Mediu jep alarmin për aleancat e Ramës në rajon

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij në Parlament, ka vënë theksin në rrezikun që i kanoset Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit nga rreziku rus dhe ai serb.
Mediu theksoi se Rusia nuk i ka fshehur asnjëherë qëllimet e saj për të patur influencë mbi Ballkanin dhe tani po kërkon që të krijojë një zonë të sajën për t’iu kundërvënë NATO-s.

Reagimi i Mediut

Ka një kohë që politika serbe është bërë shumë aktive, shfaqet me nuanca europiane dhe nga ana ushtarake refuzon NATO-n, por nuk e fsheh bashkëpunimin e hapur me Rusinë, duke ndërtuar baza ushtarake ruse në territorin e saj dhe së fundi blerje të armatimit dhe pajisjeve e mjeteve ushtarake, të cilat tejkalojnë qëllimet mbrojtëse.
Rusia s’e ka fshehur qëllimin e saj, ajo e ka përcaktuar Ballkanin si backyard të tyre dhe padyshim Serbinë si rojtar të tij.
Që në vitin 2006-2007 Rusia ka qenë e ashpër me zgjerimin e NATO-s në Ballkan.
Në konferencën e sigurisë në Mynih në vitin 2006 Putin theksoi se: Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s përbën rrezik për sigurinë e Rusisë dhe interesat e saj.
Kroacia është vend anëtar i NATO-s njësoj si ne dhe përballë kësaj situate ka marrë masat e saj në pikëpamje ushtarake dhe të sigurisë. Kroatët nuk e kanë marrë antarësimin në NATO si një vendim politik, por si angazhim serioz në shërbim të interesit dhe sigurisë.
Ne jemi në drejtim krejt të kundërt me angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin prej samiteve të NATO-s, buxheti i mbrojtjes është historikisht më i ulëti.
Duke shprehur mbështetjen time për FA, duhet të theksoj, se duhet të kesh buxhet sipas detyrimeve që burojnë nga ky Parlament dhe NATO dhe pastaj t’i shpenzosh sipas kërkesave të NATO-s. Prandaj 2% është detyrim dhe angazhim për FA.
Siguria kombëtare është primare, përveç rreziqeve të përmendura nga qeveria, si ndryshimet klimatike, kërcënimet kibernetike, siguria energjetike, janë shumë më larg rrezikut real që është terrorizmi që është prezent edhe po strukturohet në Ballkan.
Asgjë mund të mos ndodhë, por dhe shumë mund të ndodhin duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në Ballkanin e paqëndrueshëm.
Situata nuk është si disa vite më parë në favor të shqiptarëve, përkundrazi.
Ballkani është kthyer në një rajon influencash gjeopolitike.
Marrëdhëniet ushtarake të Rusisë me Turqinë për herë të parë në këto vitet e fundit padyshim duhen parë me realizëm prej nesh.
Ideja e Rusisë për të krijuar një “buffer zone” në Ballkan me Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, është një skenar tashmë i mirëmenduar për t`ju kundërvënë NATO-s dhe vendeve anëtare të saj.
Mos të harrojmë ndërhyrjen e hapur të Rusisë në zgjedhjet në Malin e Zi, deri në skenarin e eliminimit fizik të Gjukanoviçit.

Artikulli paraprakTsipras: Ne do të ecim së shpejti me këmbët tona
Artikulli tjetërÇfarë fshihet pas lojës me radarët