Trump: Do të veprojmë edhe pa ndihmën e Kinës

“The Guardian”

Donald Trump i ka dhënë Kinës një ultimatum që nëse nuk i bën presion Koresë së Veriut për të frenuar programin bërthamor, Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të marrë veprime të njëanshme kundër Penjanit. “Epo, nëse Kina nuk ka ndërmend të zgjidhë problemin e Koresë së Veriut, do ta bëjmë ne”, tha presidenti gjatë një interviste për “Financial Times” që i ka alarmuar ekspertët në rajon.
Kur e pyetën se si kishte ndërmend të trajtonte çështjen e Koresë së Veriut, Trump tha: “Nuk do t’ua tregoj. Nuk jemi Shtetet e Bashkuara të së shkruarës që tregonim se ku do të sulmojmë në Lindjen e Mesme”. Trump do të presë presidentin kinez, Xi Jinping, këtë të enjte dhe të premte në hotelin Mar-a-Lago në Florida, ku dy liderët do të diskutojnë edhe çështjen e Koresë së Veriut, së bashku me ambiciet e Kinës në Detin e Kinës së Jugut dhe tregtinë. Ka edhe spekulime se Korea e Veriut mund të zhvillojë një test bërthamor pikërisht në ditët e takimit të tyre.
Trump tha se ka një respekt të madh për Xi dhe për Kinën në përgjithësi duke shtuar se: “Nuk do të çuditesha aspak nëse do të arrinim të bënim diçka tepër dramatike dhe të mirë për të dy vendet dhe pikërisht këtë shpresoj të arrijmë”. Për sa i përket Koresë së Veriut tha: “Kina ka një influencë të jashtëzakonshme mbi Korenë e Veriut dhe do të duhet të vendosë nëse do të na ndihmojë apo jo me të. Nëse e bën, kjo do të jetë shumë e mirë edhe për Kinën, por nëse nuk e bëjmë, nuk do të jetë diçka e mirë për askënd”. Kur e pyetën se çfarë mund ta motivonte Kinën që të ndihmojë synimin e Shteteve të Bashkuara, Trump tha: “Mendoj se tregtia do të jetë inçentiv shumë i mirë. Gjithçka ka të bëjë me tregtinë”.
Christopher Hill, ish-ambasadori amerikan në Korenë e Jugut, i cili ka drejtuar bisedimet gjashtëpalëshe lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut thotë se, Trump duhet të mendohet mirë para se të ndërmarrë hapa të njëanshëm kundër Penjanit. “Mundësitë për të zgjidhur krizën vetëm nuk janë shumë tërheqëse dhe i hapin rrugë ndërhyrjes ushtarake, gjë që mund të sjellë rreziqe të mëdha”, tha ai për “BBC”. Ai tha gjithashtu se Trump duhet të bëjë çmos për të arritur një marrëveshje të kënaqshme me presidentin kinez gjatë takimit.
Administrata Trump pati një fillim të tensionuar me Pekinin pas akuzave të presidentit se Kina ishte duke militarizuar Detin e Kinës së Jugut, se kishte manipuluar monedhën dhe kishte penguar përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Koresë së Veriut. Trump e ka zemëruar Pekinin edhe kur tha se do të ofronte më shumë mbështetje politike për Tajvanin – një ishull i pavarur demokrat që Kina e pretendon si territorin e saj.
Kina thuhet se ka zhvilluar një marrëdhënie mjaft të mirë me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, i cili luan rol qendror në administratën e re. Sipas “New York Times”, ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Cui Tiankai, ka diskutuar vazhdimisht draftet e deklaratave me Kushnerin që do të mbahen pas bisedimeve me Xi dhe Trump në Mar-a-Lago.
Vivian Zhan, profesoreshë politike në Universitetin kinez të Hong Kongut, thotë se bashkëpunimi i Kinës do të jetë thelbësor: “Nëse Shtetet e Bashkuara kërkojnë vërtet të ndërmarrin hapa të njëanshme kundër Koresë së Veriut, do të duhet t’i kishte bërë më parë, jo të kishte pritur që Korea të zhvillonte programin bërthamor deri në këtë pikë”, tha ajo. “Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta trajtojnë në mënyrë të njëanshme këtë çështje. Kina do të duhet të angazhohet patjetër”.
Ish-kreu i inteligjencës britanike, Richard Dearlove, tha se kërcënimi i Koresë së Veriut duhet të jetë një prioritet për administratën e Trumpit. Në një deklaratë përpara komenteve të fundit të Trumpit, ai tha: “Ndodhemi në mes të një krize me Korenë e Veriut. Ka vetëm një zgjidhje dhe është bashkëpunimi me Kinën”.
Në një tjetër bisedë, zëvendëskëshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, KT McFarland, tha se ekziston një “mundësi reale” që Korea e Veriut të zhvillojë aftësinë për të goditur Shtetet e Bashkuara me raketë bërthamore deri në fund të mandatit të parë të Trumpit, por ekspertët e inteligjencës nuk janë dakord me të dhe pretendojnë se Korea e Veriut nuk ka dhe nuk do të ketë në të ardhmen e afërt kapacitetin e nevojshëm për të arritur territorin e Shteteve të Bashkuara.

Artikulli paraprakOpozita e Venezuelës flet për grusht shteti
Artikulli tjetërKërdia me tenderat, 1.5 milionë euro për “dixhitalizimin” e pemëve, 1 milion euro për një studim