Turqi: Fillon procesi kundër aktivistit gjerman, Steudtner

Në Stamboll fillon këtë të mërkurë procesi kundër aktivistit gjerman për të drejtat e njeriut, Peter Steudtner dhe 10 të akuzuarve të tjerë. Mes tyre edhe drejtoresha e Amnesty International për Turqinë, Idil Eser dhe kryetari i organizatës, Taner Kilic. Dhjetë vetë akuzohen për “mbështetje të një organizate terroriste”. Ndërsa Kilic duhet të përgjigjet për akuzën e anëtarësisë. Të akuzuarit rrezikohen nga 15 vite burg.
Kilic u arrestua në fillim të qershorit në Izmir, të tjerët në fillim të korrikut në një seminar të Stamboll. Arrestimi i aktivistëve të Amnesty International ndeshi në reagime të forta kritike ndërkombëtare. Qeveria gjermane e cilësoi arrestimin e Steudtner të pakuptueshëm dhe kërkon lirimin e tij. Pas këtij arrestimi ajo bëri të ditur orientimin e ri të politikës gjermane. Amnesty i hedh poshtë akuzat në aktpadi si të padrejta dhe poshtëruese.

Merkel takon bashkëshorten e Deniz Yücel
Peter Steudtner është njëri nga të paktën 11 gjermanët që ndërkohë qëndrojnë në burgjet turke për arsye politike. Këtu bën pjesë edhe korrespondenti i gazetës gjerman “Die Welt”, Deniz Yücel. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua të martën me bashkëshorten e tij. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert u shpreh, se Merkel ka folur me Dilek Mayatürk Yücel për gjendjen e Deniz Yücel në burg. Takimi u zhvillua në zyrën e Merkelit në Parlamentin gjerman. Yücel qëndron në paraburgim, kundër tij ende nuk është ngritur padia. Avokati i tij, Veysel Ok kritikoi faktin, se dosjet e Yücel mbahen të mbyllura dhe “për këtë arsye nuk e dimë ende, se çfarë hetimesh zhvillohen për të”.

Artikulli paraprakQeveria kurde ka ofruar “pezullimin” e rezultateve të referendumit
Artikulli tjetërPa vizë por me formular, në zonën Shengen