Të shtëna me armë në Tiranë dhe Elbasan, rendi jashtë kontrollit

Disa të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur dje në mesditë rreth orës 13:20 pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se kishte parë një person që qëlloi me armë tip pistoletë pranë shkollës, i cili më pas ishte larguar përmes pallateve. Fatmirësisht nga të shtënat e armës nuk ka patur persona të lënduar, por frika dhe paniku ka përfshirë qytetarët që ndodheshin aty pranë.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, pasi është njoftuar nga banorët e lagjes, por pa mundur të zbulojë dhe arrestojë autorin. Nuk dihen shkaqet e të shtënave me armë, por ka dyshime se autori ka tentuar të vrasë një qytetar. Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim për këtë ngjarje të rëndë. Para pak ditësh një tjetër përplasje me armë ndodhi në Tiranë në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Persona të panjohur për policinë hapën zjarr me armë, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende.
Qyteti i Elbasanit është tronditur sërish mbrëmjen e djeshme nga të shtënat me armë zjarri. Nga të dhënat e para mësohet se, policia ka tentuar të arrestojë disa persona të dyshuar për krime. Gjatë arrestimit ka pasur shkëmbim zjarri me armë. Ende nuk ka asnjë njoftim nga policia për këtë ngjarje.

Artikulli paraprakZbardhet denoncimi i Rohrabacher për Ramën: Pastrim parash me foton
Artikulli tjetërThyhet trau i doganës, kamioni me 700 kg drogë në port gati për në Itali