Tre lajme shumë të rëndësishme nga Washington-i për Rajonin

Nga Red VARAKU

Qëndrimi i ri amerikan në raport me Kinën, i cili u shpall nga Sekretari Amerikan i Shtetit në qendrën Richard Nixon, presidentit amerikan që e hapi Perëndimin për Kinën , duket se po ridimensionon të gjitha aleancat në të gjithë botën. Strikt në këtë kuadër duhet parë edhe marrëveshja, e cila u arrit dje e cila prodhoi tre lajme shumë të rëndësishme për rajonin.

Së pari, lajmin që SHBA-të nuk do të pranojnë kurrë një marrëveshje në kurriz të shqiptarëve. Varrosja përfundimisht e një ndër projekteve më anti-shqiptare, siç ishte ai i ndarjes territoriale të Kosovës, duke i dhënë fund një ankthi dhe frike ,i cili po i torturonte shqiptarët prej dy vjetësh, dēshmon vullnetin e pandryshuar amerikan, që kurrë nuk do të ketë paqe në kurriz të shqiptarëve.

Kjo marrëveshje rrëzon përfundimisht spekulimin që projekti i ndarjes së Kosovës kishte “mbështetjen e administratës Trump“, që ishte dhe teza bazë përmes së cilës interpretohej djallëzisht çdo ndryshim politik në trojet shqiptare.

Ky “konspiracion” ushqente tinëzisht dhe propagandën kēndej kufirit, ku Rama shikohej si i pamposhtur, pikërisht sepse ishte kthyer në partnerin kryesor të SHBA-ve dhe administratës Trump. Sipas po të njëjtës kuzhinë, prej këtij projekti, amerikanët ia kishin transferuar udhëheqësinë e Ballkanit Serbisë ( kjo me kërkesë të Moskës) duke defaktorizuar kështu rolin e shqiptarëve në rajon.

Por, fatmirësisht e gjitha kjo marrëzi e mori pērgjigjen e prerë dje nga Washington. E vërteta është ajo që është thënë dhe stërthënë deri tani. Projekti i ndarjes së Kosovës nuk mbështetet nga SHBA. Ai është dhe mbetet një projekt ruso-kinez, i mbështetur dhe nga Soros, ndërsa Edi Rama dhe Hashim Thaçi u bënë me vullnet të lirë partnerë të serbëve në projektin për ndarjen e Kosovës.

Këtë të vërtetë e dëshmojnë të gjithë aktorët e përfshirë në arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë deklaroi Bolton, i cili tha që ky projekt nuk ka dalë nga SHBA, por është një dakortësi e udhëheqësve të vendeve përkatëse. Këtë ka thënë dhe stërthënë Richard Grennell, i cili e ka përsëritur faktin që SHBA në asnjë rrethanë nuk mbështet ndarjen territoriale të Kosovës

Këtë ka deklaruar edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, e cila e akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se u bë partner i serbëve në projektin për ndarjen e Kosovës.

Gjithsesi, pas marrëveshjes së djeshme e vërteta që amerikanët nuk mbështesin ndarjen e Kosovës nuk ka më asnjë dyshim dhe është e qartë si drita e diellit. Kjo e vërtetë u vulos dhe tashmë edhe më naivët e kanë të qartë që SHBA-të nuk mundet kurrë të poshtërojnë shqiptarët dhe të trafikojnë gjakun e derdhur për Kosovën.

Lajmi i dytë i rëndësishëm është rikthimi i vëmendjes dhe pranisë së SHBA-ve në rajon nëpërmjet garancisë për realizimin e kësaj marrëveshje dhe realizimin e minischengen-it, por kjo e fundit jo më si projekt ruso-kinez apo si presion ndaj Kosovës për ndarjen e saj, siç po spekulohet.

Ky rikthim largon përfundimisht nga Ballkani faktorë të tjerë destabilizues kryesisht atë rus dhe kinez, duke rifaktorizuar rolin e shqiptarëve që tashmë përfaqësohen në tre shtete pikërisht për shkak të investimit amerikan.

Realizimi i një marrëveshje historike të normalizimit ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, me kumbar aleatin më të madh të shqiptarëve, SHBA-të, për të cilin çuditësisht pati shumë nga ata që u habitën, edhe pse i dërguari special i Trump, Richard Grennell e pati paralajmëruar, është një hap shumë i rëndësishëm, sepse i paraprin njohjes reciproke dhe është gjithashtu një hap tjetër drejt mirëqenies së rajonit dhe integrimit në BE të të gjithë ballkanit perëndimor.

Nuk e di se si e kanë menduar këta “të irrituarit” marrëveshjen për një normalizim ekonomik midis dy vendeve. Sigurisht, nëse nuk do të ishte garancia amerikane në mes kjo marrëveshje nuk do të kishte asnjë vlerë, aq më tepër kur në rajon duke shfrytëzuar mungesën e pranisë amerikane, kinezët ishin investuar nëpërmjet një “tricky diplomacy” në Serbi, Bosnjë dhe në Malin e Zi.

Ndërsa lajmi i tretë i madh është vendimi i Presidentit Vuçiç për t’iu bashkuar aleancës së madhe perëndimore kundër Kinës, të cilës i prin SHBA dhe Izraeli, ku nëpërmjet dakortësisë për refuzimin e rrjetit kinez 5G, ai bëhet pjesë e shteteve që refuzojnë bashkëpunimin me Kinën, duke “çliruar” kështu rajonin nga nga ndikimi i Kinës.

Kjo sepse Beogradi për shkak të aleancës me Kinën, nëpërmjet investimeve të Bankës Shtetërore Kineze dhe projektit kinez të “Rrugës së Mëndafshit”, po kthehej në portën kryesore të hyrjes së mallrave kineze në Europë. Bllokimi i kësaj “porte” për Kinën është një zhvillim shumë i rëndësishëm për rajonin dhe një goditje jo e vogël për ambiciet e Serbisë në rajon.

Pra, në Washington ndodhi pikërisht ajo që të gjithë kërkonim, rrëzimi i projektit për ndarjen e Kosovës, normalizimi ekonomik i rajonit nëpërmjet investimeve amerikane, rikthimi i SHBA-ve në rajon si kumbar i paqes midis shqiptarëve dhe serbëve dhe shkëputja e Serbisë nga aleanca me Kinën dhe Rusinë. Të gjitha këto shtrojnë rrugën drejt normalizimit të ballkanit perëndimor dhe integrimit të tij në BE gjë që do t’i jepte fund agonisë shekullore të këtij rajoni.

Artikulli paraprak“143 shkolla gati në shtator”/ Si mashtroi Rama! Boçi: 400 nxënës të dy shkollave të shembura nga tërmeti në Shijak mësim me 4 turne
Artikulli tjetërBarcelona nuk guxon të reagojë pas “bombës” që lëshoi Messi