Varfëria në zemër të Tiranës, qytetarët blejnë bukë veresije

Fehrideja është një grua mallakastriote rreth të 50-ave. Së bashku me të shoqin zotëron prej 12 vitesh një dyqan ushqimor në rrugën “Rrapo Hekali” në kryeqytet.
Kur hyn në dyqanin e Fehridesë, mbi banak në anën e majtë ku qëndron një kuti e vogël kartoni me banane, të zënë sytë një stivë me fletore të vjetra.
Kur e pyet Fehridenë nëse ka njerëz, të cilët psonisin në dyqanin e saj me listë, ajo tensionohet, por ka shumë për të folur.
“Nuk ka ndalur ndonjëherë ky fenomen. Edhe pse unë kam zënë mend e nuk jap më si më parë në ato shifra. Jam djegur e tani mezi po arrij të ushqej fëmijët e mi”, tregon Fehrideja për “Citizens Channel”.
Ndërsa i shoqi, me qetësi lëviz fletoret nga stiva (disa shumë të vjetra, fletë, fletë të grisura e shkarravitura, disa të reja).
“Ja këtu janë të gjithë ata që marrin bukë me listë. Këto fletore janë prej 12 vitesh. Në këto faqe numërohen 800,000 lekë (të reja) borxhe që njerëzit m’i kanë dhe unë nuk shpresoj më të m’i kthejnë”, thotë bashkëshorti i Fehridesë.
Ai tregon për “Citizens Channel” se kategoritë që marrin ushqime me listë në dyqanin e tij janë familjet që banojnë me qira, pensionistët dhe personat me ndihmë sociale. Borxhet që flenë në fletoret e dyqanit të Fehridesë prej 12 vitesh e që ata nuk shpresojnë se do t’u kthehen, janë nga personat që kanë banuar në lagje me qira dhe janë larguar.
“Ka shumë varfëri, prandaj mua më vjen keq dhe vazhdoj të toleroj ende. Nuk jap si më parë që më shkonte muaji 50,000 deri në 100 000 lekë, por deri në 7000–10000 jap. E kam ulur buxhetin që mund të jap ushqime borxh, e para, sepse kam frikë, e dyta, nuk mundem. Jam e detyruar të marr hua për vete për të paguar taksat, tatimet, për të bërë furnizimet. Sepse kur jap ushqime me listë, më duhet t‘i fus në arkë nga xhepi. Unë regjistroj në kasë çdo artikull”, thotë Fehrideja.
Nga një vëzhgim që ka bërë “Citizens Channel”, në kryeqytet në të paktën 20 dyqane që tregtojnë artikuj ushqimorë me pakicë, rezulton se fenomeni i blerjes së shportës ushqimore me listë vazhdon ende dhe nuk është tkurrur aspak.
Agimi është zotërues i një dyqani të vogël ushqimor. Ai ka jetuar prej vitesh në Greqi. Edhe Agimi mbi banak ka fletore të vjetra me shkarravina.
“Ja të heq pak emrat e të të tregoj se sa është lista e borxheve prej të paktën 5 vjetësh në dyqanin tim. 200 000 lekë më kanë dhe nuk di nëse do t‘i mbledh dot të gjitha. Ja, sot dikush më shleu 13 000 lekë. Edhe për çamçakëza vijnë prindërit për të blerë me listë”, thotë Agimi.
Tanimë dhe ai nga frika e ka reduktuar masën e parave që mund të japë ushqime veresije. “Tani jap vetëm bukë dhe ushqime tek njerëzit që me të vërtetë kanë nevoja bazike”, rrëfen Agimi për “Citizens Channel”, i demoralizuar për Shqipërinë e çdo dite.
Pronarët e dyqaneve të vogla ushqimore tregojnë se rreziku i falimentimit të tyre është çdo ditë prezent për arsye se njerëzit me të ardhura normale blejnë në supermarkete, taksat dhe tatimet janë rritur, gjobëvënia është një risk më vete dhe drejt dyqaneve të tyre shkojnë kryesisht ata që duan të marrin ushqime me listë.

E njëjta situatë vihet re edhe në rrethe

“Citizens Channel” zotëron një listë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ku pasqyrohen rreth 55 000 biznese të vogla (persona fizikë) që kanë mbyllur aktivitetin e tyre, pezulluar ose edhe kanë bërë kërkesë për çregjistrim biznesi sepse kanë falimentuar. Nga të cilat, rreth 5000 biznese ushtronin aktivitetin e shitjes me pakicë të artikujve ushqimorë. Bëhet fjalë për periudhën 2015-31 korrik 2017, periudhë në të cilën fushata e ashpër antiinformalitet në ekonomi ka dhënë efektet e saj.

Të dhënat në lidhje me varfërinë në Shqipëri janë kokëforta

Shqipëria renditet si vendi me shkallën më të lartë të varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Banka Botërore në raportin e saj për vitin 2016, vëren se gati gjysma e popullisë së Shqipërisë jeton në kushtet e varfërisë së moderuar.
45.5% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, citon raporti i Bankës Botërore. Kurse, vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë në nivele shumë herë më të ulëta të varfërisë, karahasuar me vendin tonë, po sipas të njëjtit raport.

Shkalla e varfërisë 2016 sipas Bankës Botërore

Shqipëri 45.5%
Maqedoni 30.7%
Mali i Zi 12.8%
Serbi 13.6%
Sipas Institutit shqiptar të Statistikave përqindja më e lartë e varfërisë në Shqipëri është në Qarkun e Kukësit me 22,5% dhe më e ulëta në Gjirokastër me 10,6%.

Çfarë thonë ekspertët?

Mateo Spaho mendon se arsyet e varfërisë në Shqipëri, veçse historike, kanë të bëjnë edhe me strukturën e popullsisë. “Në Shqipëri ka më shumë se 600 mijë pensionistë dhe duke marrë parasysh se pensioni mesatar nuk arrin 15 mijë lekë në muaj, si dhe pragu i varfërisë është në 5 dollarë dita, automatikisht pjesa më e madhe e kësaj kategorie sot është e varfër (afro 20% e popullsisë)”, thotë Mateo Spaho për “Citizens Channel”.
Ai e lidh varfërinë edhe me faktorin pronë. Sipas tij, struktura pronësore e tokës është ende e pasqaruar në Shqipëri dhe këto probleme ngadalësojnë ose ndalojnë ritmin e zhvillimit të aktiviteteve bujqësore. “Nuk duhet harruar se gati gjysma e popullsisë banon në fshat”, thotë ai.
Një mungesë historike, sipas Spahos, e një sistemi industrial jo konkurrues e ka bërë të pamundur krijimin e një shtrese punëtorësh me të ardhura të mesme dhe ka ngadalësuar krijimin e një klase të mesme dhe kjo përbën një problem të rëndësishëm për të.
“Një sistem kreditues problematik, burokratik, i paprirur drejt riskut nuk krediton mbi bazën e ideve dhe planeve, por mbi bazën e kolateraleve ekzistuese. Thënë ndryshe kush demonstron që është i pasur mund të marrë kredi, kështu që individët e varfër sado të përgatitur ngelen në varfëri”, argumenton Spaho për “Citizens Channel”.
Ndërsa eksperti tjetër në fushën e ekonomisë, Artan Gjergji gjykon se faktorët ekonomikë e socialë që krijojnë shtresëzim të popullatës bazuar në nivelin e të ardhurave kanë të bëjnë me: 1) Sjelljen normale të qytetarëve në shoqëri (që kanë të bëjnë me nivelin e shkollimit, investimin në kapitalin human, aftësitë dhe dhuntitë profesionale të njerëzve, mbështetja shoqërore dhe/apo shtetërore etj.), të cilët disa njerëz që kanë ditur t’i menaxhojmë me sukses u mundësojnë edhe një nivel më të lartë të ardhurash, ndërsa të tjerëve jo, si dhe 2) Faktorë jonormalë dhe abuzivë (që kanë të bëjnë me të ardhura nga burime të jashtëligjshme e vepra penale apo me përfitime të pamerituara si korrupsioni, pastrimi i parave, abuzimi me fondet publike apo çdo lloj veprimi tjetër që do të rriste nivelin e të ardhurave të një grupi shoqëror në mënyrë jonormale).
“Një kompleks i këtyre dy grupimeve e gërshetuar me karakteristikat e një vendi në zhvillim me institucione të dobëta e lehtësisht vulnerabël karshi korrupsionit sjell dhe shtresëzim të shoqërisë. Ndërkohë që shtrirja në kohë e këtij fenomeni e çon situatën në ekstrem drejt polarizimit të shoqërisë apo grupeve shoqërore sipas nivelit të të ardhurave”, thotë Artan Gjergji për “Citizens Channel”.
Nga ana tjetër, Ervin Bushati ekspert ekonomie në Partinë Socialiste, gjykon se, “në këtë qeverisje të ardhurat e disponueshme për banor kanë arritur në 580 mijë lekë ose më shumë se 16% krahasuar me vitin 2013. A janë të mjaftueshme të gjitha këto? Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi bërë mrekullira, por ama një gjë është e sigurt, sot qytetarët jetojnë më mirë, por e mira s’ka fund asnjëherë”.
Duke iu referuar klasave politike dhe doktrinave ekonomiko-sociale, Gjergji thotë se janë konsideruar si zgjidhje të situatës, ose ndërhyrja e shtetit me anë të mekanizmave fiskalë (tatim progresiv) apo shoqërorë (minimumi jetik, paga minimle etj.), ose vetë sensibilizimin e koporatave në drejtim të përgjegjësive sociale të shoqërisë (Corporate Social Responsability) duke u kërkuar atyre që me vullnetin e tyre të lirë t’i kthejnë shoqërisë në formën e mbështetjes sociale, apo investimeve një pjesë të të ardhurave që fitojnë.
Por sipas tij, edhe pse të dy këto fenomene synojnë të reduktojnë hendekun e barazisë mes shtresave të caktuara sociale në shoqëri, në të gjitha rastet është e pamundur që ky hendek të zhduket ndonjëherë. Por sipas tij, investimi tek kapitali human dhe edukimi, si dhe nxitja e sipërmarrjes private, e cila në anën tjetër me kapitalin e akumuluar zgjeron hapësirat e punëzënies në ekonomi duke rritur edhe mirëqenien e qytetarëve, është rruga më e mirë për këtë qëllim.
Ndërsa Mateo Spaho i referohet studimit të Avokatit të Popullit në lidhje me minimumin jetik. “Sipas studimit, minimumi jetik është rreth 17 mijë lekë në muaj, por në këtë situatë sot është rreth 45-50% e popullsisë dhe do të ishte e pamundur një ndërhyrje shtetërore asistenciale drejt këtyre kategorive. Është e këshillueshme një ndërhyrje indirekte që synon përmirësimin e klimës për të bërë biznes”, thotë Spaho.
Sipas tij si shembull do të ishte; reduktimi i burokracisë në institucionet shtetërore, ulja e taksave, çlirimi i tregut nga pushtetet oligarkike, hartimi i politikave zhvillimore në industri dhe aktiviteteve prodhuese, përfundimi i infrastrukturës rrugore dhe energjetike.
Ndërsa Bushati thotë se qeveria do të vazhdojë të punojë për uljen e varfërisë, nëpërmjet politikave të zhvillimit ekonomik, realizimit të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe arsim në përfitim e me përparësi të zonave dhe familjeve të varfra, shënjestrimit më të mirë të ndihmës ekonomike dhe zëvendësimit gradual të programeve të ndihmës me programe punësimi, në zonat urbane dhe rurale.

Si po e nxit varfërinë qeveria Rama

Oxfam, një nga institutet me prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike, e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë. Sipas raportit të publikuar një muaj më parë, në të cilin Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë. Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët. Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë. Ndërsa në 10-teshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj. Renditja e përpiluar nga Oxfam bazohet në tri kolona. Ato janë politikat e qeverive për sektorët kyç, politikat tatimore si dhe politikat e tregut të punës për të luftuar pabarazinë. Kollona e parë vlerëson shpenzimet e qeverisë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, si dhe transfertat për të varfrit. Oxfam nuk vlerëson vetëm sasinë e shpenzimeve, por edhe se kush i përfiton ato. Veçanërisht vitet e fundit, një pjesë e madhe e shpenzimeve publike në shëndetësi kanë shkuar drejtpërdrejt për një grusht kompanish koncesionare të lidhura me qeverinë, ndërkohë që shërbimi publik mjekësor mbetet në gjendje dramatike. Veç shpenzimeve, Oxfam vlerëson se qeveria shqiptare favorizon pabarazinë edhe me politikën e taksave, pasi takson më shumë të varfrit se sa të pasurit, ndërkohë që vendi ka një renditje më të mirë në politikat e tregut të punës. Qeveria shqiptare është akuzuar gjerësisht si një qeveri në shërbim të një grushti të ngushtë oligarkësh. Por nëse deri më sot akuzat kanë ardhur kryesisht nga lufta e brendshme politike, tashmë ato konfirmohen ndërkombëtarisht, nga një prej institucioneve me prestigjioze në fushën e ekonomisë. Thuajse të gjithë punonjësit në Shqipëri janë të keqpaguar dhe pjesa dërrmuese kanë vështirësi të përballojnë edhe nevojat më minimale të jetesës. Vetëm një numër shumë i vogël kanë të ardhura relativisht të larta që lejojnë një jetesë normale. Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se 99.5 për qind e punonjësve i kanë të ardhurat më të ulëta se sa 2 milionë lekë në vit dhe vetëm 0.5 për qind e tyre kanë një pagë mbi këtë nivel. E shprehur në numër kjo do të thotë se në Shqipëri janë vetëm 6 mijë punonjës që deklarojnë të ardhura nga paga më të larta se 2 milionë lekë në vit. Në total, sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria numëron rreth 1 milion e 667 mijë të punësuar. Numri i ulët i personave që kanë të ardhura nga mbi 2 milionë lekë në vit pasqyron nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të vendit.

Sabina Veizaj

Artikulli paraprakIsh-të përndjekurit politikë i shkruajnë ambasadorit amerikan për Ruçin
Artikulli tjetërKina, 3.3 miliardë euro në Ballkan, sytë nga BE