Trump s’ndalet, tjetër fitore në Georgia e South Carolina

Demokratët në SHBA dështuan sërish në përpjekjen e tyre për ta shfrytëzuar popullaritetin e ulët të Presidentit të SHBA, Donald Trump tek zgjedhësit e republikanëve. Në dy zgjedhje që u bënë për të marrë mandate në zona që si traditë zgjedhin republikanët, në shtetet Georgia dhe South Carolina, fituan kandidatë të partisë në pushtet të Trumpit, siç rezultoi nga disa përllogaritje të stacioneve televizive amerikane.

Ndarja e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve nuk ndryshon
Në një garë të fortë në Georgia, Karen Handel fitoi kundër demokratit Jon Ossoff. Demokratët vërtet që qenë në gjendje të arrijnë një shtim historik të votave për ta, por nuk e arritën suksesin për të përfunduar në shumicë.
Në Karolinën e Jugut, favoriti republikan Ralph Norman siç pritej e ruajti epërsinë. Shumica e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve mbetet në këtë mënyrë e pandryshuar. Presidenti i SHBA, Trump u tregua i gëzuar dhe lëvdoi veçanërisht fitoren e Karen Handelit.
Zgjedhjet e pjesshme u bënë të nevojshme, pasi mbajtësi i deritashëm i mandatit në zonën e gjashtë elektorale të shtetit Georgia e dorëzoi mandatin e tij dhe avancoi si ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Donald Trumpit. Në South Carolina, Mick Mulvaney u largua nga Dhoma e Përfaqësuesve në qeveri.

Shumë rekord për fushatën elektorale
Pas votimeve në shtetet federale të Kansas dhe Montana, këto ishin zgjedhjet e treta dhe të katërta, në të cilat demokratët patën shpresa se do të depërtojnë në kështjellat e republikanëve, por nuk e arritën këtë synim.
Për të dyja partitë, e rëndësishme ishte para së gjithash zgjedhja e pjesshme në Georgia. Ajo u konsiderua si barometër për gjendjen, më tepër se pesë muaj pas ardhjes në post të Donald Trumpit. Republikanët dhe demokratët së bashku shpenzuan për këto zgjedhje 55 milionë dollarë – më shumë se ç’qe shpenzuar ndonjëherë më parë në një qark të vetëm elektoral.

Sondazhet gënjyen përsëri

Votuesit amerikanë në një shumicë të madhe thonë se nuk e miratojnë punën e Presidentit Donald Trump. Një sondazh i fundit i rrjetit “CBS News” tregon se miratimi për presidentin është në pikën më të ulët që nga fillimi i mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë pesë muaj më parë.
“CBS” njoftoi dje se miratimi për zotin Trump është tani në nivelin 36 për qind, nga 41 deri 53 për qind që ishte në fund të prillit. Sipas anketës, mosmiratimi për presidentin është 57 për qind.
Rezultatet e anketës janë të ngjashme me sondazhet e tjera të bëra kohët fundit, me një përjashtim të vetëm. Anketa e firmës Rasmussen Reports është më e favorshme për presidentin; javën e kaluar ajo e nxori miratimin për zotin Trump në nivelin 50 për qind, por të hënën kjo shifër ra në 48 për qind.
“CBS” thotë se vlerësimi në anketa për zotin Trump ka rënë për shkak të reagimit të tij ndaj hetimeve në shumë pista lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, hetime të cilat ai i ka quajtur “gjueti shtrigash”.
Në Kongres po zhvillohen paralelisht disa hetime për këtë çështje. Po ashtu prokurori i posaçëm, Robert Mueller, po zhvillon një hetim penal.

SHBA dhe ndarja e zonave zgjedhore

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka vendosur të shqyrtojë nëse ligjvënësit e shteteve mbështeten së tepërmi tek prirjet e tyre politike kur përcaktojnë kufijtë gjeografikë të distrikteve për zgjedhjet për Kongres, duke i dhënë vetes një avantazh të padrejtë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.
Gjykata më e lartë në vend tha të hënën se më vonë këtë vit do të shqyrtonte një mosmarrëveshje në shtetin Uiskonsin, ku ligjvënësit republikanë bënë ndarje të distrikteve që u dhanë atyre avantazh politik mbi demokratët.
Një panel me tre gjykatës, me një vendim 2-1, hodhi poshtë përcaktimin e kufijve të distrikeve nga republikanët, duke vendosur në favor të demokratëve që kundërshtonin ligjshmërinë e kufijve politikë. Gjykata më e ulët vendosi që distriktet duhet të rindahen në kohë për votimet e nëntorit të vitit që vjen.
Por shteti i Uiskonsit e apeloi vendimin, gjë që solli si rezultat marrjen në shqyrtim të mosmarrëveshjes nga Gjykata e Lartë.
Gjykata e Lartë ka marrë shpesh në shqyrtim çështjen nëse ndarjet e distrikteve për votimet kanë funksionuar në disavantazh të pakicave racore në përpjekje për të fituar përfaqësim në Kongres. Por gjykata rrallë ka shqyrtuar çështjen e ndarjeve të qëllimshme të distrikteve me prapavija partiake. Vendimet e marra në vitin 1986 dhe 2004 nuk ofruan udhëzime të qarta për kompetencat e ligjvënësve të shteteve për ndarjen politike të distrikteve zgjedhore.
Në Shtetet e Bashkuara, kufijtë politikë të distrikteve zakonisht ripërcaktohen çdo dhjetë vjet nga legjislaturat shtetërore pas regjistrimeve të fundit të popullsisë, ku çdonjëri nga 50 shtetet merr të paktën një vend në Dhomën e Përfaqësuesve dhe secila prej 435 vendeve është e ndarë përafërsisht me numër të barabartë popullsie.
Partitë politike që kanë kontrollin e legjislaturave shtetërore kanë në dorë përcaktimin e kufijve të zonave elektorale dhe shpeshherë përpiqen t’i vendosin ato në mënyrë të tillë që të kenë avantazh maksimal politik për zgjedhjen e kandidatëve të tyre. Pyetja për rastin në shtetin Uiskonsin është nëse republikanët përcaktuan ndarje të arsyeshme të distrikteve zgjedhore ose ishin të padrejtë ndaj rivalëve demokratë. Një vendim përfundimtar i Gjykatës së Lartë do të vendosë standarde për ndarjen e distrikteve zgjedhore në mbarë vendin.

Artikulli paraprakTrump, garanton mbrojtjen e Ukrainës
Artikulli tjetërINSTAT: Shifrat pse ekonomia është më keq se më 2015