Veliaj, 120 milionë lekë për një website që kushton 500 mijë lekë

Çdo tender i firmosur nga Erion Veliaj nis me shifra marramendëse për çdo zë qoftë edhe për një shërbim të vogël. I tillë tenderi i sapofirmosur për ndërtimin e websiti (faqe online). Me një kosto jo vetëm abuzive e tërësisht të pajustifikueshme, por mbi të gjitha skandaloze, pasi shërbimi për ndërtimin e një websiti mund të kushtojë thjeshtë dhe vetëm 500 mijë lekë të vjetra apo edhe pak më shumë.
Por vala e tenderave milionëshe në Bashkinë e Tiranës nuk kanë të ndalur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, as nuk e ka problem që të ofrojnë më shumë se 120 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e një websiti, që me stil i është shtuar edhe një rrjet intraneti dhe 2 trajnime. Erion Veliaj, Bashkia e të cilit ka publikuar tashmë si autoritet kontraktor tenderin, ka lënë një afat 4-mujor për ndërtimin e tij, ndërsa mirëmbajtja do të jetë 4 vjet.
Pra, një kompani, të cilën do e ndjekim hap pas hapi për t’i zbuluar emrin, do të paguhet rreth 30 milionë lekë në muaj. Tenderi që do të mbyllet më 14 dhjetor përcakton që ofertimi do të bëhet për krijim websiti, intranet, trajnim dhe mirëmbajtje. Intraneti është një rrjet privat, që do aksesohet nga stafi i bashkisë. Pse Veliaj mendon që mbi 120 milionë lekë ia vlejnë të hidhen për një website?
“Nëpërmjet këtij projekti, Bashkia e Tiranës do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve/informacioneve për qytetarin, për biznesin, grupet e interesuara, por dhe proceset e funksionimit brenda administratës. Në të njëjtën kohë, do të rritet transparenca për aktivitetin e Bashkisë dhe do të realizohet një komunikim dhe ndërveprim në kohë reale me komunitetin”, sqarojnë tenderkrijuesit. Ka qenë në stilin e qeverisjes së Ramës krijimi i websiteve, të cilët duhet thënë nuk na kanë ofruar një rezultat të prekshëm. Mjafton të përmendim “Jokorrupsionit”, “E-Albania”, “Shqipëria që duam” etj. Veliaj është i njohur për bujarinë e tij, teksa kohë më parë vetëm për ndërtimin e ashensorit për t’u ngjitur në Bashki ai hapi një tender prej 180 milionë lekësh.
Nëse analizon procedurat e prokurimit e të gjitha tenderave të zhvilluara nga Bashkia me firmën e Veliajt, vëren se shumica e tyre kanë probleme të theksuara ligjore. Një pjesë e tyre kanë fituese kompaninë që ka ofruar një çmim më të lartë nga të gjithë konkurrentët e tjerë në garë, për realizimin e një shërbimi apo vepre publike. Në disa tendera të tjerë, kompania fituese është dhe kompania e vetme pjesëmarrëse në garë. Kompani të tjera fituese, janë dhe ato me çmime të njëjta me fondin limit të vënë në dispozicion nga Bashkia. Të gjithë këta lloj fituesish janë në shkelje të ligjit.
Bashkia e Tiranës prej kohësh ka filluar të hyjë në institucionet ku tenderat fitohen me vlerën maksimale, duke përsosur makinacione dhe ngritur dyshime për abuzime dhe korrupsion.
Ndërkohë ende nuk dihet mbi kostot marramendëse që Veliaj do të shpenzojë nga paratë e qytetarëve në lidhje me festimet dhe aktivitetet që do organizojë mbi Natën e Bardhë, ku deri tani dihet vetëm se Veliaj do të sjellë në Tiranë një nga këngëtaret më të njohura botërore me kosto stratosferike, Emili Sande.
Në portalin Prokurime Transparente Open Procurement Albania (Open Data), gjenden të dhëna për të gjitha procedurat prokuruese të realizuara në periudhën korrik 2015 e në vijim nga bashkitë dhe institucionet në vartësi të tyre. Aktualisht përveç informacionit të mirëstrukturuar portali ka edhe një opsion tjetër, markimin me Red Flag për procedura që paraqesin situata me risk për keqpërdorim fondesh, raste pabarazie, nepotizëm etj. Një shënim me Red Flag është një fakt, ngjarje ose grup i rrethanave ose informacioneve të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve antikorrupsion.

Artikulli paraprakZhduket shtresa e mesme, thellohet niveli i varfërisë
Artikulli tjetërBuxheti që do thellojë skamjen e qytetarëve