Prokuroria: Sekuestro pallateve të drogës me vlerë 10 milionë euro

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të bëjë sekuestrimin e pronave, aseteve të kompanive të ndryshme ndërtuese dhe llogaritë bankare të të arrestuarve në operacionin e koduar “Ballkan”. Bëhet e ditur se, prokurori Eugen Beci në zbatim të ligjit “Antimafia” do të sekuestrojë të gjitha pronat që figurojnë në emër të tre ndërtuesve tashmë të arrestuar si financues të rrjetit të trafikut të drogës, bashkëpunëtorëve të tyre dhe 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim. Burimet thonë se është kërkuar nga Hipotekat, bankat e nivelit të dytë dhe Qendra e Regjistrimit të Bizneseve të evidentojnë pronat dhe pasuritë e tre ndërtuesve, Jurgen Molla, Shyqyri Kotorri dhe Anesti Koromani, tashmë të arrestuar. Sipas akuzës, të tre ndërtuesit nga verifikimet paraprake rezultojnë pronarë të disa pallateve dhe komplekseve të ndërtuara në zonën e Kasharit, Yzberishtit, Unazën e Madhe dhe në Dajt.
Të gjithë këto prona do të sekuestrohen, pasi dyshohet se janë ndërtuar me paratë e ardhura nga trafiku i drogës. Nga sekuestrimi, thonë prokurorët do të shpëtojnë vetëm ato apartamente që janë blerë nga qytetarë të ndryshëm dhe që disponojnë një kontratë premtimi apo blerje. Këto kontrata do të verifikohen dhe për të mos shkaktuar një problem social, hetuesit thonë se ato apartamente nuk do të bllokohen, por vetëm pjesa e pashitur e këtyre ndërtimeve.
Nga ana tjetër, paratë që tre ndërtuesit disponojnë në llogaritë e tyre bankare dhe pjesëtarëve të familjes do të sekuestrohen deri në një vendim tjetër. Sekuestrimit nuk do t’i shpëtojë edhe hoteli i njohur në zonën e Vlorës i shtetasit Nuredin Nazeraj. Gjithashtu në sitën e ligjit antimafia do të kalojnë edhe pronat e pasuritë e të arrestuarve Lulzim Qorri dhe Denis Sinameta.
Sipas akuzës, për llogari të kësaj dosje janë arrestuar në Shqipëri 14 persona dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës, Turqi-Greqi-Bullgari-Serbi-Maqedoni-Kosovë dhe Shqipëri. Ky grup, sipas Prokurorisë, blinte lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë në Turqi e Greqi dhe e dërgonte në formë kompensimi marijuanë.
Prokuroria pohon se nga hetimi i këtij rrjeti, që prej vitit 2015 janë identifikuar tre episode të trafikut të drogës, në të cilin krerët e organizatës, pasi kanë kryer takime për ngarkesat e heroinës dhe hashashit kanë dërguar si garanci me njerëz të besuar edhe shuma të konsiderueshme prej 230 mijë eurosh.
Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda njohu me masën “arrest me burg” 7 të dyshuarit si pjesëtarë të një grupi trafiku droge, të arrestuar gjatë një operacioni ndërkombëtar i shtrirë në disa vende. Tre nga të arrestuarit, Jurgen Molla, Shyqyri Kotorri dhe Anesti Koromani, njëkohësisht biznesmenë, shihen si krerët që financonin trafikun e drogës.

Artikulli paraprakThyhet trau i doganës, kamioni me 700 kg drogë në port gati për në Itali
Artikulli tjetërDyshimi, Shkopeti një varrezë ujore kufomash dhe njerëzish