Trump nis udhëtimin në Evropë, aleatët ndihen nervozë

Vizita e presidentit Donald Trump, në katër vende Evropiane pritet me shqetësimin e aleatëve për dëmin që mund t’i shkaktojë ai aleancës shumëvjeçare të NATO-s. Ata janë të shqetësuar edhe për afrimin e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në takimin e Helsinkit.
Udhëtimi që fillon të martën në Bruksel, do ta çojë presidentin Trump edhe në Londër, ku qeveria e kryeministres Theresa May po përballët me telashe rreth planeve të saj për largimin nga Bashkimi Evropian.
Presidenti Trump po ushtron trysni mbi vendet e NATO-s që të përmbushin synimin për shpenzimin e 2 për qind të GDP-së në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024. Gjatë fushatës së tij presidenciale ai kishte lënë të kuptohet se mund të angazhohet për mbrojtjen e vetëm atyre vendeve të NATO-s që përmbushin detyrimet e tyre. Ai vazhdon të kritikojë vendet e NATO-s që nuk po paguajnë pjesën e tyre.
NATO-ja vlerëson se sipas ritmit aktual, 15 vende, apo më shumë se gjysma e tyre, do të përmbushin detyrimet e tyre deri më 2024.
“Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë se çdo vend tjetër për NATO-n. Kjo nuk është e drejtë, nuk është e pranueshme”, shkroi të hënën në tëitter presidenti Trump, duke ngulur këmbë se NATO-ja është në dobi të Evropës shumë më shumë sesa në dobi të Shteteve të Bashkuara.
” Vendet e NATO-s duhet të paguajnë më shumë, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë më pak” shkroi ai të martën.
Presidenti Trump, i cili krahasoi votën për BREXIT-in me zgjedhjen e tij, do të zhvillojë vizitën e parë në Britani në një periudhë të stuhishme për kryeministren May. Sekretari i Jashtëm Boris Johnson dhe sekretari për BREXIT-in, David Davis, dhanë dorëheqje njëri pas tjetrit brenda disa orëve, në shenjë proteste ndaj planeve të saj.
Vizita e presidentit Trump pritet të nxisë protesta të mëdha në Londër dhe pjesë të tjera të Britanisë.
Udhëtimi i tij njëjavësh në Evropë do të vazhdojë me një ndalesë në Skoci, para se të takohet në Helsinki me presidentin rus Putin, vendi i të cilit sipas përfundimeve të shërbimeve amerikane të zbulimit, kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar presidentin Trump.
Takimi do të ndiqet nga afër për të parë nëse presidenti Trump do të qortojë apo do të afrohet me Putinin, i cili në mënyrë të përsëritur ka mohuar akuzat për ndërhyrje gjatë zgjedhjeve, pavarësisht se provat flasin për të kundërtën.

Artikulli paraprak5 serbë të arrestuar në Kosovë për vepra kundër sigurisë, Serbia e quan provikim
Artikulli tjetërAplikacioni celular që shmang vetëvrasjen