“The Daily Caller”: Rama shkeli ligjet amerikane

“The Daily Caller” e ka akuzuar Edi Ramën se në mënyrë të paligjshme ka financuar Partinë Demokratike të Presidentit Obama përmes një biznesmeni shqiptaro-amerikan për të siguruar një foto me Presidentin më 8 tetor 2012. Akti Federal i Fushatës Zgjedhore në SHBA, FECA, ndalon të huajt që të kontribuojnë apo të shpenzojnë para, në zgjedhjet federale, shtetërore apo lokale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Mirëpo, “The Daily Caller” hodhi dyshime se, Rama kishte anashkaluar kufizimet për të huajt për të financuar kandidatët në zgjedhjet amerikane, duke dhuruar donacione përmes biznesmenit Bilal Shehu nga Nju Xhersi.
Ky shtetas dha kontribute të mëdha në Komitetin Nacional Demokratik, DNC, dhe në fondin e fushatës së Obamës para se Rama të takohej me Presidentin e SHBA në vitin 2012. Të dhënat e FEC tregojnë se, Shehu dhe gruaja e tij, Aida, kontribuuan me 80,000 dollarë në Partinë Demokratike të SHBA mes 28 gushtit dhe 26 tetorit, 2012. 38,300 dollarë shkuan direkt në “Services Corporation” të DNC, fuqia për mbledhjen e fondeve që qëndron pas Partisë Demokratike, dhe pjesa tjetër u shpërnda mes fondeve të fushatës për Presidentin Obama dhe kapituj të ndryshme shtetërore.
Një fotografi e postuar në Facebook nga Shehu me Presidentin Obama e tregon atë të marrë pjesë në një takim të planifikuar për mbledhje fondesh për fushatën e Presidentit në San Francisko më 8 tetor 2012. Një fotografi e postuar në internet tregon se, Shehu u takua në të njëjtën ditë edhe me Edi Ramën, i cili më pas publikoi edhe ai një foto në të njëjtin aktivitet me Presidentin Obama.
Bilal Shehu, pronar i Eliot dhe Kleri LLC, pagoi një shumë të konsiderueshme për fushatën e Presidentit Obama, edhe pse kjo ishte jashtë mundësive financiare të tij. Për këtë arsye, ai ka pranuar se paratë i janë siguruar nga një shtetas i huaj, që sipas të gjitha rrethanave është Kryeministri Edi Rama.
Deklarata e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve, thekson se Bilal Shehu ka pranuar se më herët gjatë tetorit 2012 kishte fluturuar në San Fransisko në përpjekje për të siguruar një hyrje në eventin për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj, të cilit i ishte ndaluar hyrja por që i ishte mundësuar gjithsesi një foto me Presidentin Barack Obama.
Rezulton e provuar se në aktivitetin e tetorit 2012, Edi Rama, në atë kohë Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Presidentin Obamën. Për këtë arsye, Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se, fotoja e Ramës me Presidentin Obama, që është realizuar në aktivitetin për të cilin bën fjalë njoftimi i Departamentit të Drejtësisë, u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Presidentit të SHBA-ve gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri.

Artikulli paraprakShuhet piktori i shquar Vilson Kilica
Artikulli tjetërFBI kërkon marrjen në pyetje të Ramës