, Ramushi është plot kurajo, dhe mbi të gjitha me besim se asgjë nuk mund të frenojë përparimin e Kosovës.
I bëj thirrje qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë t’i kërkojnë Francës lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ramush Haradinajt, dhe të ndërpresin çdo lloj angazhimi me Beogradin deri në tërheqjen e të gjitha urdhërarresteve ndërkombëtare të Serbisë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës që luftuan kundër regjimit vrasës të Milosheviçit. Ndërsa Rama duhet të kuptojë më në fund se dorëzimi i tij para qeverisë serbe pa kushte dhe pa asnjë dobi për shqiptarët duhet të marrë fund”, thuhet në postimin në Facebook të Bashës.

Artikulli paraprak50 ambasadorët e Obamës që ikin para inaugurimit
Artikulli tjetërVeriu izolohet nga bora, Kukësi drejt katastrofës