Kërdia me tenderat, 1.5 milionë euro për “dixhitalizimin” e pemëve, 1 milion euro për një studim

Me afrimin e fushatës zgjedhore, tendera miliona eurosh po shpallen nga ministritë me qëllim vjeljen e sa më shumë parave për blerje votash. Tendera me objekt prokurimi absurde, të hartuara shpejt e shpejt me qëllimin e vetëm zhvatjen e parave dhe përdorimin e tyre për blerjen e votave. Dy tendera të dyshimtë janë shpallur nga Ministria e Mjedisit me një objekt absurd prokurimi, por me shifra marramendëse, vlera e të cilëve shkon në 1 milion euro për vetëm një studim apo 1.5 milionë euro për “dixhitalizimin” e pemëve. Denoncimi është bërë dje nga kreu i Departamentit për Çështjet e Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, i cili ka publikuar tenderat përkatës, ndërsa ka hedhur dyshimet se cili është destinacioni real i këtyre parave. “1 milion euro për 1 studim?! 1.5 milionë euro të tjera për dixhitalizim pemësh? Ku shkojnë paratë? Vjedhje masive ditën për diell. Kanë mësuar nga Lamja, që bënte tendera dhe përlante miliona dollarë për fotografi të objekteve që i ka në sistem prej vitesh. Hani derra – pini derra!”, shkruan Jamarbër Malltezi. Ndërsa denoncon tenderin e parë në të cilin për vetëm një studim do të jepen 1 milion euro, Malltezi ndalet edhe tek tenderi i dytë, të cilin jo rastësisht e ka fituar kompania, e cila punon në ortakëri me kompaninë e Ilir Beqajt, Intech plus, e që është akuzuar se faktikisht paratë i merr Beqaj në emër të kësaj kompanie. “Tender nga Ministria e Mjedisit me objekt. ‘Hartim, studimi, identifikimi i burimeve të ndotjes në lumenjtë kryesorë të vendit dhe forcimi i kontrollit të ndotjes së lumenjve’, publikuar sot në Buletinin Nr.11, datë 20.03.2017, por i papublikuar në sistem!!! (PSE). Fitues: EMC STUDIO shpk – ENVIRONMENTAL MANAGEMENT CONSULTANTS shpk. Fondi limit: 95.000.000,00 lekë ose 950 mln lekë. Vlera e kontratës: 93.945.800,00 lekë ose 939 mln lekë pa TVSH ose 1 milion USD me TVSH”. Soft & Solution shpk ka përfituar 10 tendera (institucione të ndryshme) me vlerë 148.997.606,00 lekë ose 1 mld e 489 mln për 2015-2016. Pra, 1.1 mln euro. Nuk janë përfshirë tenderat e përfituara në vitin 2017. Në lidhje me tenderin e përfituar nga Fastech shpk (Beqaj) dhe Soft & Solution shpk si bashkim operatorësh, bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘Blerje sistemi elektronik i vrojtimit të pyjeve’, me vlerë 1 mln lekë (oferta më e ulët), publikuar më 29.04.2016. Bashkëlidhur formulari i njoftimit të fituesit. Në lidhje me tenderin me objekt ‘Pasaporta dixhitale për nevoja të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve’, në garë kanë marrë pjesë 4 operatorë, nga të cilët dy me ofertë 0, ‘ikubINFO’ me ofertë 79.387.110,00 lekë ose 588 mijë euro. Fitues Soft & Solution me vlerë 99.950.000,00 lekë ose 740 mijë euro. Fituese oferta më e lartë, me diferencë me ofertën më të ulët 20.562.890,00 lekë ose 152 mijë euro”, shkruan Malltezi në reagimin e tij. Kërdia me tendera bëhet në një kohë kur pushteti tashmë është përqendruar tek blerja masive e votave.

Të dhënat tronditëse, shpyllëzimi është shndërruar në biznes

Edhe pse qeveria shqiptare ka shpallur për dhjetë vjet moratoriumin në mbrojtje të pyjeve, duket se ai nuk po gjen zbatim. Nga një vëzhgim i “Monitor” në disa fshatra të rajonit të Korçës, si në Uji i Bardhë, Vithkuq apo edhe Shtyllë viheshin re ngarkesa të mëdha makinash me lëndë drusore kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe natës. Edhe pse gjatë akseve rrugore është vendosur sistem kamerash për mbikëqyrjen e rrugëve dhe kalimin e mjeteve, banorët që merren me prerjen e drurëve kanë gjetur një zgjidhje të zgjuar dhe i transportojnë ato përmes furgonëve të mbyllur, në mënyrë që të mos identifikohen. Megjithatë nuk mungojnë edhe rastet kur transporti i lëndëve drusore bëhet natën. Autoritetet shtetërore janë në dijeni të këtij trafiku të paligjshëm, madje e quajnë një situatë skandaloze, por shprehen se kjo kërkon angazhimin e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur parandalimin dhe ndëshkimin. Moratoriumi dhjetëvjeçar i pyjeve hyri në fuqi më 11 shkurt 2016. Gjatë vitit të kaluar nga Inspektorati i Pyjeve janë realizuar 8,204 inspektime ose 82.3% më shumë krahasuar me vitin 2015, kur janë realizuar 4,500 inspektime. Sipas të dhënave të doganave dhe të sjella nga Inspektorati i Pyjeve vetëm gjatë periudhës shkurt 2016-janar 2017, importi i lëndës drusore për përdorim të brendshëm u rrit me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, po t’u referohemi shifrave të importit, me mesataren e periudhës 2008-2012, rritja e importeve në vlerë monetare është rreth 60 herë më e madhe gjatë vitit 2016. Të dhënat zyrtare tregojnë se për periudhën janar-dhjetor 2016 në shkallë vendi janë prerë ilegalisht 18,703 drurë, me volum rreth 3593.6 m³ ose 36% më pak drurë krahasuar me vitin 2015 kur janë prerë ilegalisht 27.506 drurë, me volum rreth 5480m³. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2016 nga ISHMP në rang kombëtar janë mbajtur gjithsej 368 procesverbale për kundërvajtje në fondin pyjor, ku vlen të theksohet se për shkelje me pasoja të rënda në pyje, janë proceduar dhe dërguar për ndjekje penale 32 raste kallëzimesh ose 20% më pak krahasuar me 2015, çka tregon një ndërgjegjësim të qytetarëve për zbatimin e ligjit.

Artikulli paraprakTrump: Do të veprojmë edhe pa ndihmën e Kinës
Artikulli tjetërKandidati i Ramës në Kavajë një tjetër i dënuar në Itali?