Thaçi i zhgënjyer me ndërkombëtarët rreth Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur dyshime rreth drejtësisë që mund të vendosë Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë.
Këto qëndrime, Thaçi i ka shprehur gjatë prezantimit të raportit për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë.
“Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se “shqiptarëve po u rritet pakënaqësia, ndërsa serbëve dhe Serbisë po u rritet entuziazmi”.
Thaçi ka potencuar faktin se, kjo Gjykatë po shihet me shumë rezerva nga shqiptarët, pasi që do të merret vetëm me hetimin dhe gjykimin e rasteve të supozuara të krimeve të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së ndaj popullatës civile serbe.
“Të gjithë flasin dhe punojnë që askush të mos jetë mbi ligjin”, theksoi Thaçi. Por, tani, sipas tij, me krijimin e kësaj Gjykate e cila do të merret vetëm me hetimin dhe gjykimin e krimeve të supozuara vetëm të njërës palë, kjo ka nënvizuar ai, nga shqiptarët shihet me mosbesim.
Kjo Gjykatë, sipas presidentit të Kosovës, “mund të sjellë privim të disave nga liria, por jo drejtësi dhe pajtim ndëretnik”.
Sidoqoftë, Thaçi i ka vlerësuar edhe anët, sipas tij, pozitive të instalimit të kësaj Gjykate Ndërkombëtare.
“Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është avantazh për Kosovën. Shpesh thuhet se, për Kosovën qëndron një re e zezë që duhet ta largojmë. Por, të jem i qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia”, tha Presidenti Thaçi.

Artikulli paraprakSarri: Juventus mbetet favorit
Artikulli tjetërSHBA dhe Rusia diskutojnë për konfliktin në Ukrainën Lindore