UÇK në bankën e akuzës për krime, Kuvendi i Kosovës reagon

Kuvendi i Kosovës zhvilloi seancë të jashtëzakonshme me temën: “Mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së”.
Seanca u thirr nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit të dënimit ndaj pjesëtarëve të gjykuar në rastin e njohur si “Drenica 1 dhe 2”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-udhëheqës të UÇK-së, përkatësisht figura politike të PDK-së.
Rasti i fundit, sipas PDK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime”.
Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka deklaruar se nuk pajtohet me gjykime që si bazë kanë fakte të fabrikuara.
“Ne jemi të vetëdijshëm se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe për këtë pajtohemi të gjithë. Askush – nëse dëshmohet se ka bërë krime – nuk duhet të mos përgjigjet për veprat e kryera. Por, fjala dëshmi nënkupton dëshmi që të bindet jo vetëm avokati mbrojtës dhe pala akuzuese, por të binden të gjithë qytetarët, madje edhe i akuzuari dhe të pranojë shkeljet ligjore dhe të kërkojë falje. Fatkeqësisht, po ndodh e kundërta. Po ndodh e kundërta ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, tha Pajaziti.
Kurse Ismet Beqiri, shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë kundër gjenocidit serb. Beqiri ka bërë thirrje që situata të tilla të tejkalohen me qetësi, ngase, sipas tij, është proces i ndërtimit të shtetit ligjor.
“Jemi të vetëdijshëm se si shtet duhet të ndërtojmë institucione të pavarura. Sado që është e ndjeshme, situata të tilla duhet t’i tejkalojmë me qetësinë, largpamësinë dhe përkushtimin tonë për bërjen e shtetit ligjor. Organet duhet të jenë të pavarura e të përgjegjshme”, tha Beqiri.
Sidoqoftë, sapo filloi debati, u vërejtën polemika të ashpra, të cilat u kthyen kryesisht në adresë të PDK-së nga ana e deputetëve të partive opozitare.
Rexhep Selimi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka fajësuar deputetët që votuan Gjykatën Speciale, të cilët, sipas tij, votuan për dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Për çfarë vlera flasin ata deputetë që me veprime të tilla i shkelin këto vlera dhe i dënojnë paraprakisht këto vlera?! A nuk jeni ju deputetët e njëjtë që keni votuar edhe për amnistinë e kriminelëve serbë e sot vini këtu derdhni lotë krokodili? A nuk jeni ju që keni kërkuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it e tash po dilni e kundërshtoni vendimet e tyre?”.
“Nuk është rasti i parë, sikur po i njëjti grup ka bërë thirrje për rastin Kiçina. Kërkuan rezolutë e pastaj të njëjtit kërkuan të heqim dorë nga ajo rezolutë. Ju sot nuk keni të drejtë të flisni në emër të UÇK-së, nuk keni të drejtë të flisni në emër të atyre që i keni çuar në burg e atyre që i keni lënë edhe pa pensione”, tha Selimi.
Ndërkohë, deputeti nga radhët e partisë NISMA për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se legjislatura aktuale nuk ka moral të flasë për UÇK-në, e madje as t’i shkojë në mendje që të flasë për të.
“Ne sot kemi thirrur një seancë koti. Kjo seancë është e thirrur sa për t’ju hedhur hi syve qytetarëve dhe të palarat që i ka bërë ky Kuvend për t’u arsyetuar para qytetarëve. Ky Kuvend, veçanërisht kjo legjislaturë, nuk ka moral për të folur për UÇK-në. Është kjo legjislaturë që ka nxjerrë ligje e ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për të luftuar UÇK-në”, tha Berisha, duke kërkuar që presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet tradhtar i vendit me rezolutë.
Ndërkohë, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, tha se drejtësia në Kosovë nuk është marrë asnjëherë me gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë, por me atë që janë vetëm pretendime.
“E fituam një betejë me miqtë tanë, e sot po ndiqen ata më meritorët për çlirimin e vendit. Janë bërë dy dekada prej lirimit të Kosovës, menduam që u liruam, por kjo burgosje me dëshmi të paqena po del të jetë më e ashpër dhe me humbje të mëdha të UÇK-së”, tha Lekaj.
Pas thirrjes së kësaj seance janë shënuar edhe disa reagime nga shoqëria civile, duke e konsideruar atë si tendencë dhe përpjekje për ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë.

Deputetët mbrojnë luftën dhe akuzojnë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se edhe sot po të rrezikohet Kosova nga Serbia, prapë do t’i përgjigjej luftës. Kurse, Gjykatën Speciale do ta votonte edhe sot.
“Edhe sot po të rrezikohet Kosova nga Serbia do të luftoja, në luftë dëshiron me vdekë e nuk mundesh. E kam votuar Gjykatën Speciale sepse jam i bindur se i kisha lënë sherr fëmijëve të mi nëse nuk e kisha votuar. Le ta dinë miqtë e armiqtë, UÇK-ja ka luftuar për lirinë e popullit të vet, çka ka gabime ejani dëshmoni, dëshmoni për Kadri Veselin. Njerëz të këqinj që mendojnë vetëm qysh me ta fut edhe shkojnë”, tha ai.

Izmaku kërkon nga Donika të dijë pse është larguar nga AAK

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku para se të flasë për debatin për të cilët edhe ishin mbledhur dje në një seancë të jashtëzakonshme, kërkoi nga kolegia e saj, Donika Kadaj-Bujupi për të treguar se në cilësinë e cilës parti po flet.
“A mundesh me na kallzu në emër të cilës parti po flet AAK-së apo Vetëvendosje? Dhe a mundesh me na tregu pse ke ik nga AAK-ja, të kanë larguar apo?”, tha Izmaku.

Limaj: Kjo seancë po e dëmton shtetin

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se qeveritë e shteteve rajonale kanë angazhuar avokat për mbrojtjen e të akuzuarve në tribunalet e huaja, kurse në Kosovë, është turp se si sillet shteti ndaj themeleve të vet. Sipas tij, kjo seancë po e dëmton shtetin, sepse askush nuk thërret seancë pas vendimit të gjykatës. “Shteti dhe UÇK-ja, ka bërë shteti për vlerat, sot po flisni për emra, por askush nuk ka luftuar për pronat e veta e njerëzve tanë. A ka dërguar qeveria mbrojtjen e të akuzuarve si interes publik, a ka dërguar ndonjë avokat? Është turp sjellja e shtetit ndaj themelit të vet”, tha ai.
Ai ka lutur që mos të tentojnë të përdorin vuajtjet, padrejtësisë për poenta politikë.

Ismajli e quan Haxhiun të sëmurë mendor

Edhe pse deputeti Bekim Haxhiu gjatë fjalës së tij nuk ka përmendur emra kur tha se ushtarët e UÇK-së janë dënuar me shpifje të hartuara, ishte deputeti Fisnik Ismajli që reagoi ndaj tij. Ismajli duke e quajtur Haxhiun të sëmurë mendor tha se ai është dallaverxhi, rrenacak dhe se për këtë FIFA dhe UEFA e kanë larguar nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Por Haxhiu i tha se ai i ka fituar votat e qytetarëve të Kosovës, që ndërkohë dikush nga ulëset e opozitës tha se ato i ka vjedhur.
Ndaj kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që kërkoi nga kryeprokurori i Shtetit që t’i marrin parasysh këto akuza.
Ndërkohë deputetja Shqipe Pantina i tha Haxhiut se ndoshta do ta besonte dikush para se të dalin përgjimet e aferës “Pronto” ndërsa tash jo.

Haxhiu: Ushtarët e UÇK-së janë dënuar me shpifje

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka drejtuar akuza ndaj VV-së se kanë hartuar raporte kundër UÇK-së.
Haxhiu tha se shpifjet e kanë mbuluar të vërtetën e ushtarëve të pastër si liria e Kosovës.
“Jo vetëm vendimi, por i tërë procesi është i montuar, jo vetëm ky proces, por të gjitha ndaj ushtarëve të UÇK-së janë montuar dhe dorëzuar në EULEX. E kam thënë se EULEX e ka hequr në drejtësi”, tha Haxhiu.

Edhe Lista Serbe kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe ushtrisë

Lista Serbe nuk do të kthehet në Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës në rrethanat e krijuara politike, ka thënë zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviç. Si një zyrtar i lartë shtetëror i Kosovës, Branimir Stojanoviç, në një intervistë për seksionin në gjuhën serbe të Radios Evropa e Lirë, e bën të qartë se Lista Serbe mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të komunitetit serb.
Vendimin për bojkotimin e punës së institucioneve qendrore, ky subjekt politik që përfaqësohet me 11 deputetë në Kuvend, e mori nga momenti kur ligjvënësit votuan Ligjin për Trepçën dhe më pas atë për Investimet Strategjike.
Stojanoviç thotë se këto dy ligje nuk janë në interesin e serbëve, andaj edhe është marrë vendimi për braktisjen e institucioneve qendrore.
“Vendimi për miratimin e Ligjit për Trepçën nuk është në interesin e bashkësisë serbe dhe dikush është dashur ta mendonte këtë para se ta merrej vendimi. Po ashtu edhe Ligji për Investime Strategjike nuk është në interesin e serbëve dhe për këtë dikush është dashur të mendonte para se të vendosej”, thotë Stojanoviç.
Përfaqësuesit e kësaj Liste, vijon ai, u përgjigjen vetëm votuesve që i kanë zgjedhur, andaj edhe angazhohen për mbrojtjen e interesave të tyre.
Një hap tjetër që do të ndërmarrë Lista Serbe, sipas tij, është që t’i informojë institucionet në Bashkimin Evropian dhe qeveritë perëndimore me qëndrimet e këtij subjekti politik.
Në funksion të politikave të pavarura të Listës Serbe nga axhenda politike e qeverisë së Kosovës është vlerësuar edhe vizita e fundit e Stojanoviçit në Bruksel.
Por, ai mendon se problemi qëndron te fakti që axhenda e qeverisë së Kosovës nuk i përfshin interesat e serbëve të Kosovës.
“Ajo axhendë që nuk i përmban interesat e popullit serb dhe bashkësisë serbe, për ne nuk është axhendë relevante”, thekson Stojanoviç.
Tutje, Stojanoviç thotë se nëse institucionet e Kosovës nuk kanë dashur t’i konsultojnë 3 mijë punëtorë të Trepçës dhe menaxhmentin që ka punuar atje për 17 vjet, duke aluduar në pjesën e Trepçës që menaxhohet nga strukturat serbe, atëherë, sipas tij, si mund të pritej që Lista Serbe ta heshtë këtë fakt.
Ndërkaq, duke iu referuar ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si një proces që po zgjat më tepër se një vit për shkak të mospajtimeve politike, Stojanoviç konfirmon se Lista Serbe nuk do të kthehet në Kuvend nëse eventualisht do të shtrohet çështja e votimit.
“Është mëse e qartë se ka pak gjasa që të votohet në Kuvend kjo marrëveshje”, thotë Stojanoviç, duke rikujtuar se për demarkacionin nuk ka pajtim as te partitë shqiptare.
Në rrethanat e krijuara politike, Lista Serbe, sipas Stojanoviçit, nuk dëshiron të diskutojë fare me qeverinë e Kosovës as në lidhje me themelimin e Forcave të Armatosura.

Arton KONUSHEVCI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërSi po i transferon ministria studentët tek privati