Telefonata rrënqethëse: “Ndiiihmë, ndiiihmë! Po më vdesin fëmijët për bukë”

Mëngjesin e sotëm, në emisioni “Koha për t’u zgjuar” një zonjë që ka telefonuar e ka thyer monotoninë ku përgjithësisht njerëzit kontaktojnë duke shprehur mendime, këndvështrime, herë-herë duke mbajtur edhe qëndrime politike ku nuk mungojnë as sharjet apo lavdërimet e partive politike.
Thirrja e saj ishte e jashtëzakonshme në dukje por krejtësisht e zakonshme në sofrat dhe shtëpitë e dhjetra-mijërave familjeve shqiptare, ku të harruar në skamjen dhe varfërinë e pajustifikueshme për kohën, rropatën skutave të mjerimit për të siguruar kafshatën e gojës dhe mbijetesën e fëmijëve të mitur e shpresë-vrarë.
Ajo nuk kërkonte asgjë më tepër veçse bukë për fëmijët e saj dhe jehona kombuese e zërit të saj përgjërues teksa shqipton fjalën “Ndihmë” është një thirrje për të gjithë ne që t’i gjendemi pranë kësaj zonje dhe fëmijëve të saj, por edhe një këmbanë alarmi që na fton për t’u zgjuar e shkundur nga një realitet i tillë ku mbijetesa bashkë me dinjitetin njerëzor vihen jo rrallë në rrezik.
Për të gjithë ata që duan t’i gjenden pranë zonjës duke i ofruar ndihmë me aq sa munden dhe si të mundën, ky është numri i saj i kontaktit: 0684154423.
Shpresoj t’i përgjigjemi të gjithë thirrjes së saj të dëshpëruar. Edhe pse kundër mjerimit duhet ngritur zërin fort dhe në mënyra të ndryshme.

Gazetari Ilir Kadia, i cili përmes një statusi në rrjetin social facebook, bën apel për t’a ndihmuar këtë zonjë dhe fëmijët e saj, shkruan se klithma e saj përmes telefonit ishte diçka e pazakontë.
Ai thotë se ktlithma e e zonjës ishte si një thikë në zemër e cila kërkonte bukë për fëmijët.
Statusi i Plotë i Ilir Kadias:
Klithja e një nëne zemërvrarë!
Ndihmë!Ndihmë!-klithi një grua në tv këtë mëngjes. Ishte diçka e pazakontë! Tek “Koha për tu zgjuar” përgjithësisht marrin ankimtarë “profesionistë” që qajnë hallet e Shqipërisë duke sharë a mbrojtur partitë. Pandeha se gruaja klithi se sapo e kishin grabitur, a se e kishin përplasur me makinë në trotuar, a se i kish plasur zjarri në shtëpi e desh të shpëtonte fëmijët mes flakëve…
Po më vdesin fëmijët! Ndihmë! I kam pa bukë! Nuk kam çfarë tu jap! Ndiiiihmë!
Ajo dha numrin e saj të telefonit dhe u largua!
Nuk arrita dot ta fiksoj! Por klithma e saj mu ngul si thikë në zemër!
Ajo kërkoi bukë për fëmijët o njerëz!

Artikulli paraprakDeutsche Welle: Studentët rrethojnë Parlamentin, nuk pranojnë dialog me qeverinë!
Artikulli tjetërStudentët i përgjigjen Ramës: “Nuk ka dialog, ne jemi të qartë dhe të prerë, të plotësohen kërkesat tona”!