Tensionohet situata në Shkozë, banorët përplasen me policinë, disa të arrestuar

Situata në Shkozë është tensionuar së tepërmi mes policisë dhe banorëve që nuk lejojnë shembjen e banesave pa dëmshpërblim. Disa banorë, të cilët kanë kundërshtuar shembjen e banesave të tyre janë shoqëruar nga policia.

Në mbështetje të banorëve ndodhet ish-deputeti i PD-së Aldo Bumçi, i cili hodhi akuza kryeministrit Edi Rama. “Kur ke një kafshë në krye lë banorët pa shtëpi, që ke 20 milion euro një kilometër rrugë, po këto shtëpi sa vlejnë as një milion euro”, tha Bumçi.

Që në orët e para të mëngjesit ka filluar një aksion nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, i mbështur nga policia, për shembjen e banesave në zonën e Shkozë, në kuadër të projektit për “Unazën e Madhe” të Tiranës. Aksion që kundërshtohet nga banorët, të cilët shprehen se banesat e tyre tentohen të shemben pa dëmshpërblim.

Banorët kanë kundërshtuar prishjen e shtëpive dhe kanë tentuar të ndalojnë fadromat. Ata sqaruan se katër prej banesave të planifikuara për tu prishur janë të legalizuara, ndërsa tjetra në proces legalizimi. Pronarët e shtëpisë në proces legalizimi thanë se ata kanë një vendim gjykatë që ndalon shembjen e ‘shtëpisë deri në momentin që të dalë një vendim gjykate përfundimtar’. Megjithëse banorët i kanë kërkuar policisë dhe IMT-së vendimet që legjitimojnë prishjen e banesave, ata nuk kanë marrë përgjigje. Madje disa prej banorëve thanë se policia po ushtron dhunë psikologjike dhe fizike ndaj tyre.

Edhe më herët, në këtë zonë ka pasur përplasje mes banorëve dhe policisë. Madje, nga ana e forcave të rendit është përdorur edhe gaz lotsjellës për të nxjerrë banorët nga banesat, pa kundërshtive të këtyre të fundit. Veprim ky që ka vënë në qendër të akuzave ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Artikulli paraprakMirënjohës Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe CDU
Artikulli tjetërPrishje selektive e banesave në Shkozë, banorët: Kush nuk paguan nën dorë i shembet shtëpia