Trump pyet Prokurorin: Pse nuk po heton “krimet” e Hillary?

Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe një nga këshilltarët e tij të ngushtë, thotë se është takuar me zyrtarët rusë katër herë gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar dhe pas saj. Por ai thotë se nuk ka bashkëpunuar në mënyrë sekrete me ta apo me ndonjë qeveri tjetër të huaj.
Të hënën, zoti Kushner botoi një deklaratë prej 11 faqesh përpara dëshmisë së tij me dyer të mbyllura në Komisionin e Zbulimit të Senatit. Sot ai pritet të dëshmojë para Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Të dy komisionet e Kongresit po hetojnë mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.
“Të dhënat dhe dokumentet që po jap do të tregojnë se kam pasur ndoshta katër kontakte me përfaqësues rusë nga mijëra të zhvilluara gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionit së pushtetit. Asnjë prej këtyre takimeve nuk pati ndonjë ndikim tek zgjedhjet apo që ia vlen të kujtohet në mënyrë të posaçme”, shkruante zoti Kushner.

Pamjet tregojnë mbërritjen e zoti Kushner në Capitol Hill

Më tej, zoti Kushner përshkruan disa takime të shkurtra me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ata diskutuan rreth një dëshire për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi. Por zoti Kushner mohoi njoftimet në shtyp se, ai dhe ambasadori Sergej Kislyak, kishin zhvilluar biseda të mëtejshme me telefon.
Pritet që komisionet e Kongresit të kërkojnë informacion lidhur me kontaktet e zotit Kushner me Rusinë, përfshirë takimin e zhvilluar në muajin qershor të vitit 2016 me një avokate ruse dhe persona të tjerë të lidhur me Moskën.

Fokusi tek hetimet për Rusinë
Hetuesit amerikanë janë fokusuar tek takimi i qershorit, që prej momentit kur djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., publikoi e-mail-e ku shprehte padurimin e tij për atë çfarë ai besonte se avokatja ruse do t’i ofronte: materiale që do të dëmtonin demokraten Hillary Klinton, kundërshtarja e zotit Trump në garën presidenciale.
Deklarata e zotit Kushner erdhi pasi presidenti Donald Trump sulmoi sërish nëpërmjet komentesh në Twitter hetimet ndaj Rusisë që po konsumojnë presidencën e tij.
Ai ngrinte pyetjen se, pse komisionet e Kongresit, hetuesit dhe prokurori i Përgjithshëm “i sulmuar nga të gjitha anët”, Jeff Sessions nuk po “hetojnë” rreth “krimeve të Klintonit dhe marrëdhënieve të saj me Rusinë”, siç shkruante ai.
Javën e kaluar zoti Trump kritikoi zotin Sessions për vendimin e tij për të mos qenë pjesë e hetimeve të Departamentit të Drejtësisë lidhur me Rusinë, gjë që çoi në emërimin e një Prokurori të Posaçëm të pavarur nga zëvendësi i zotit Sessions.
Ndërkohë zoti Trump e cilësoi demokratin kryesor të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff të pasinqertë dhe krejtësisht të njëanshëm lidhur me hetimet ndaj Rusisë, që kalon, siç shkruan Presidenti, gjithë kohën në televizion duke justifikuar humbjen e demokratëve.
Në një tjetër Twitter zoti Trump shkruan se, “pas një viti hetimesh që nuk gjeti asnjë provë” për bashkëpunim të fshehtë ndërmjet zyrtarëve të fushatës së tij dhe Rusisë, një udhëheqës i demokratëve në Senat, Charles Schumer duke iu referuar zgjedhjeve të vitit të kaluar thotë se: “demokratët duhet të fajësojnë veten dhe jo Rusinë”.
Sikurse dhe në të shkuarën, zoti Trump shprehu pakënaqësi ndaj atyre që i cilëson forca që bashkëpunojnë kundër tij në Uashington, përfshirë dhe disa media kryesore. Ai tha se shprehja e tij “të thajmë kënetën duhet të ndryshojë në: ‘të thajmë kanalin’. Sipas tij situata është në të vërtetë shumë më keq se çdokush ka menduar ndonjëherë dhe kjo nis me lajmet e rreme”.

Shtyhet dëshmia në Kongres e Donald Trump Jr. dhe Paul Manafort
Djali i madh i presidentit Donald Trump Jr., si dhe menaxheri i fushatës së tij, Paul Manafort, i cili gjithashtu mori pjesë në takimin e qershorit, ishin planifikuar të paraqiteshin këtë javë përpara Komisionit Gjyqësor të Senatit. Por kjo dëshmi u shty me mirëkuptim që ata t’i ofrojnë komisionit të dhëna dhe informacione të tjera.
Zoti Kushner tha në deklaratën e tij se, ndërsa ai ishte në takim në “Trump Tower” në Nju Jork, nuk u zhvillua asnjë diskutim lidhur me fushatën zgjedhore dhe se ai shumë “shpejt kuptoi se po shpenzonte kohë kot në këtë takim”.
Ndërsa hetimet ndaj Rusisë po shqyrtojnë tashmë edhe njerëzit më të afërt të zotit Trump, janë ngritur pyetje rreth kompetencave të Presidentit për të falur. Anëtarë të ekipi ligjor të zotit Trump vënë në dukje se Kushtetuta i jep Presidentit kompetenca të gjera faljeje, por këmbëngulin se çështja nuk është në diskutim.
“Ne nuk po hulumtojmë mbi të sepse çështja e faljes nuk është në diskutim”, tha një nga avokatët e Presidentit Jay Sekulow në programin televiziv “This Week” të televizionit “ABC”. “Nuk ka asgjë për të falur”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë këmbëngul se përqendrimi i medias tek hetimi mbi Rusinë po keqpërdoret.
“Tre janë çështjet kryesore që u interesojnë amerikanëve, emigracioni, kujdesi shëndetësor dhe vendet e punës. Tre janë çështjet që shqetësojnë mediat Rusia, Rusia dhe Rusia”, thotë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Ligjvënësit e të dy krahëve politikë kanë bërë gjithashtu komentet e tyre. Kryetari i Komisionit për Drejtësinë në Senat kërkoi zbardhjen e plotë të një përgjimi të ambasadorit të Rusisë kryer nga shërbimet e zbulimit amerikan. Ambasadori i jep Moskës informacion mbi bisedën e tij me prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions, një mbështetës i hershëm i Presidentit.
Ambasadori Kislyak njofton Moskën se kishte diskutuar me zotin Sessions mbi fushatën presidenciale të zotit Trump.
Ndërkohë, demokrati më i rëndësishëm në Komisionin e Senatit për Zbulimin, Mark Warner u shpreh kundër çdo synimi për falje nga ana e presidentit të atyre që janë nën hetim lidhur me çështjen e Rusisë.

Artikulli paraprakTrump kundër rebelëve në Siri
Artikulli tjetërRënia drastike e turizmit, vdekje dhe ndotje në bregdetin shqiptar