Terroristi vetëvrasës

Mario Vargas Llosa
Fundi i Luftës së Dytë Botërore i dha një frymëmarrje lehtësuese Perëndimit. Beteja ishte e ashpër, por njerëzimi u çlirua nga nazizmi dhe tirania e Hitlerit. Bota kishte zënë mend, vendet e saj nuk mund t’ia lejojnë më vetes të grishen prej udhëheqësve fanatikë dhe shfaqen më të tërhequra ndaj ideologjive rravguese si ultranacionalizmi e racizmi që e yshtën radhën e katastrofave. U hap një epokë e re e paqes dhe bashkëjetesës ku lulëzuan demokracia dhe kultura e lirisë.
Ndjesia e optimizmit mori revan. Mes fitimtarëve zinte vend edhe BRSS-ja, ndërsa Stalini nuk kishte pikë qëllimi të hiqte dorë nga mënyra e tij e totalitarizmit dhe të ngadhënjente me anë të komunizmit në botën mbarë. Menjëherë pas pak nisi Lufta e Ftohtë, përgjatë 40 viteve që e mbante botën shtang, nën kërcënimin e një përplasjeje bërthamore që do t’i jepte fund civilizimit në të tëra ngjyrimet jetësore të globit.
Rrënimi i BRSS-së për shkak të lëngatave të brendshme dhe shndërrimi i Kinës në një vend kapitalist (megjithatë me një pushtet vertikal dhe autoritarist), ngjallën nga fundi i viteve ’80-të ndjenjën e entuziazmit tek të gjithë përkrahësit e lirisë. Armiku më helmatisës i lirisë, bashkë me totalitarizmin, ishte shkërmoqur për shkak të dështimit ekonomik e shoqëror, padrejtësive dhe krimeve të kryera prej atij vetë.
Edhe një herë tjetër, demokracia u shpërfaq si modeli i vetëm i aftë për t’i krijuar hapësira bashkëjetesës së ndryshmeve në gjirin e shoqërive që prodhonin zhvillim, begati dhe mundësi, brenda sistemit që respektonte të drejtat e njeriut, ligjshmërinë dhe lirinë. Tek shprehja e Francis Fukajamës, “fundi i historisë”, mishërohet shpirti i një periudhe nga e cila, duke tejkaluar kundërshtitë e mëdha mes vendeve dhe ideologjive, u arrit dalëngadalë gjetja e emëruesit të përbashkët në dobi të demokracisë që nuk turbullohej më nga fanatikët e së djathtës dhe së majtës skajore.
Optimizmi mori përsëri flatra. Ndërkohë që kjo profeci e pabazë ngjalli polemika anekënd botës, në Lindje të Afërt e të Largët, duke i dhënë hov një sfide pa kompromis ndaj kulturës së lirisë, çka gjendet e pranishme në ekstremizmin fetar që lëshonte mesazhe urrejtjeje ndaj SHBA-së, Londrës, Madridit dhe qyteteve të tjera evropiane, duke shkaktuar sa e sa të vdekur të pafajshëm, si dhe duke i lënë shteg të lirë periudhës së terrorizmit ndërkombëtar që e kapi në befasi gjithë Perëndimin.
Atentatet patën shtrirje deri në Afrikë, Lindjen e Afërt dhe Azi, duke krijuar në qytete si Nairobi, Dar es Selam, Yebra, Mombasa, Casablanca, Sharm el-Sheik, Dahab, Kampala, Bali, Islamabad dhe praktikisht në të gjitha qytetet e Irakut e Afganistanit, një mal me kufoma (vlen të theksohet se numri i viktimave të shkaktuara nga ekstremizmi fetar ka qenë më i madh brenda radhëve të vetë myslimanëve, krahasuar me atë të besimtarëve të feve të tjera apo edhe jobesimtarëve).
Pikërisht në këto çaste, bota e lirë u vetëdijësua se tentakulat e Al Kaedës, ISIS-it dhe celulave të saj ishin ndërfutur te bashkësitë me të cilët ndanin të njëjtin besim dhe cysnin bashkëfajtorë brenda gjirit të familjeve të emigrantëve, në disa raste edhe tek ata të brezit të dytë e të tretë. Përbindëshat e hershëm ishin të gjallë e në jetë, ndonëse tashmë nuk kishin nevojë për ushtri të shumënumërt. Nuk ua lypte nevoja. Strategjia e tyre e ligështimit dhe mpakjes së demokracisë mundësohej përmes një arme të re dhe vështirësisht të përballueshme: terrorizmit vetëvrasës.
Kjo mënyrë të vepruari ka ekzistuar qysh në krye të herës, megjithatë, përjashtuar Japoninë ku të vdisje i vetëvrarë për hir të Perandorit ishte një praktikë e shumë japonezëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, bëhet fjalë për raste të veçuara, të pamundura për të ndryshuar drejtimin e rrjedhës së një lufte. Vetëvrasjen e kohëve moderne, e tillë siç ndodh në Irak pas luftës që përmbysi regjimin e Sadam Hysenit, tashmë e vëmë re edhe në Pakistan e Afganistan, si diçka e pazakontë: një instrument bazë i strategjisë së skicuar nga Bin Ladeni, ISIS-i dhe ndjekësit e tyre.
Kjo mënyrë veprimi nuk synon rrënimin ushtarak të SHBA-së, por duke rrëmihur nën të, përmes atentateve ndaj viktimave të pafajshme dhe civilëve të paarmatosur, që duken të zaptuar nga frika e paniku, duke synuar të çrregullojnë funksionimin normal të institucioneve që mbajnë qeveritë, të ndjehen të pasigurt ndaj një lufte me armikun e padukshëm që kryen sulme si të një njeriu që s’ka se ç’të humbasë, që të yshtin për të marrë masa të tilla që jo pak herë bien në kundërshti flagrante me parimet bazë të demokracisë dhe dhunojnë një prej perlave të fituara nga kultura e lirisë, siç janë të drejtat e njeriut.
Terrorizmi vetëvrasës është një armë mjaft e vështirë për t’i bërë ballë në një shoqëri të hapur, ku ligjet respektohen, ku garantohen të drejtat e njeriut dhe të individit dhe ku kritika, doktrinat dhe idetë shprehen e përballen lirisht. Mund të mos të të dallojë askush ku futesh midis radhëve të njerëzve të zakonshëm dhe përgatitesh për sulme vrasëse me pak mjete në dorë dhe të arrihet qëllimi në një çast rehatie jodyshuese.
Aftësia shkatërruese e atyre që nuk e masin dy herë të vdesin duke vrarë është e pamatë. Tashmë që kjo mënyrë veprimi është e pazakontë edhe për kundërshtarët, e bën thuajse të pakapshme gjer në çastin që shkaktojnë katrahurën. Sakaq, e kanë mjaft të lehtë të zhvendosen lehtësisht drejt vendeve ku kanë planifikuar të kryejnë aktin e sakrifikimit, vende të cilat vështirë se mund të mbrohen krejtësisht. Nuk mund të ndodhë asnjëherë që një qeveri të ndodhet në rrethana të mbikëqyrjes imtësore të të gjitha mjediseve publike të një vendi apo një qyteti.
Nga ana tjetër, zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë luftarake, që u mundëson ditëve të sotme edhe zanatçinjve të vegjël me mënyra artizanale të shkaktojnë më shumë viktima se sa dikur shkaktonte një njësi artilerie, lehtëson skajshëm shënjestrën e terrorizmit. Na ka ndodhur të shohim e dëgjojmë raste që nuk ta merr mendja, me lëndë të ndezshme që mundësojnë të hedhin në erë avionin, të fshehura në shojet e këpucëve të një kamikazi të mundshëm. Në rrugëtimin e pamendtë së qenies njerëzore drejt vdekjes, nuk është çudi të kemi mbërritur deri te dalja në skenë e armëve bërthamore të lëvizshme.
Synimi i terrorizmit vetëvrasës zakonisht nuk është një objekt ushtarak, i cili zakonisht mbrohet me sisteme të përparuara teknologjike; por objektet civile ku gjenden një numër i madh njerëzish, ndërtesa publike, stacione metrosh e trenash, avionë pasagjerësh, qendra tregtare apo mjedise sportive. Terroristi vetëvrasës nuk ka për qëllim të fitojë luftën, as edhe të dobësojë aparatin ushtarak të armikut. Ai kërkon të terrorizojë popullsinë civile, të shkaktojë turbulli e panik në mënyrë që, nën trysninë e opinionit publik të pasigurt e të zemëruar, të kërkohet dorë e hekurt nga qeveritë përkatëse, që ta kthejnë në përparësi sigurinë duke lëshuar pe ndaj detyrimeve të tjera shtetërore.
Për institucionet publike dhe kompanitë private kjo do të thotë shumëfishim marramendës i shpenzimeve për sistemet e zbulimit të armëve dhe sendeve metalike të individit, në vendet e punës dhe të takimeve, biblioteka, stadiume apo vende të konflikteve të mundshme, duke vështirësuar transportin dhe vënë në siklet jetën e përditshme deri në skaj e për të ndjellur makthin për shumicën e popullatës.
Pasoja më e rëndë që vjen prej kërcënimeve të terrorizmit vetëvrasës që planifikohen ditëve të sotme ndaj Perëndimit demokratik është fakti se në përpjekjet e tij për t’u mbrojtur nga kërcënimet e përsëritura si ato të Kullave Binjake në Manhatan, në stacionin e Atocha-s në Madrid e kudo gjetkë, Perëndimit i duhet të heqë dorë nga vlerat dhe kultura e lirisë që i ka fituar mundimshëm, duke tkurrur e zvetënuar të drejtat që garantojnë jetën private, parimin që askush nuk është i fajshëm përsa kohë nuk është provuar juridikisht se është i tillë, ndalimin e torturës, “habea corpus”-in, sekretin bankar, të drejtën e kritikës, lirinë e shprehjes, e duke i transferuar këto të drejta tek trupat ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës që janë të specializuara në luftën kundër terrorizmit, si një pushtet që i përvidhet pjesshëm a plotësisht kontrollit të organeve përfaqësuese të shtetit të së drejtës si Parlamenti dhe pushteti gjyqësor.
Nëpërmjet trysnive dhe kërcënimeve, terrorizmi synon, e faktkeqësisht në disa raste edhe ia arrin qëllimit, të frikësojë autoritetet shtetërore dhe organet e shtypit me qëllim që të heqin dorë nga liria e informimit dhe e kritikës.
Çfarë fitoreje e paparë për udhëheqësit fondamentalistë që lëshojnë fanatikët të bërë deng me lëndë shpërthyese kundër njerëzve të paarmatosur, që të shohësh sesi demokracitë heqin dorë nga të qenit demokrate me arsyetimin se mënyra e vetme për të mbrojtur lirinë është ta nëpërkëmbësh dhe të hedhësh hapa të tillë përpara që të përqasin ditë më ditë me regjimet autoritariste!

“El Pais”

Artikulli paraprakSi mund të frenohet propaganda e ISIS?
Artikulli tjetërFotografia e fajit