Ultimatumi nga Tropoja për Ramën: Largo urgjentisht forcat speciale!

Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj përmes një apeli publik i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj që të largojnë forcat speciale nga ky qytet, dhe të lirojnë po ashtu dhe të burgosurit politik.

Dushaj shprehet se tropojanët nuk u nënshtruan nga diktatura, dhe kjo nuk do të ndodhë as tani, pasi askush nga qytetarët nuk trembet nga dhuna policore.

Kujtojmë se 7 persona janë arrestuar nga ana e Policisë, për shkak të incidentevce që ndodhën të martën në Tropojë, në KZAZ-në nr. 9. Një grup i madh qytetarësh pasi thyen derën e pasme si dhe xhamat e Pallatit të Kulturës në “Bajram Curri” të Tropojës janë konfrontuar edhe me forcat e Policisë.

Postimi i plotë i Dushajt

Policia e qeverisë kriminale të “Rilindjes” së vdekur, si një herë e një kohë në diktaturën komuniste të etërve të tyre, që ditën e djeshme ka nisur një seri arrestimesh të qytetarëve të pafajshëm të Tropojës, që mbrojtën lirinë dhe demokracinë, që mbrojtën Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke ndihmuar Bashkinë Tropojë në lirimin e ambineteve të Muzeut Historik në qytetin e Bajram Currit, të zaptuara forcërisht në mënyrë antiligjore nga KZAZ.

Unë i bëj thirrje Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtorit të Policisë së Kuksit, Zef Laska, Shefit të Komisariatit të Tropojës, Nik Nikolla, të ndalojnë urgjentisht presionin dhe dhunimin e qytetarëve të Tropojës, të largojnë urgjentisht forcat speciale të ardhura nga Shkodra e Tirana për të ushtruar terror policor mbi qytetarët e pafajshëm të Tropojës dhe të lirojnë urgjentisht të arrestuarit politik që mbahen në Drejtorinë e Policisë në Kukës.

Metodat tuaja të diktaturës nuk trembin as edhe një tropojan. Tropojanët trima e të besës nuk arritët t’i nënshtroni në asnjë kohë, as në diktaturën komuniste, as në qeverisjen tuaj me banda, nuk i nënshtroi as dhuna e presioni, nuk arritët as t’i blini e as t’i përçani. Përkundrazi, ata ishin dhe janë përherë aty, përherë e më të fortë në betejën për liri dhe demokraci, për Shqipërinë si e gjithë Europa.

Zgjedhje në 30 Qershor nuk ka dhe nuk mund të ketë. Tropoja, kështjella e demokracisë nuk do pushtohet kurrë nga ushtria juaj e krimit.

Unë ju siguroj se Tropoja nuk harron, tropojanët nuk harrojnë dhe ju garantoj se dita e gjykimit sipas ligjit dhe moralit, për ju dhe krimet tuaja do vijë shumë shpejt. Fitore!

besnik dushaj

Artikulli paraprakDorëzohu!
Artikulli tjetërShkodra refuzon Ramën: Nuk ka asnjë shesh të lirë për…