Më idiotja e të gjitha luftërave

 

Lufta kundër së kaluarës është më e praktikuara, por edhe më idiotja e të gjitha luftërave. Është një formë luftimi, për më tepër asnjëherë e deklaruar, që propozohet për të copëzuar historinë, ta thjeshtojë, t’i çmontojë kompleksitetin, duke i bërë kështu ngjarjet në kohëra të hershme të adaptueshme me kategoritë dhe me nevojat e së tashmes. Një operacion i konceptuar për të ofruar forcë, prapatokë, dinjitet kontestimeve të sotme. Por pikërisht për këtë e destinuar që të shkaktojë dëme të pallogaritshme. Parasëgjithash atë të çarmatosjes së gjeneratave që duhet të jenë të gatshëm të përballojnë luftërat, fatkeqësisht jo metaforike, të së sotmes apo të së nesërmes.
Autori Philip Jenkins thekson se, «arsyeja më e mirë ta studiuar seriozisht historinë është se praktikisht të gjithë e përdorin të kaluarën në diskutimet e përditshme». Mëkat që, pikërisht pse përdoret në diskutimet e përditshme, në vend që të jetë objekt i asaj gjinie studimesh të paralajmëruar nga Jenkins, historia u nënshtrohet bombardimeve, deformimeve, falsifikimeve në kuptimin e vërtetë të fjalës, manipulimeve të përsëritura. Ky libër paraqitet për të qenë një antidot ndaj gjithë kësaj, si edhe të ofrojë spunto refleksioni që favorizojnë një proces paqtimi me historinë.
Lufta kundër të kaluarës është pikënisja. Lufta që prodhohet pikërisht në kohërat në të cilat zbulohet se, «asgjë nuk është më moderne sesa kujtesa». Sot, vëren Pierre Nora, akademik i Francës, si edhe mik i ngushtë i François Furet, kur pyeten francezët që të përmendin librat kryesorë të letërsisë kombëtare, nuk përmendin më ato të Balzac apo të Stendhal, por më shumë “Esetë” e Montaigne, “Rrëfimet” e Rousseau, “Kujtimet nga përtejvarrit” e Chateaubriand, “Në kërkim të kohës së humbur” të Proust. Të gjitha vepra të karakterizuara nga i njëjti dimension autobiografik dhe nga kërkimi konstant i një kujtese që flet në vetë të parë. Memorialisti është bërë padyshim figura më emblematike e epokës tonë. Kujtesa konsiderohet a «premtim i pranisë» i vetëm në dispozicionin tonë. Është nëpërmjet kujtesës që kërkojmë të pajtohemi me të kaluarën tonë, me botën që kemi humbur dhe me gjurmët misterioze që ruajnë sekretin e identitetit tonë. Dhe është kujtesa, ajo që në një farë kuptimi «e bën të tashmen të kuptueshme» dhe na mundëson të përgatisim të ardhmen. Në fakt jemi detyruar që të konfrontohemi me paaftësinë tonë në parashikimin e së ardhmes. Nuk jemi më në gjendje të dallojmë me saktësi atë që trashëgimtarët tanë do të duan të dijnë nga ne që të mund të na kuptojnë. Për këtë motiv ruajmë për të ardhshmit, në mënyrë skrupuloze dhe paksa të padallimtë, të gjitha gjurmët, të gjitha shenjat e mundshme materiale që do të dëshmojnë, për ta, atë që kemi qenë.
Burojnë një efekt akumulimi i madh, një përpjekje rindërtimi dokumentar dhe arkivor monumental, të ushqyera nga ndjesia e humbjes të një të kaluare që largohet dhe nga paparashikueshmëria e supozuar e së ardhmes. Në këtë mënyrë mund të shpjegojmë të gjitha tentativat e memorizimit të ethshëm që zhvillojmë sot, hipertrofinë e instrumentave dhe të institucioneve të kujtesës: nga muzeumet tek arkivat, nga bibliotekat tek koleksionet, nga kronologjitë tek databazat. E tashmja bëhet një formë e re e intelektualitetit tonë: kuptojmë vetëm nëpërmjet së tashmes, por një të tashmeje që bëhet menjëherë historike. Deri këtu Nora. Po lufta? James Hillman, tek “Një dashuri e tmerrshme për luftën”, ka nënvizuar se kujtesa zyrtare është e shkurtër. Provat e mizorisë dergjen në arkivat institucionalë, e megjithatë kujtesa e johumanitetit të luftës nuk venitet me kalimin e kohës. Vallëzon me fantazmat e saj. Më keq akoma, projektohet mbi të gjithë historinë.
Por ku çon kjo luftë kundër së kaluarës? Në ngatërrimin e ideve mbi të tashmen. Pikërisht ato ide të cilave do të donim t’i sqaronim. Alain Finkielkraut – me baba hebre të mbijetuar Auschwitz, nënë hebreje të cilës nazistët i kanë shfarosur të gjithë familjen në Poloni – vëren sesi pasi Marine Le Pen përjashtoi babain e saj nga Fronti National – të cilin ai e kishte themeluar në 1972 – në vijim të pohimeve mohuese për Holokaustin e tij, ka ndodhur një fakt i çuditshëm: e majya e ka sulmuar akoma më fort Le Pen. «Urrejtja antisemite nuk transmetohej nga babai tek vajza, por ky çaktivizim i virusit që do të duhej t’i gëzonte antifashistët i hidhte këta të fundit drejt zemërimit dhe frikës […] Ka rezultuar se gjëja që i terrorizonte më shumë, më shumë se fashizmi, ishte eventualiteti i zhdukjes së tij […] Deklarohen si progresistë, por janë idhtarë të së palëvizshmes: urrejnë të renë dhe besojnë me kokëfortësi të hekurt në kthimin e përjetshëm e orëve më të errëta të historisë tonë». Atyre u nevojitet që të ketë «një racist për ta denoncuar çdo javë. Antiracizmi është gjithmonë në gjueti të një preje të re».
Lufta me të kaluarën shkakton kështu një konfuzion në mendjet e njerëzve. Në prillin e 2015, Vittorio Gabbanini, kryebashkiaku (i PD-së) i San Miniato, ka hequr nga fasada e komunës «bazorelievet e mosmarrëveshjes». I pari, me një shprehje të historianit të letërsisë Luigi Russo, akuzonte nazistët për masakrën në Katedrale ku humbën jetën 55 persona dhe ishte vendosur në 1954, 10 vite pas masakrës. I dyti, i firmosur nga Presidenti Oscar Luigi Scalfaro dhe i vendosur në 2008, u referohej kërkimeve të mëvonshme historike, që ia atribuonin këta të vdekur zjarrit armik të amerikanëve. Protesta të së majtës ekstreme (përfshi trajnerin e futbollit Renzo Ulivieri, dëshmitar si fëmijë i kësaj masakre), që akuzon kryebashkiakun se dëshiron të «heqë Kujtesën».
Po pse i hapet luftë të kaluarës? Kryesisht, sepse kemi frikë se na rezervon surpriza. Pas Luftës së 6 Ditëve (qershor 1967) fillojnë në territoret e pushtuara prej Izraelit kërkime arkeologjike për të hetuar mbi të kaluarën e popullit hebre dhe verifikuar sesa ajo përkon me rrëfimin e Biblës. Por zhgënjimet janë të shumta. Muret e Xherikos që priftërinjtë i kishin rrëzuar për t’u dhënë frymë për t’u dhënë hapësirë vorbullave të ajrit nuk kanë ekzistuar kurrë. Qytetet e përshkruara nga tekstet e shenjta nuk qenë as të mëdha, as të fortifikuara dhe nuk kishin mure «që ngriheshin lart deri në qiell». Vetë Jeruzalemi ishte një qendër e vogël. «Kemi gjetur një sasi të madhe materiali që ka demonstro sesi në kohën e Davidit dhe Solomonit Jeruzalemi nuk ishte gjë tjetër veçse një fshat ku nuk kishte as një tempull qendror, as një pallat mbretëror», pohon studiuesi Zeev Herzog. Zona, vazhdon ai, «është gërmuar pothuajse e gjitha dhe gërmimet na kanë dhënë një sasi mbresëlënëse materialesh të periudhave para dhe pas Mbretërisë së Bashkuar të Davidit dhe Solomonit; por nga ajo periudhë nuk është gjetur asgjë, përveç ndonjë copëze qeramike; kështu që nuk kemi gjetur asgjë, pasi ndoshta kemi gërmuar në vendin e gabuar».
Sipas arkeologut, nuk ekzistojnë gjurmë lidhur me një kalim të shkretëtirës të hebrenjve të udhëhequr nga Moisiu. Përkundrazi, pohon Herzog, «këto gërmime na kanë zbuluar se izraelitët nuk kanë qenë kurrë në Egjipt, as nuk kishin udhëtuar kaluar në shkretëtirë, as nuk e kishin pushtuar ushtarakisht tokën për t’ua dhënë më pas 12 tribuve të Izraelit». Mbretëria e madhe e Davidit dhe Solomonit, që shkrimet e përshkruajnë si «kulmin e fuqisë politike, ushtarake dhe ekonomike të popullit të Izraelit», një mbretëri që sipas Librave të Mbretërve shtrihej nga brigjet e Eufratit deri në Gaza, sipas thënies së Herzog është «një konstruksion historiografik imagjinar». Nga gërmimet del se, «Davidi dhe Solomoni qenë krerë mbretërishë tribale që kontrollonin zona të vogla, Davidi në Hebron dhe Solomoni në Jeruzalem; njëkohësisht ishte formuar në kodrinat e Samarias një mbretëri e veçantë». Tamam kështu: «Izraeli dhe Samaria kanë qenë nga fillimi dy mbretëri të veçanta dhe nganjëherë edhe kundërshtare».
Pastaj, e kaluara nuk është njëlloj për të gjithë. Në shkurt të 2015, qeveria belge informon Këshillin Europian se do të emetojë një monedhë 2 euroshe për të përkujtuar 200-vjetorin e betejës së Waterloo, në të cilën u mund përfundimisht Napoleon Bonaparti. Mbretëria e Bashkuar, që megjithëse nuk aderon në zonën euro, e përshëndet iniciativën. Por pak ditë më pas, me 5 mars, Ministria e Thesarit e Parisit bën me dije se, «kjo monedhë ka gjasa që të shkaktojë reagime jo të pëlqyeshme në Francë» dhe se «qarkullimi i kësaj monedhe do të përfaqësonte një simbol negativ për një pjesë të popullsisë europiane dhe se kjo mund të paragjykonte përpjekjet e qeverive të zonës euro për të forcuar unitetin rreth monedhës së përbashkët». Belgjika u detyruar që të bëjë prapakthehu.
Edhe përdorimi i termave nuk është identik për secilin prej nesh. Guido Ceronetti është lëshuar kundër fjalës «nazifashizëm», sipas tij i quajtur «një eufemizëm politik i patolerueshëm». «Nazifashizmi nënvizon inekzistenten», shkruante Ceronetti. Të nënvizosh «emërtueshmërinë është shkatërrim i identitit historik». Nga momenti që «baza e historicizueshme e fjalës është nacionalsocializëm, reduktimi nazizëm e zvetënon». Tmerri për lëvizjen «është spostuar nga fjala e gjata tek shkurtimi, edhe pse të mos bëjë të shpifur, as në këtë kontekst, socializmin aspak të pafajshëm». Rruga e eufemizmave është ndër më të deformuarat: «Eufemofonia maniakale arrin në gabime mizore si fjala nazifashizëm, sipas të cilës Italia do të rezultonte e çliruar më 25 prill të 1945 nga një regjim i pamundur nacionalsocialist dhe nga një version fashist republikan, gjithsesi i përshtirë, që është e vetmja gjë që na përket […] Saktësia e do që të thuhet se Italia është çliruar nga pushtimi gjerman (1943–1945) dhe nga një regjim dordolec fashist i një Mussolini groggy, që askush, nën terrorin gjerman, nuk e ndjente të pranishëm».
Është një spërdredhje historiografike e barsur me ndarje për ta konsideruar të kaluarën si diçka të përcaktuar, edhe vetëm në vija të përgjithshme, një herë e përgjithmonë. Për shembull, konsiderimi i Kongresit të Vjenës ekskluzivisht si moment fillimi i Restaurimit ka shkaktuar konflikte gjatë gjithë ‘800. Megjithatë, sot është demonstruar gjerësisht sesa është i gabuar vizioni vetëm në prizmin restaurues të atij konsensusi që, midis nëntorit 1814 dhe qershorit 1815, caktoi asetet e Europës për të gjithë shekullin në vazhdim. Sipas studimeve të fundit (të shikohet, për shembull, Brian Vick “The Congress of Vienna: Power and Politics after Napoleon”) në atë seli u kërkua dhe u gjet një «konsensus i matur midis liberalëve të moderuar dhe konservatorëve reformistë, për të ruajtur popujt nga eksperimente të rrezikshme radikale». Një perspektivë interesante për rikonsiderimin e ‘800. Të paktën për gjysmën e parë të shekullit.
Nëqoftëse duam të jemi në paqe me të kaluarën, duhet të jemi të gatshëm që të rishikojmë diçka të rëndësishme, edhe pjesë të kujtesës kolektive me të cilat jemi lidhur. Për shembull, pa u hequr asgjë gjykimit pozitiv mbi aksionet e tyre, tani historianët përpiqen që të rikonsiderojnë kuptimin e disa iniciativave të partizanëve komunistë francezë (edhe të atyre italianë). Tek “Një tragjedi e jetuar. Skena lufte civile”, Tzvetan Todorov merret me ditët e qershorit 1944 që pasuan zbarkimin në Normandi. Më 6 qershor, duke mos ju përmbajtur direktivave pritëse të dhëna nga Gjenerali de Gaulle, partizanët komunistë pushtuan fshatin Saint-Armand, shpartallojnë milicët e qeverisë së Vichy dhe shumë i marrin peng, bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre. Më 8 qershor, një repart parashutistësh të Wehrmacht e rimerr fshatin e vogël dhe shkatërron duke marrë rob të mbijetuarit. Pastaj, si raprezalje prej dorëzimit të munguar të partizanëve komunistë, kapin 36 hebrenj dhe i vrasin në afërsi të lokalitetit Guerry. Një «vetëvrasje e paramenduar» ajo e komunistëve, të funksion të fitimit të pozicioneve për objektivin final të çlirimit. «Krijimi i planifikuar i martirit», ka vërejtur Eugenio di Rienzo, «shpesh është konsideruar si arma më e fortë e çdo konflikti të brendshëm, kur natyrisht kush vendos ta përdorë e kush vdes nuk janë i njëjti person». Drejtuesit e Partisë Komuniste franceze «nuk mendonin seriozisht se partizanët qenë në gjendje t’i mundnin forcat e rregullta gjermane, e megjithatë në komunikatat e tyre shpallnin nevojën se preferonin vdekjen në luftime ndaj ardhjes së forcave anglo–amerikane». Gjë që do të ndihmonte të kuptoheshin disa mëri të mëpasme, edhe të anës antifashiste.
Por nuk mjafton. Për këtë vepër paqtimi me historinë duhet të jemi të gatshëm edhe për një rishikim – pozitivisht apo negativisht – të të mëdhenjve të së kaluarës. Personazhe që mund – bile, duhet – të jenë objekt i një rishqyrtimi të vazhdueshëm. Edhe këtu po japim vetëm një shembull. Historiani Jean-Christian Petitfils, autor i “Le siècle de Louis XIV”, ka vërejtur sesi Mbreti Diell pëlqentë «paradat ushtarake, lavdinë, rrethimet, luftën e ngadaltë e madhështore, në të cilën gjithsesi merrte rreziqe të kufizuara». Për shembull, ishte «tepër e matur», sa të rrezikonte reputacionin në një përplasje të armatosur. Gjatë luftës së Holandës, në majin e 1677, në afërsi të Valenciennes, e kishte fitoren në pëllëmbë të dorës. Mund të mbështetej mbi forca më të mëdha në numër sesa armiku, mbi një artileri të shkëlqyer dhe mbi një kalorësi të sprovuar. Por, pavarësisht se në këtë drejtim e shtynë marshallët e tij, refuzoi që të hidhej në një betejë të hapur Vilhelmit të Oranzhit, në drejtimin e Provincave të Bashkuara. Ja një «defekt» i këtij sovrani që mund të nxirret në pah pa u dashur të modifikohet gjykimi për personin e tij.
Në fakt është me vend që të shtyhesh deri sa të ndërgjegjësohesh se, nganjëherë edhe ajo që e konsiderojmë si «ana e drejtë» e stërgjyshëve tanë ka kryer akte të turpshme. Si djegia e librave. Një shembull e tregon Massimo Bucciantini tek “Campo dei Fiori. Historia e një monumenti të mallkuar”: Me dy janar të 1865 në Napoli, ku kishte selinë universiteti, i konsideruar në atë kohë çerdhe hegeliansëh dhe brunianësh, u inauguruan 4 statuja njerëzish të shquar të rajonit Campania: Tommaso d’Aquino, Pietro della Vigna, Giambattista Vico dhe Giordano Bruno. Pothuajse një muaj më parë, Piu i IX-të kishte botuar enciklikën “Quanta cura”, që përmbante një apendiks 80 klauzolat e Sillabo, në të cilat refuzohej në bllok çdo ide modernizmi, përfshi ato të katolicizmit liberal. Mëngjesin e 7 janarit, fiks në orën 12 të drekës, një grup i madh studentësh u gjend në këmbët e statujës së Giordano Bruno dhe i vuri zjarrin Sillabo.
Për të shmangur përsëritjen e gabimeve që kanë shkaktuar konflikte të përgjakshme duhet të individualizohen, me kurajo, hapat falë edhe të intelektualëve të mëdhenj. Që do të mbesin të mëdhenj edhe kur do të mësohet për gabimet e tyre. Për shembull ai i George Byron. Kur punëtori Ned Ludd kërkoi të bllokojë progresin, duke shkatërruar me vare një telaio gjatë trazirave të 1779, shumë mendimtarë theksuan se po vepronte nga ana e vetë progresit. Manifestime të ndjekësve Ludd u zhvilluan akoma midis viteve 1811 e 1816, kohë kur Parlamenti britanik revokoi një ligj të vitit 1551 që ndalonte përdorimin e tezgjahëve të përpunimit të leshit. Qeveria britanike përdori më pas 12000 ushtarakë dhe revolta u shtyp. Por pak përpara se të vdiste, në vitin 1824, Byron mbajti një diskutim në Dhomën e Lordëve në mbështetje të ludistëve dhe të tezës sipas të cilës teknologjia do të krijonte papunësi. Gabohej. Siç e ka treguar gjerësisht Robert C. Allen tek “revolucioni industrial anglez”, ai diskutim i Byron qe vërtet i pakuptimtë, nga momenti që me novatorizmin teknik u rritën në mënyrë marramendëse si prodhueshmëria, ashtu edhe rrogat.
Kështu, paqtimi me të kaluarën na imponon që të njohim gabimet e çfarëdo pale dhe sidomos të mos shkojmë e të kërkojmë në histori begraunde të perspektivave të politikës të kohës së tashme. Për shembull, a mund të konsiderohet Karli i Madh babai i Europës? Sipas Jacques Le Goff, jo: «Është e vërtetë se bashkoi në planin ushtarak dhe administrativ një pjesë të madhe të kontinentit tonë, por nuk e kishte as vetëdijen minimale të asaj që do të ishte Europa […] Duke u kurorëzuar nga Papa, Karli i Madh nuk shikonte nga e ardhmja, por nga e kaluara. Më shumë sesa të krijonte një qytetërim të ardhshëm, donte që të rilindte qytetërimin e lashtë romak, duke i rianimuar falë kristianizmit». Ideali europian do të lindë shumë shekuj më vonë, në atë të XV-të, kur Papa Piu i II-të do të shkruajë në latinisht traktatin “De Europa”, «në faqet e të cilit Europa imponohet si një ide e tashme dhe një e ardhme e dëshirueshme».
Kur ndërthuren ngjarje politike dhe fetare është jashtëzakonisht e vështirë të dish të kuptosh e ta dallosh në gjykimin e së kaluarës. Në rastin e Karlit të Madh, ashtu si në atë të Junipero Serra, jezuitit të lindur më 1713 në Mallorca, që pasi u transferua në kontinentin amerikan në ‘700 kishte ungjillizuar Kaliforninë. Gjon Pali i II-të në 1988 e kishte lumturuar dhe Papa Françesku në shtatorin e 2015, në përfundim të udhëtimit në Kubë, e ka shpallur shenjtor. I indinjuar, Valentin Lopez, kreu i tribùsë Amah Matsun, ka deklaruar: «Duke shenjtëruar Junipero Serra, Papa miraton dhe deri celebron përdorimin e burgosjes dhe të torturës për të konvertuar në kristianizëm indianët e Kalifornisë». Sipas Ron Andrade të American Indian Commission të Los Angeles, Serra transformoi misionet në kampe përqendrimi; si pasojë e veprës së tij, indigjenët u shfarosën, duke kaluar nga 300000 që qenë në mesin e ‘700 në 100000 që numëroheshin në 1850. Shenjtërimi i tij do të ishte ekuivalent me «celebrimin e një genocidi». Papa Françesku mohon dhe thekson se qe vetëm një ungjillizues i madh. Më shumë se 3 shekuj largësi, është ende e pamundur të përpunohet një gjykim i kthjellët mbi ato ngjarje?
Në të vërtetë është shpesh retrodatimi i gjykimeve tona historike, ai që provokon luftë me të kaluarën. Le të mendohet, për shembull, problemi i vështirë i prapambetjes së Jugut italian. Në fund të Mesjetës, Siçilia ishte motori ekonomik i Italisë, prodhuese e grurit dhe e lëndëve të para të domosdoshme për mbijetesën e Veriut. Tek “Mbretëritë e Mesdheut perëndimor nga 1200 në 1500”, David Abulafia i përmbys termat e çështjes jugore. Autorit, Docent i Historisë së Mesdheut në Canbgridge University, konsiderohet një prej studiuesve më të mëdhenj të Italisë Mesjetare. Me imazhin e një Jugu pak të zhvilluar, pasi arkaik dhe i lidhur me tokën, dhe një Veriu të pasur në biznes e në kulturë, që i korrespondon pakashumë asaj që ka ndodhur në shekujt e fundit, Abulafia nënvizon se ta «retrodatosh» (pikërisht) këtë ndarje Veri – Jug në shekujt e XIII-të dhe të XIV-të është një gabim i rëndë historik, një provë se paragjykimet kulturore bashkëkohore mund të errësojnë edhe vizionin e ekspertëve mirëdashës. Jugu i kësaj periudhe është në realitet mjaft i pasur, prodhon sasira të mëdha ushqimi që janë të domosdoshme për mbijetesën e rajoneve veriore.
Tregtia midis Veriut dhe Jugut të Italisë është e lulëzuar dhe rajonet veriore varen nga Jugu për furnizimin me ushqim dhe lëndë të para. Tregtarët e Veriut duhet të shkojnë në Campania e në Siçili për të siguruar pambuk dhe mëndafsh. E shikojmë të kaluarën me sytë e banorëve të shekullit të XX-të dhe për ne prodhimi bujqësor është më pak i rëndësishëm se shkëmbimet financiare, por në atë periudhë arat dhe prodhimi i lëndëve të para luanin një rol themelor në jetën e shoqërisë. Atëhere kur duhet të ketë filluar hendeku ekonomik midis Veriut dhe Jugut? Në shekujt e XVI-të e të XVII-të, kur Italia Jugore dhe Siçilia ranë nën dominimin spanjoll, i përqendruar sidomos rreth një shfrytëzimi kolonial të këtyre territoreve. Spanjollët qenë të interesuar të nxirrnin nga Jugu grurin dhe lëndët e para më shumë sesa të promovonin jetën ekonomike dhe kulturore të rajonit, që mbeti kështu tokë latifondesh, e banuar nga fshatarë mjaft të varfër. Veç kësaj, nuk u hodhën kurrë farërat për themelimin e qyteteve, siç ndodhi në fakt në Veri.
Por akti i parë dhe më i përhapur i luftës konsiston në rishpikjen tout court të së kaluarës. Tek “Shpikja e kryqëzatave”, mesjetaristi anglez Christopher Tyerman denoncon për shembull «vesin e shikimit të kryqëzatave nëpërmjert filtrit të mendjes dhe kulturës tënde». Dhe demonstron sesi – të paktën në shekullin e parë të asaj epopeje, atë të XII-të (ekspeditat për çlirimin e Varrit të Shenjtë nisën në 1096) – nuk kishte asgjë nga ajo që e kemi zakon ta quajmë «ide kryqëzate». Qe vetëm me Papën Innocenzo i III-të, në 1198, që ideja e kryqëzatës u formësua për t’u përdorur disa dekada më pas (1208), kundër albigjezëve. Qe gjithmonë Innocenzo, në 1215, që fiksoi listën e privilegjeve të dhëna «luftës së shenjtë». Kryqëzata «mori formë juridike përfundimtare vetëm kur tashmë shpresat për ta ripushtuar Jeruzalemin qenë braktisur» dhe u propagandua sidomos midis shekullit të XV-të e të XVIII-të kundër turqve osmanllinj. Qe në Europën e vonshme mesjetare dhe protomoderne, shkruan Tyerman, që u ndërtua një «kulturë e kryqëzatave», kulturë që nga dimensionet e së drejtës kaloi në ato të letërsisë, të muzikës, të arteve dhe me propagandën që e vuri në kontakt me ndjenjën e përbashkët të popullit. Tyerman është sarkastik ndaj katolicizmit të majtë, që nga njëra anë i konsideron kryqëzatat si «një prej mëkateve më të mëdha të historisë së Kishës» dhe në fakte duatroket teologjinë e çlirimit që «u përmbahet pikërisht të njëjtave burime nga të cilat ajo “dhunë e shenjtë” ishte ushqyer».
Manipulimi dhe falsifikimi janë armët më të rëndomta me të cilat luftohet kjo luftë me të kaluarën. Edhe pse të përdorura me qëllime fisnike. Në këtë pikë pyesim nëse është paqëtuese pasja e ndonjë doze simpatie me fushën që është objekt i studimeve tona. Lidhur me revolucionin francez, Alphonse Aulard shkroi se, «për ta kuptuar, duhet ta dashurosh». Haim Burstin pranon se ai i Aulard mund të konsiderohet një «formulim në pamje të parë i diskutueshëm», ama shton se «çdo subjekt investigimi historik do të kërkonte nga ana e studiuesit një nivel të caktuar simpatie, për të shmangur një qasje të tharë astetike» dhe thekson «nevojën e vendosjes së një raporti simpati ose, të paktën, jo përçmues, kundrejt një fenomeni kaq kontradiktor dhe njëherazi përfshirës». Burstin pohon edhe se historitë që nuk «kultivojnë simpati» dhe ushqehen në fakt me «retroprojektime ideologjike apo politike», nuk janë të kota, përkundrazi mund të jenë shumë stimuluese; por pasi «përpiqen pakashumë në mënyrë implicite t’u shpjegojnë njerëzve të së kaluarës se çfarë duhej e çfarë nuk duhej bërë», prodhojnë «një efekt normativ që ndeshet pamëshirshëm kundër kompleksitetit të fenomenit, pa arritur që ta shpjegojë». Më mirë të abstenohet nga njëra ndjenjë dhe nga tjetra. Për t’ju shmangur çdo tundimi lufte me të kaluarën, ia vlen që të shikohet nga kjo me ndonjë vetëimponim të një doze të mirë patrazueshmërie.

Nga libri i Paolo Mieli me titull “Në luftë me të kaluarën. Falsifikimet e historisë

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakTritan Shehu: Çimkat në mbledhjen e PD, një turp
Artikulli tjetërKartelet meksikane dhe kërkesa amerikane