Thyhet trau i doganës, kamioni me 700 kg drogë në port gati për në Itali

Një kamion me 700 kg lëndë narkotike kanabis sativa gati për në Itali është bllokuar mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit. Nga informacionet e para mësohet se, lënda narkotike do nisej për në shtetin fqinj, Itali. Droga është futur në port nën hundën e policisë, por është pikasur nga punonjësit e sigurisë së portit. Lënda narkotike e llojit kanabis, ishte fshehur në një kamion me targa AA 283 MZ. Mësohet se, kamioni ishte nisur nga kryeqyteti dhe ishte i ngarkuar me mobilje. Policia e Durrësit ka ndaluar shoferin e kamionit. Trageti ku do hipte kamioni do nisej për në Bari.
Ky është një rast i veçuar që ndalohet kamioni me drogë gati për t’u nisur në Itali. Janë me dhjetëra raste që droga ka kaluar drejt Italisë nëpërmjet Portit të Durrësit me dijeninë e policisë, por më pas është bllokuar nga policia italiane në shtetin fqinj.
Prej kohësh, Italia ka dhënë alarmin për trafikun e drogës që kalon nga Shqipëria, ndërsa kohët e fundit krahas drogës po dërgohen drejt Italisë edhe armë. Alarmi është dhënë edhe nga mediat italiane, por ky trafik nuk ndalet. Ngarkesa e bllokuar në Portin e Barit ka kaluar pa më të voglin problem nga Porti i Durrësit, i cili kontrollohet tërësisht nga klani kriminal i Tahirit dhe Ramës në polici. Ndonëse në port dhe në të gjitha pikat kufitare ka forca të shumta të policisë, droga dhe armët kalojnë pa asnjë problem drejt Italisë.
Para pak kohësh, policia italiane sekuestroi 1.2 ton drogë, armë dhe tritol të futur nga Porti i Durrësit dhe ku u arrestuan 8 persona. Vetëm, pasi ka mbërritur në Bari, ngarkesa me drogë dhe armë është zbuluar nga Policia italiane. Ky trafik droge nga Shqipëria ka tronditur mbarë vendet europiane. Situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi tashmë pjesë e trafikut të paligjshëm, të biznesit kriminal të drogës janë bërë dhe armët.

Artikulli paraprakTë shtëna me armë në Tiranë dhe Elbasan, rendi jashtë kontrollit
Artikulli tjetërProkuroria: Sekuestro pallateve të drogës me vlerë 10 milionë euro