Vdekja e 17-vjeçarit në Vlorë, britma e mallkime ndaj Ramës

Familjarët e 17-vjeçarit që humbi jetën në një aksident në Vlorë kthejnë makinën e mortit në vendin ku vdiq djali i tyre. Babai i të ndjerit i ka bërë apel qeverisë dhe Kryeministrit Rama që të verë para drejtësisë autorët, në të kundërt ai deklaroi se do të bëjë vetëgjyqësi. Kristi Panajoti, 17-vjeçari që humbi jetën tragjikisht në një aksident që ndodhi në aksin Vlorë-Uji i Ftohtë është përcjellë të dielën për në banesën e fundit. Rreth orës 13:00 trupi i adoleshentit është nxjerrë nga banesa në drejtim të fshatit Dhërmi ku është dhe origjina e familjes Panajoti.
Gjatë rrugës në Ujë të Ftohtë, kortezhi është ndalur pranë vendit të aksidentit për të hedhur lule, por në një moment prindërit e viktimës për shkak të dhembjes kanë goditur dhe thyer xhamat e një prej mjeteve të firmës. Mes britmave dhe mallkimeve ndaj shtetit dhe Kryeministrit Rama ata kanë hedhur lule në gropën ku ra makina “BMW-X6” që drejtohej nga 21-vjeçari Petraq Beja, i cili mbeti i plagosur.
Në gjendje shoku, të dy prindërit i janë afruar gropës së mbushur me ujë, ndërsa nëna ka tentuar të hyjë brenda. Babai që mbahej nga të tjerë të afërm mes lotësh tha se, “po s’vajtën në burg përgjegjësit, do i varros vetë në atë gropë”.
Biznesmeni Nikollaq Neranxi, i cili është i afërm i viktimës ka apeluar për drejtësi për shkaktarët e kësaj ngjarje të rëndë. Familjarë të viktimës janë shprehur se shkak për aksidentin ka qenë mungesa e sinjalistikës në rrugë, para se të shkohej tek gropa e hapur në kuadër të punimeve për ndërtimin e kanalizimeve pranë Lungomares.
Shoferi i aksidentit: Ishte errësirë, nuk e pashë gropën
Drejtuesi i mjetit të aksidentit në aksin Ujë i ftohtë-Skelë, ku një 17-vjeçar humbi jetën, ka deklaruar se nuk e kishte parë gropën që ishte hapur në mes të rrugës. Petraq Beja, 21 vjeç, ka shpjeguar në spital për Prokurorinë se punimet pa tabela paralajmëruese ishin shkaku i aksidentit vdekjeprurës. “Nuk kishte ndriçim, ishte e vështirë të kuptoje se në mes të rrugës ishte e hapur një gropë e madhe”, ka thënë drejtuesi i automjetit, tashmë nën arrest për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
21-vjeçari ka rrëfyer se ka tentuar të devijojë në krahun e djathtë pasi në krahun tjetër ishte një mjet, por ka humbur kontrollin e mjetit duke përfunduar në një kanal. Megjithë dëshminë e shoferit, grupi i hetimit po verifikon nëse firma po i kryen punimet e Lungomares pa siguruar perimetrin me sinjalistikën e duhur.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës thuhet se nga verifikimet e deritanishme firma fituese e tenderit për rregullimin e rrugës është grekja “Intercak”, ajo që po kryen punimet është firma shqiptare “Xhem”.
Për këtë arsye janë thirrur për t’u marrë në pyetje përfaqësuesit e firmës së nënkontraktuar. Ndërkohë që priten edhe konkluzionet e ekspertëve autoteknikë për shpejtësinë me të cilën po drejtonte mjetin Beja. Kalimtarët shprehen të rezervuar për kushtet e sigurisë në rrugë.
“Kushtet e punës deri diku nuk janë të mira. Ato janë shumë të rëndësishme. Sigurimi teknik duhet. Këto duhet t’i bëjnë ata që janë përgjegjës. Ose t’i bllokojnë ose t’i rregullojnë”, shprehen qytetarët.
Rrugës për në Dhërmi, ku përcollën 17-vjeçarin, të afërm dhe familjarë të të ndjerit Kristo Panajoti ndaluan dhe hodhën lule e më pas edhe gurë ndaj mjeteve të firmës, në vendin e aksidentit.
Ndërkohë, dy punonjës të firmës “Xh & M shpk” janë ndaluar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për aksidentin në Vlorë, ku një makinë “BMW X6” ra në gropën e Lungomares.
Të ndaluarit janë Ilirian Tahmazi, me detyrë përgjegjës i Sigurimit Teknik dhe Tomor Cena, me detyrë inxhinier zbatues i projektit. Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, policia ka bërë ndalimin e këtyre dy shtetasve, si autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për zbulimin e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.
Vlonjatët e akuzojnë kryebashkiakun: Nesër do biesh ti te ajo gropë, o plehrë
Qytetarët e Vlorës janë revoltuar me kryebashkiakun Dritan Leli, pas vdekjes së adoleshentit, ngjarje kjo që shkaktoi shumë zemërim. Leli nuk ka bërë asnjë reagim për këtë ngjarje, por ka bërë diçka tjetër akoma më të keqe, ai ka ftuar qytetarët që së bashku me të, të festojnë dje në sheshin e Vlorës ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Komentet kanë qenë të gjitha negative, qytetarët e revoltuar për këtë ngjarje dhe rrugët e lëna përgjysmë, përmbytjet etj., i kanë kërkuar kryebashkiakut të mbajë përgjegjësi për këtë situatë. Por, ai ka bërë një veprim tjetër të rëndë, u ka fshirë komentet dhe duke e parë “fshesën” që po përdorej, disa prej tyre u bënë edhe “screenshot” komenteve. Nëse shikoni profilin e tij, edhe komentet e ditës së djeshme janë fshirë, një kryetar që nuk dëgjon zërin e atyre që e votuan, por i shkel me këmbë.
Dritan Leli vazhdon të përdorë “fshesën” dhe asnjë reagim deri tani. Nuk dihet nëse do të ketë protestë në Vlorë për këtë ngjarje, apo do mblidhen militantët për t’ju bashkuar festës së Lelit.
U desh të ndodhte një aksident tragjik që kompania, e cila po kryen punimet për ndërtimin e Lungomares në Vlorë të vendosë sinjalistikë orientuese. Në vendin e ngjarjes është vendosur sinjalistika e dallueshme dhe është kryer rrethimi i vendit ku po punohet për shëtitoren bregdetare. Por pavarësisht aksidentit tragjik ku një 17-vjeçar humbi jetën, punimet ende vazhdojnë.
Si shkaktar i aksidentit është konsideruar edhe drejtuesi i mjetit mbi të cilin rëndon akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Petro Beja, drejtuesi 21-vjeçar i automjetit nuk ka dhënë ende versionin e tij mbi ngjarjen, pasi nuk ka qenë në gjendje shëndetësore të përshtatshme për të dëshmuar.
Ai gjendet aktualisht në ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës në mbikëqyrje policore. Nga ana tjetër, burimet nga Drejtoria e Policisë Rrugore sqarojnë se, viktima dhe shoferi kanë qenë duke udhëtuar pa rripin e sigurimit, çka mund t’i kishte shpëtuar jetën Kristi Panajotit. Veprimet e mëtejshme hetimore është duke i ndjekur Prokuroria, e cila do të riinspektojë vendin e ngjarjes për të përcaktuar edhe shpejtësinë e automjetit dhe kushtet teknike të tij.

Artikulli paraprak28 nëntori, dita e Kombit, sot dita e Jugosllavisë
Artikulli tjetërRaporti i BE: 2,6% e të ardhurave bruto në Shqipëri, nga kanabisi