Vendgrumbullimi i mbyllur i mbetjeve burim ndotjeje për qytetin e Fierit

Edhe pse ka disa vite që fusha e mbetjeve në zonën Sheq të Fierit e ka tejkaluar kapacitetin e saj, aty vazhdojnë të hidhen mbetje. Kjo fushë ndodhet rreth 3 km larg hyrjes së qytetit të Fierit dhe ka më shumë se 20 vite që shërben si vendgrumbullim mbetjesh. Herë pas here banorët e lagjeve “Sheq i Madh”, “Liri Gero”, “8 Shkurti” dhe “Mbrostar” ankohen për erën mbytëse që vjen drejt e në shtëpitë e tyre nga djegia e qëllimshme e plehrave. Për shkak të mbingarkesës, pirgje të mëdha mbeturinash digjen për të krijuar pak hapësirë për kontenierët e rinj të mbeturinave që priten të zbrazen. E gjithë kjo situatë është kthyer në një shqetësim për qindra familje që jetojnë në Sheq të Fierit, por edhe për gjithë Fierin kur digjet dhe tymi shpërndahet nga era.
“Nuk hapim dot dritaret dhe madje shpesh gjatë verës kur është piku i djegies së mbeturinave ikim nga shtëpia sepse mbytesh nga era. Situata paraqitet shumë e rëndë ndaj jemi ankuar, por pa rezultat, këtu duhet ndërhyrje emergjente”, tregon Fatmiri, banori i kësaj zone. Ndërsa Vasili një tjetër banorë i kësaj zone tregon për infeksionet e sëmundjet e shumta që i kanosen komunitetit. “Ka shumë insekte të cilave si të rriturit e si fëmijët nuk kanë shpëtuar pa u pickuar e pa përfunduar në urgjencë disa herë. E gjithë situata me erë të pakëndshme dhe vdekjeprurëse është kthyer në një gangrenë për shëndetin tonë. S’dijmë si t’ja bëjmë. S’dijmë si të ruhemi që të mos sëmuremi”, përfundon ai.
Në raporte të ndryshme të kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Fieri ka rezultuar në listën e qyteteve të ndotura. Megjithëse ky vendgrumbullim konsiderohet i mbyllur nga Bashkia e Fierit, aty ende depozitohen mbetje urbane. Bashkia thotë se zjarrin e vendosin qytetarët, por në fakt nuk merr masa ta shuajë atë. “Është një vendgrumbullim, të cilin ne e kemi shpallur të mbyllur për shkak të kapacitetit mbi normën e lejuar, ndaj një vit më parë ne ia kemi kaluar kompetencat Ministrisë së Mjedisit në lidhje me këtë problem, duke i kërkuar zgjidhje.
Madje është diskutuar edhe ngritja e një landfilli ku specialistët po e studiojnë si mundësi. Bashkia ka kërkuar që kjo fushë mbetjesh të ndërtohet jashtë qytetit për të mos sjellë më probleme tek banorët e zonës përreth”, tha për “Citizens Channel”, Irma Hoxha, zëdhënësja e Bashkisë Fier. Por duket se ekziston një ngërç midis Bashkisë Fier dhe Ministrisë së Mjedisit, ku kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë për këtë delegim kompetencash, duke respektuar ligjin për menaxhimin e mbetjeve, ku çdo bashki është përgjegjëse për territorin e saj. Por me gjasa për shkak edhe të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, kjo kërkesë e Bashkisë Fier do t’i kalojë ministrit të ri të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, për t’u njohur me këtë problematikë e për të reflektuar një zgjidhje. Qeveria shqiptare ka parashikuar të ndërtojë një incenerator për djegien e mbetjeve të Qarkut të Fierit dhe është shpalluar edhe firma fituese, por ishin banorët e fshatit Vërri, aty ku do të ndërtohej impianti, ata që ndaluan nisjen e punimeve për ndërtimin e tij. Sipas raportit joteknik të ndikimit në mjedis të inceneratorit, ndërtimi i tij do të ketë efekte të forta në mjedis dhe jetën e banorëve. Një grup ekspertësh, që kanë hartuar raportin joteknik të ndikimit në mjedis të këtij impianti kanë arritur në përfundimin se, “operimi i inceneratorit shoqërohet me shkarkimin në ajër dhe ujëra të disa ndotësve të tillë si NOx, SO2, gazet acidë, metalet e rëndë, dioksina dhe furane”, të cilat mund të kthehen në një bombë të vërtetë mjedisore për banorët në këtë zonë.

Artikulli paraprakSkanimi në dogana, si u nda pagesa prej 11.3 milionë euro
Artikulli tjetërRusia, Bjellorusia dhe flota kineze në stërvitjen me 100 mijë ushtarë