Trump, garanti i Europës Lindore

Tensioni në Varshavë është në rritje: po vjen Trumpi. Nuk është hera e parë, që një president amerikan viziton Poloninë. Që nga koha e Richard Nixonit (1972) deri më sot ka pasur dhjetë vizita të këtij lloji. Edhe samite rajonale me Poloninë si vend organizator ka pasur mjaft. Por këtë të mërkurë dhe të enjte mblidhen të gjitha menjëherë: Donald Trump, i cili është në njëfarë mënyre presidenti krejt ndryshe i SHBA-së, takohet në Varshavë me dymbëdhjetë kryetarë shtetesh dhe qeverish nga vendet lindore të BE-së, që nga Estonia deri tek Bullgaria, si dhe Austria.
Qeveria Trump, siç njofton Shtëpia e Bardhë, do që të “ritheksojë detyrimin e palëkundur të Amerikës ndaj njërit prej aleatëve më të ngushtë europianë, si dhe që për administratën e SHBA-së ka prioritet forcimi i mbrojtjes kolektive të NATO-s”. Bëhet fjalë edhe për “vlera dhe interesa të përbashkëta dhe një lidhje të ngushtë me Europën Qendrore. Gjatë këtij prezantimi të parë në Europë, Trump do të mbajë një fjalim të rëndësishëm para një mase njerëzish në monumentin përkujtimor të kryengritjes së Varshavës.

Presidenti Duda: Nisma e tri detrave është prioriteti im
Një vizitë në Varshavë është për kreun amerikan të shtetit pothuajse gjithmonë si të ardhurit në shtëpi. Asnjëherë ndonjë vizitë në Varshavë nuk është pritur me demonstrata, përkundrazi ka pasur gjithmonë demonstrim të aleancës së kuptueshme historike amerikano-polake. Gjatë kësaj vizite, Polonia jo vetëm do të prezantohet si “vendi i lirisë”, siç preferojnë ta lëvdojnë atë gjithmonë presidentët amerikanë. Por këtë herë shtohet dhe fakti që Varshava prezantohet si organizatorja e takimit të nismës së tri detrave (“Three Seas Initiative”). Presidenti Andrzhej Duda e prezantoi këtë koncept në një fjalim programatik në konferencën GlobSec në Bratislavë.
Duda tha atje, se kjo nismë do të jetë një “ndër prioritetet” e presidencës së tij. “Polonia do të bashkëkontribuojë në një bashkësi rajonale në bashkësinë euroatlantike”, tha ai duke sqaruar, se Europa Qendrore “në mënyrë të vetëkuptueshme është mjedisi politik i Polonisë”. “Ndaj ne synojmë, që Europa Qendrore të jetë e sigurtë dhe koherente dhe ajo të zhvillohet ekonomikisht në mënyrë dinamike”.

Nisma nuk drejtohet kundër BE-së
Ashtu si bashkëpunimi i anëtarëve lindorë të NATO-s (Duda përmendi në këtë kontekst grupin e “nëntë vendeve të Bukureshtit”), duhet të funksionojë edhe ky grup brenda strukturave ekzistuese, pra brenda BE-së. Grupi ndërdetar nuk synon krijimin e ndonjë blloku apo të ndonjë politike të jashtme të veçantë, sigurojnë ekspertët e vendeve pjesëmarrëse.

Koncepti ndërtar dhe “Europa e re”
Megjithatë kjo nismë të kujton edhe disa të tjera nisma më të hershme. Njëri ndër më të vjetrit është koncepti “ndërdetar”, kur para luftës Polonia përpiqej të farkëtonte aleanca me vendet më të vogla duke u ndodhur vetë në situatën delikate mes Gjermanisë revizioniste dhe Bashkimit Sovjetik agresiv. Ndërdetare asokohe nënkuptonte hapësirën me influencë polake mes Detit Baltik dhe Detit të Zi. Ndërsa tani kjo hapësirë është zgjeruar deri në Adriatik, duke u bërë kështu nisma e tri detrave. Takimi i parë rajonal i këtij formacioni u zhvillua më 2016 në Kroaci.
Vizita e Trumpit zgjon edhe një kujtim tjetër: Kur më 2003 në luftën e Irakut SHBA-ja nisi me rrëzimin e Saddam Husseinit dhe kërkonte partnerë për “koalicionin e të vullnetshmëve”, në të krahas Britanisë së Madhe, Italisë e Spanjës morën pjesë edhe Polonia, Hungaria dhe Çekia. Anëtarët e rinj të NATO-s asokohe u pagëzuan si “Europa e re”.

“Europa e Re” një shtëpi e dytë për Presidentin amerikan

Sot në kushtet e ndryshuara, Trump has sërish tek “Europa e re”. Të paktën në Hungari e Poloni ai gjen qeveri, të cilat janë mjaft skeptike ndaj demokracisë liberale dhe “establishmentit”. Ndonëse sot shumë vende janë të shqetësuara për shkak të qëndrimit të Trumpit deri tani të paqartë kundrejt Rusisë dhe NATO-s, qeveria polake tregohet pozitive ndaj lojës së çuditshme të Trumpit.
Kësisoj ditët e ardhshme mund të konturohet një afrim mes SHBA-së nga njëra anë dhe “Europës së re” nga ana tjetër. Kësaj radhe kjo e përforcuar edhe nga dy faktorë: nga njëra anë furnizimet e para me gaz të lëngshëm nga Amerika në Poloni, që e lehtësojnë këtë të fundit nga varësia riskante politike prej gazit rus. Dhe nga ana tjetër nga prania për herë të parë e dukshme e trupave të aleancës në Poloni dhe në hapësirën e Baltikut.
Udhëtimi i Trumpit në Varshavë një ditë para samitit të G20-ës do të jetë një shprehje e qartë e mirënjohjes ndaj partnerit besnik të SHBA-së, Polonisë dhe vlerësohet si një simbol politik. Por rreziku, që pas kësaj Europa mund të duket edhe më e përçarë se tani, nuk është i dukshëm. Ndërsa për Trumpin vizita është një shans për të shijuar ndoshta një pritje me brohoritje në Europë – pikërisht atë që ai nuk mund ta marrë në Hamburg dhe në Europën Perëndimore.

Artikulli paraprakPa izolim nuk bëhet
Artikulli tjetërIdentiteti i azilkërkuesve mbetet i pasqaruar