Grabitje me armë në Lezhë, plagoset polici

Një grabitje me armë ka ndodhur në Lezhë paraditen e djeshme, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me armë ka mbetur i plagosur një efektiv policie dhe autori i grabitjes. Ngjarja ka ndodhur në orën 09:20 minuta në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Arbërisë”, në autostradën Fushë-Krujë Lezhë, ku është edhe rruga që merr për në veri dhe Kosovë. Një i ri ka grabitur nën kërcënimin e armës një mjet tip “Porsche” Cayene, me targa AA 870 II.
Policia ka marrë njoftim për grabitjen dhe është nisur drejt vendngjarjes, por grabitësi sapo ka parë policinë ka qëlluar në drejtim të saj, duke plagosur një polic. Efektivi i plagosur Nikolin Gjergji është dërguar në Spitalin e Lezhës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi ishte plagosur me plumb në sy. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pak minuta pas grabitjes, autori me makinën e grabitur është arratisur për t’i shpëtuar policisë. Megjithë thirrjet e policisë për t’u dorëzuar, grabitësi nuk ka pranuar. Madje ka patur edhe një tentativë për të qëlluar në drejtim të policisë.
Policia është vënë në kërkim të autorit që është larguar me shpejtësi, duke e lokalizuar pranë Fushë-Kuqes në Laç. Zona ku ndodhej autori i grabitjes Aldi Lleshaj u rrethua nga forca të shumta policie, si dhe forcat RENEA. Ka zgjatur rreth 2 orë arratia e tij dhe më pas, Policia e Lezhës, në bashkëpunim me RENEA-n dhe FNSH-të kanë arritur ta plagosin dhe ndalojnë autorin në pjesën fushore të Kurbinit. 20-vjeçari nga Kurbini është plagosur me snajper në këmbë nga forcat RENEA dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak.
20-vjeçari Aldi Lleshaj, autori i grabitjes që ndodhi dje në autostradë në Lezhë ka mbërritur rreth orës 12:30 në Qendrën Spitalore të Traumës në Tiranë. I shoqëruar nga forca të shumta policie, ai ka hyrë me barelë, ndërsa këmbën e kishte të fashuar. Aty dyshohet se është plagosur nga policia me qëllim neutralizimin e tij pas rreth 2 orësh arrati.
Grabitjet me maska janë kthyer në një tmerr për qytetarët, por sidomos për biznesmenët në të gjithë vendin. Në qendër të grabitësve të armatosur dhe me maska janë vënë bankat, bizneset dhe makinat në akset rrugore. Maskat bëjnë ligjin në të gjithë vendin, ndërsa policia ka frikë t’u afrohet këtyre grabitësve profesionistë, pasi, bandat e grabitësve janë njësh me qeverinë. Parimi i qeverisë është goditja e të dobtëve dhe lënia fushë veprimi të lirë për grabitësit e bankave dhe bizneseve.
Para tre ditësh u grabit një bankë në Tiranë, ndërsa autorët ende janë të lirë. Dy personat e maskuar, pasi kanë arritur të marrin më shumë se 50 milionë lekë nën kërcënimin e armëve janë larguar me një motor në drejtim të paditur për policinë. Banka e grabitur ndodhet vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë, ndërsa policia nuk ka mundur të kapë autorët.
Ndërsa në Fier, persona të armatosur dhe të maskuar grabitën 22 milionë lekë në një kompani private të pajisjeve elektronike. Kompania ka qenë duke i dërguar paratë në bankë në kohën kur u sulmua dhe iu grabitën 22 milionë lekë. Edhe në Korçë është grabitur në të njëjtën ditë kasaforta e një biznesi që tregtonte materiale ndërtimi. Edhe në këtë rast, maskat kanë grabitur 70 milionë lekë, ndërsa autorët si gjithmonë janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Edhe në këto dy raste, policia nuk ka mundur të arrestojë autorët.

Artikulli paraprakVëllai i Kryeministrit tek laboratori i kokainës
Artikulli tjetërPas Gjushit, të tjerë zyrtarë nën hetim për lirimin e Lul Berishës