Thaçi: Ivanov e varrosi demokracinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se zhvillimet politike në Maqedoni janë “shumë shqetësuese”.
Duke komentuar vendimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov për të mos mandatuar udhëheqësin e Partisë Social-Demokrate, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re bashkë me partitë shqiptare, presidenti Thaçi në një postim në Facebook, shkroi se, “presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti. Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit”.
Presidenti Thaçi tha se shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj.
“Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.

Artikulli paraprakBE i heq Le Penit imunitetin parlamentar
Artikulli tjetërTirana dhe Prishtina nuk na dëgjuan