Terrorizmi trondit sërish, përgjaket Barcelona

Terrorizmi godet sërish Europën. Pas Londrës, Francës, Berlinit, Stokholmit dhe Turqisë, këtë herë terrorizmi ka goditur Barcelonën. Qyteti i famshëm spanjoll është tronditur pasditen e djeshme, pasi një furgon ka përplasur turmën në një zonë turistike, duke përshkuar 600 metra, duke lënë deri tani 13 viktima (numri pritet të rritet) dhe mbi 60 persona të plagosur. Një automjet transporti u nis drejt një grupi njerëzish në qendër të Barcelonës. Pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët, mbi 11 milionë në vit, zona është rrethuar nga forcat e sigurisë. Por ngjarja është në vazhdim, pasi autori është larguar në këmbë pas sulmit, ndërsa raportohet se në një lokal, dy persona të armatosur mbajtën disa pengje. Mediat lokale raportojnë se shoferi pas përplasjes së turmës me furgon, është larguar në këmbë mes turmës. Linjat e metrosë u mbyllën menjëherë, sikurse edhe dyqanet përreth zonës, ndërsa këmbësorët vraponin nga të katër anët në kërkim të strehimeve të sigurta, ndërsa dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar edhe të shtëna armësh. Kujtojmë që edhe në Nicë të Francës, Londër, Berlin dhe Stokholm terroristët përdorën të njëjtën metodë, duke përplasur turmën me makina. Dyshimet se ky mund të jetë një sulm terrorist i paralajmëruar shtohen pasi javët e fundit, janë parë grafiti të ndryshme në mure që kërcënojnë turistët e Barcelonës, qytet i cili vizitohet nga 11 milionë njerëz çdo vit. Në një video të publikuar më parë nën sloganin “turizmi vret fqinjësinë”, disa individë kanë ndaluar një autobus me turistë në Barcelonë, duke shpuar gomat dhe duke vizatuar me spraj nëpër xhamat e tij. Drejtuesi i furgonit që u fut në turmë sot është arrestuar nga Policia dhe po merret në pyetje. Ndërkohë flitet edhe se dy persona të armatosur janë mbyllur në një restorant pranë zonës ku ndodhi sulmi me furgon. Pritet të hidhet dritë mbi këtë ngjarje. “Reuters” raportoi se Shërbimi Emergjent i Katalanjës ka kërkuar që të mbyllen stacionet e trenave dhe metrosë.

Kush është marokeni i sulmit në Barcelonë
Driss Oukabir është njëri nga autorët e sulmit në Barcelonë. Driss Oukabir ka lindur në Marok në vitin 1989, ndërsa nga të dhënat e para ishte i skeduar nga Policia spanjolle si pjesë e grupeve terroriste. Furgoni, i cili u përdor dje për sulmin vdekjeprurës në zonën turistike “La Ramblas”, mësohet u mor me qira nga një maroken i quajtur Driss Oukabir. Televizioni kombëtar spanjoll TVE thotë se, ende nuk është plotësisht e sigurtë nëse ky është autori. Policia deri më tani raporton për 13 të vdekur, ndërkohë që shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Shërbimet emergjente lajmëruan njerëzit të largohen nga Sheshi “Katalunja” dhe kërkuan mbylljen e stacioneve të trenave dhe metrotë.

Pengmarrje në një restorant turk
Veç sulmit me furgon, raportohet se dy persona të armatosur kanë hyrë në një restorant turk dhe kanë marrë peng personat e ndodhur aty. Policia është përpjekur të negociojë me pengmarrësit, por akoma nuk ka mundur të arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Në këtë zonë kishte shumë njerëz, shumë familje, pasi është një nga vendet më të vizituara në Barcelonë.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se shërbimet emergjente kanë kërkuar mbylljen e stacioneve lokale të metrosë dhe trenave.

Artikulli paraprakBeteja për fenë në Rusi
Artikulli tjetërUniteti shtet-krim shkatërroi zgjedhjet