Shuhet piktori i shquar Vilson Kilica

Ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare një nga baballarët e pikturës shqiptare, “Piktori i Popullit” Vilson Kilica. Piktori i shquar u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm pas një sëmundjeje të rëndë, por la pas një vepër të madhe për artin shqiptar.
Kilica ishte ndër krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare dhe kontributi i tij është i pazëvendësueshëm. Mbi 100 vepra të Vilson Kilicës janë ekspozuar në vende të ndryshme të botës e shumë të tjera në institucione brenda vendit.
Krijimet e tij fillojnë nga viti 1950 e deri në ditët tona sidomos për periudhën e gjatë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Mbas studimeve në Akademinë e Artit në Leningrad, Vilson Kilica kthehet në atdhe për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe artin shqiptar. Me personin e tij lidhet krijimi i Akademisë së Arteve. Si drejtori i parë i kësaj Akademie, Vilson Kilica ka pasur rolin kryesor si organizator dhe përpilues i strukturës pedagogjike.
40 vepra të piktorit janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe një pjesë tjetër e punimeve të tij i përkasin fondit të Galerisë së Arteve në Fier.
I pasur me veprat e tij është edhe koleksioni i familjes, ndërsa më shumë se 100 vepra të tij ndodhen në koleksione private në Itali, SHBA, Gjermani, Francë, Greqi, Spanjë, Norvegji, etj.
Vilson Kilica është bashkautor i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar. Kilica u përcill dje për në banesën e fundit nga miq, të afërm, familjarë e personalitete të ndryshme të kulturës dhe artit në vend.

Artikulli paraprakGrabitja në Rinas, reagon “Raiffeisen Bank”
Artikulli tjetër“The Daily Caller”: Rama shkeli ligjet amerikane