Tritan Shehu: Çimkat në mbledhjen e PD, një turp

Deputeti i PD Tritan Shehu, ka komentuar mbledhjen e Kryesisë së PD, e cila një ditë më parë u shoqërua me debate dhe tensione, e teksa përgjime të këtyre momenteve kanë dalë edhe sot në media. Për Shehun, ata që kanë bërë përgjimet e debateve brenda Kryesisë kanë bërë një turp.
Statusi i Tritan Shehut:
Mbledhja e djeshme e Kryesisë së PD ishte një takim pune, ku u debatua, u diskutua, u rrahën mendime dhe u arritën konkluzione të rëndësishme me unaniminitet.
Debati, qoftë dhe me ngarkesa emocionale, nuk është “krim”, veçanërisht kur përfundimi është krejt pozitiv.
Kushdo që thotë të kundërtën për atë mbledhje nuk thotë të vërtetën!!
Ndërkaq po dëgjoj në media jo vetëm gënjeshtra, por edhe disa regjistrime audio të asaj mbledhjeje!!!
Cilindo që i ka realizuar ato, ka bërë një turp të vërtetë.
Jo se ato çfarë u thanë në mbledhje kanë ndonjë problem, absolutisht jo, por se kështu shfaqet një mentalitet e tentativë e shëmtuar “çimkash”!
Nqs kjo është realizuar me vendosje “çimkash” nga të jashtëm, gjë e mundshme; flet pikërisht për një veprim të inskenuar e ligjërisht të dënueshëm.
Nqs kjo është bërë nga dikush brenda mbledhjes, kjo flet për një nivel moral meskin të autorëve, që në fakt kështu meritojnë vetëm përbuzje.
Secili nga ne mund të mendojë siç gjykon vetë, por duhet të ketë guximin nqs dëshiron, që mbas mbledhjes të thërrasë gazetarët dhe t’u shfaqë hapur mendimet e tij.
Të regjistrosh nga brenda apo nga jashtë ato që diskutohen në një mbledhje të mbyllur kolegjesh e më tej veçanërisht t’i publikosh, duke i manipuluar ato, për të transformuar atë çfarë ndodhi aty, është shumë larg vlerave minimale njerëzore, morale, politike e bashkëpunuese.
Fjalët a mendimet tona nuk ka pse t’i publikojë ndokush si “skuth”; secili duhet të ketë guximin që ta bëjë vetë këtë nqs dëshiron, me figurë e zë, aq më shumë pa përdorur regjistrime “alla sigurim”.
Këtë duhet ta bëjë gjithsecili në politikë, ndryshe vetëm politikan nuk është …!

Artikulli paraprakBB: Shqipëria e Zvicra me reshjet më të shumta në Europë
Artikulli tjetërMë idiotja e të gjitha luftërave