Vendimi i Kushtetueses, sot në Kuvend verifikimi i mandatit të Xhaçkës, çfarë pritet të ndodhë në Këshill

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtojë këtë të hënë dosjen e deputetes Olta Xhaçka për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes socialiste.

Ndaj Olta Xhaçkës ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që mban datën 18 Janar 2023. Akuzat nga opozita mbi mandatin e Xhaçkës dhe mosrespektimin e vendimit të Kushtetueses nga ana e mazhorancës janë shtuar akoma më shumë tani që puna në Kuvend po zhvillohet normalisht.

Plot 14 muaj më parë, gjykata vendosi pushimin e çështjes pasi 1/5 e deputetëve të Kuvendit pjesë e opozitës kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, i cili nuk miratoi raportin e PD-së që pretendon se deputetja Xhaçka ishte në papajtueshmëri të ushtrimit të mandatit të saj për shkak të statusit që kishte përfituar familjari i saj.

Në 18 janar të një viti me parë Gjykata Kushtetuese e pushoi dhe gjykimin e çështjes, pasi më parë sipas Kushtetueses do të duhet të shprehet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në një intervistë të realizuar për Zërin e Amerikës, tha vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën, në fakt, zbatim të vetë Kushtetutës.

Ndërsa kur u pyet për mandatin e Olta Xhaçkës deklaroi se “Të vësh në pikëpyetje zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”.

Dhe pas 14 muajsh, Lindita Nikolla si një kundërpërgjigje për Gazment Bardhin në Kuvend tha se këtë të hënë Këshilli i Mandateve që drejtohet nga vetë ajo do shqyrtojë çështjen e mandatit Xhaçka.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, në përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, i cili verifikon mandatin e deputetit.

Artikulli paraprakKush vjen nga fiqtë, për fiq do të shkojë…
Artikulli tjetërREZOLUTË E KRYESISË SË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË