Raporti i BE: 2,6% e të ardhurave bruto në Shqipëri, nga kanabisi

Raporti vjetor i Bashkimi Europian jep shifra alarmante të kultivimin dhe trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri. Në raportin vjetor të BE thuhet se, të ardhurat ilegale nga kanabis sativa në Shqipëri zënë 2,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këtë shifër alarmante e jep raporti vjetor i Komisionit Europian që vlerëson ecurinë e Shqipërisë për vitin 2016, ndërsa shtete europiane si Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, të ardhura ilegale nga bimët narkotike i kanë të papërfillshme, duke mos kapur 1% të PBB-së.
Shifra alarmante e këtij raporti shoqërohet gjithashtu dhe me vënien në dukje të mungesës së kapacitetit të Policisë së Shtetit për të luftuar këtë fenomen, i cili vitet e fundit është përhapur shumë. Ndërkohë që kërkesa për shtim të luftës kundër trafikut të bimëve narkotike është imediate, aq sa nga zyrtarë të BE-së po e shohin dhe si kusht në çeljen e negociatave, Ministria e Brendshme ka rritjen më të vogël të buxhetit me 17.6 mln lekë ose 0.09%. Në total për 2017, edhe pse ndër sektorët me peshën kryesore të buxhetit të shtetit me 7.47% ose rreth 20 miliardë lekë, Ministria e Brendshme renditet dikasteri i katërt sa i përket ndarjes së fondeve për vitin e ardhshëm.
Raporti i shpenzimeve të institucionit ndaj PBB edhe për këtë ministri ka pasur tendencë rënie në krahasim me vitin 2015. Kështu, nga 1.38% më 2015 ky raport për 2016 është 1.3%. Me vlerën prej 2.6 për qind e prodhimit kombëtar (PBB-së), industria e drogës në Shqipëri xhiron të njëjtën vlerë sa gjithë sektori i arsimit publik dhe privat, ose ai i hotelerisë dhe restoranteve. Raporti vjetor i KE-së vlerëson se ka pasur rënie të sasisë së drogave kokainë dhe heroinë të sekuestruar krahasuar me vitet 2014, 2015, duke nxjerrë në pah dhe mungesën e dënimeve.
“Pavarësisht intensifikimit të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët. Dënimet dhe gjobat nuk janë parandalues efikasë dhe konfiskimi i aseteve kriminale është i kufizuar. Hetimet dhe procedimet nuk arrijnë deri në nivelet më të larta të zinxhirit të drogës dhe nuk shoqërohen sistematikisht me hetime paralele financiare”, thuhet në raportin e botuar më 9 nëntor të këtij viti. Dokumenti prej 117 faqesh i Komisioni Europian që përfshin ecurinë vjetore të Shqipërisë në të gjitha fushat e në plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE.

Droga financon grupet kriminale në Shqipëri

Nga të ardhurat ilegale të narkotikëve në Shqipëri financohen grupet kriminale. Sipas organeve të specializuara të OKB-së, përfitimet nga tregtia e paligjshme e drogës vazhdojnë të mbeten nxitës të rëndësishëm financiarë për grupet e organizuara kriminale në Shqipëri. Të ardhurat ilegale të narkotikëve përbëjnë një përqindje të rëndësishme të GDP së Shqipërisë. Të ardhurat ilegale nga bimët narkotike llogariten se zënë një pjesë të madhe të PBB-së së Shqipërisë (2.60% krahasuar me 0.07-0.19% për vendet si Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar). Shqipëria ka intensifikuar luftën kundër kultivimit të drogës (kryesisht atë të llojit kanabis sativa), që mbetet një sfidë serioze.
Në vitin 2015, policia ka kryer 240 operacione kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, të cilat rezultuan në identifikimin e 4634 parcelave të kultivuara, si dhe arrestimin e 402 kriminelëve dhe shkatërrimin e 797.422 bimëve narkotike, 24.6008 më shumë se në vitin 2014. Prirja pozitive ka vazhduar edhe në vitin 2016, me konfiskime të mëdha të drogës dhe shkatërrimit të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa gjatë verës. Prirjet e fundit kanë treguar se kultivimi i kanabisit kryhet edhe në serra. Nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar asgjësimin e plantacioneve me kanabis. Në fushën e trafikimit të drogës, në vitin 2015 janë sekuestruar 36.9 kg drogë të llojit heroinë, mbi 11 tonë marijuanë dhe 27.1 kg kokainë (kundrejt 73.5 kg heroinë, 97 tonë marijuanë dhe 10.3 kg kokainë të sekuestruara në vitin 2014).
Kjo rënie e sekuestrimit mund të shpjegohet me rizhvendosjen e trafikut të paligjshëm përmes vendeve të tjera, e shoqëruar kjo me mungesën e shërbimeve të përshtatshme sekrete dhe për pasojë me numrin e ulët të kapjeve. Pas miratimit të ligjit të ri për strukturën e organizimit të policisë, hapja e tetë komisariateve të reja duhet të sigurojë një kontroll më të mirë të territorit për qëllime të parandalimit dhe shkatërrimit të kultivimit të drogës. Pavarësisht intensifikimit të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët. Dënimet dhe gjobat nuk janë parandalues efikas dhe konfiskimi i aseteve kriminale është i kufizuar. Hetimet dhe procedimet nuk arrijnë deri në nivelet më të larta të zinxhirit të drogës dhe nuk shoqërohen sistematikisht me hetime paralele financiare.
Në vitin 2015, policia ka dorëzuar në Prokurori 1.008 raste që lidhen me prodhimin dhe trafikimin e drogës (344 më pak se në vitin 2014). Vetëm 359 janë dërguar në gjykatë (nga 372 në vitin 2014). Kapacitetet për të menaxhuar, magazinuar dhe shkatërruar drogat mbeten shumë të dobëta. Duhet përmirësuar procedura e shkatërrimit të bimëve narkotike të sekuestruara. Duhet përgatitur një protokoll që i ngarkon Ministrisë së Mjedisit detyrën e menaxhimit të bimëve narkotike, siç janë monitorimi dhe kampionimi i ajrit dhe dheut. Drogat duhen asgjësuar menjëherë, ose direkt pas sekuestrimit dhe duhen mbajtur vetëm kampionë të vegjël për analiza në institutin shkencor. Përveç kësaj, duhet ngritur një njësi e trajnuar, e cila do të trajtojë çështjen e laboratorëve të paligjshëm për sintezën e drogave të paligjshme.

Policia nuk bashkëpunon me Prokurorinë

Ky raport mbulon periudhën nga tetor 2015 deri në shtator 2016. Ai bazohet në të dhëna të marra nga një larmi burimesh, përfshirë kontributet e qeverisë shqiptare, shtetet anëtare të BE-së, raportet e Parlamentit Evropian dhe informacione nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe joqeveritare. Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, dokumenti thekson se vendi ka arritur njëfarë niveli përgatitjeje. “Policia u modernizua dhe u rrit bashkëpunimi ndërkombëtar policor, sidomos me Europol-in. Megjithatë, bashkëpunimi mes policisë dhe Prokurorisë duhet të forcohet më tej për të shpërbërë rrjetet kriminale në mënyrë më efektive. Hetimet financiare në lidhje me grupet e organizuara kriminale nuk janë zhvilluar në mënyrë sistematike dhe efektive. Historiku i ngrirjes dhe konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme mbetet shumë i ulët”, thuhet në raport.
Duhet të forcohet bashkëpunimi mes policisë dhe Prokurorisë në mënyrë që të shpërbëjnë rrjetet kriminale në mënyrë më efikase. Numri i vendimeve të formës së prerë në rastet e krimeve të organizuara mbetet i kufizuar, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë gjatë viteve të fundit. Hetimet financiare që shënjestrojnë anëtarë të dyshuar në grupe kriminale nuk janë kryer në mënyrë sistematike dhe efektive. Historiku i të dhënave për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme mbetet i ulët.
Vitin e ardhshëm, Shqipëria, në veçanti, duhet: të dëshmojë progres në krijimin e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve dhe dënimeve penale kundër grupeve kriminale, përfshirë konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe shpërbërjen e rrjeteve kriminale; të përshtatë legjislacionin përkatës me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, në veçanti, ligjin Antimafia, Kodin e Procedurave Penale dhe legjislacionin në fushën e përgjimeve dhe mbikëqyrjes, afatet kohore për hetimet dhe pranueshmërinë e provave përpara gjykatës; të decentralizojë forcat e specializuara policore, të alokojë burimet njerëzore të mjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe të zbatojë një politikë efektive për burimet njerëzore në Policinë e Shtetit, përfshirë rekrutimin sipas meritës, ngritjen në detyrë dhe transferimin brenda zyrave të policisë dhe Prokurorisë.

BBC: Në Shqipëri prodhohet kanabis në vend të domateve

Radio “BBC4” ka transmetuar dje një reportazh për kanabisin në Shqipëri. Gazetarja britanike, Linda Pressly ka udhëtuar drejt jugut të Shqipërisë ku me prezencën e Policisë përcjell për valët e radios një mision antikanabis për të parë e më pas për të shkatërruar 4 tonë lëndë narkotike që po thahej për t’u përgatitur për trafikim.
Gazetarja thekson se fshatarët e këtyre zonave më përpara kultivonin vetëm domate apo prodhime të tjera të fshatit, por me grupet e organizuara që u ofrojnë shumë para, ata kanë rënë pre e këtij kompromisi. Kanabisi shqiptar, thekson gazetarja transportohet nëpërmjet Italisë për të arritur më pas në tregjet e Europës.

Kapet 1 ton kanabis, goditet grupi që blinte drogën në Shqipëri

Policia italiane ka sekuestruar së fundmi një sasi droge të vlerësuar 3 milionë euro dhe ka arrestuar 6 persona të akuzuar për trafik droge në sasi të mëdha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Dëshmia e Salvatore Cristaudo, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë italiane, ka sjellë dy rezultate: Sekuestrimin e një ton marijuane, gati për t’u shpërndarë në sheshet e Catanias, si dhe identifikimin e një grupi trafikantësh në gjendje për të blerë në Shqipëri sasi të mëdha droge, që ruhej në lagjen “Picanello” të Catania-s.
Hetimet, e koordinuara nga Antimafia e Catanias, kanë zbuluar se në vend do të vinte një sasi e  konsiderueshme droge. Gjatë operacionit të kryer në 25 nëntor, të drejtuar nga Policia e Catanias dhe skuadra Antimafia, janë gjetur dhe sekuestruar në një kamion 1.000 kg marijuanë. Droga ishte e ndarë në 33 paketime.

19 milionë euro drogë nga Shqipëria, goditet banda në Greqi

Policia greke në Athinë ka shkatërruar një grup të madh kriminal, që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Në një njoftim për shtyp nga policia greke theksohet se, organizata kriminale përbëhej nga 146 anëtarë, 97 prej të cilëve janë arrestuar. Ata trafikonin kanabis, heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në qendër të Athinës. Të arrestuarit janë: Afrikanë, grek, shqiptarë, bullgarë dhe rumunë.
Organizata kriminale ishte e ndarë në 7 nëngrupe dhe drejtohej nga një shqiptar, i cili jeton në Shqipëri. Poshtë tij ishin 4 shqiptarë të tjerë që drejtojnë degët e grupit kriminal.
7 të arrestuar të tjerë, nga këta 3 shqiptarë dhe 4 greke merreshin me kultivimin e kanabisit. 3 ishin përgjegjës për trafikimin e kanabisit në kufirin greko-shqiptar. 20 persona nga të cilat 17 shtetas shqiptarë merreshin me magazinimin. Mes të arrestuarve janë dhe 6 shqiptarë korrierë.
Nga kontrolli i 45 banesave, policia ka sekuestruar: 433 kg kanabis, 100 gr heroinë, si dhe shumë rrënjë kanabis në plantacione.
Gjithashtu janë sekuestruar 10 makina, një kamion dhe 2 motoçikleta. Policia greke thotë se, kjo organizatë ka futur në shtetin helen 1 ton e 235 kg kanabis, 1 kg dhe 600 gram kokainë dhe një gjysmë kilogram heroinë.

Artikulli paraprakVdekja e 17-vjeçarit në Vlorë, britma e mallkime ndaj Ramës
Artikulli tjetër“Klan” dhe “Top Channel”, viktima të Ramës, mashtrimet e turpshme me Merkel