Tsipras: Ne do të ecim së shpejti me këmbët tona

Në panairin ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri grek, Alexis Tsipras deklaroi para përfaqësuesve të politikës dhe të ekonomisë: “Kriza në Greqi do të marrë fund përfundimisht në gusht 2018”. Pra, kur skadon programi ndërkombëtar i kredive për Greqinë.
Mesazhi i Tsipras: Ne do të ecim së shpejti me këmbët tona. Ai tha se specialistët dhe të shkolluarit do të kthehen sërish në Greqi dhe fillestarët në profesion do të mbështeten nga taksapaguesit. Qëllimi është të krijohen kushte në të cilat mund të lulëzojnë firmat start-up, turizmi, bujqësia dhe sektori dixhital. Ai foli për programe financimi në miliarda që do të përdoren në mënyrë specifike, si për mikrokredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto, theksoi Tsipras, kishin vuajtur më shumë nga kriza.
Në të vërtetë shifrat e fundit të japin shkas për shpresë. Në vitin 2016 Greqia pati një tepricë ekonomike prej 3,5% duke i kaluar kështu kërkesat e kreditorëve, si dhe një rënie me rreth 6% të nivelit të papunësisë, që tani është 21,7%.

Barrë e madhe taksash
Por Tsipras e di edhe pse Greqia është bërë falë reformave interesante për investitorët e huaj, prej tyre përfitojnë pak vetë. Prandaj ai kërkoi shanse të barabarta për të gjithë. Problem për shumë sipërmarrje greke përbën ende barra e rëndë e taksave dhe mungesa e transparencës në administratë.
Për këtë ankohet edhe Nikos Taloumis, një firmë e cila prodhon më tepër për tregun e jashtëm se sa në tregun grek, për shkak se ky është i dobët. Sipas tij problemi kryesor është se 63% e fitimeve të tij vjetore përfundojnë tek zyrat e taksave.
Ende në administratën greke mbretëron kaosi. Prej tij vuajnë kryesisht sipërmarrësit e pavarur dhe profesionistët e lirë, që përbëjnë një të tretën e taksapaguesve në Greqi. Kush punon si profesionist i lirë në Greqi shpenzon rreth 70% të të ardhurave për taksa dhe për sigurimin shëndetësor. Tsipras kishte premtuar reformimin e sistemit të taksave, por gjendja nuk ka ndryshuar, madje është keqësuar. “Problemi është se për shkak të gjendjes së Greqisë është e vështirë të parashikosh se sa të ardhura do të kesh vitin e ardhshëm”, thotë Tenia Menegaki. Problem sipas saj është edhe se ligjet ndryshojnë vazhdimisht dhe se sipërmarrjet e vogla dhe të mesme taksohen njëlloj si edhe koncernet e mëdha.

Artikulli paraprakJuncker: Europa është rikthyer sërish
Artikulli tjetërMediu jep alarmin për aleancat e Ramës në rajon