Do të ketë kufizime në merkato

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Monako ka diskutuar mbi një serë argumentesh lidhur me futbollin. Kryefjalë ishin blerjet e verës së shkuar dhe shifrat marramendëse që u shpenzuan nga klubet elitare për lojtarë kalibri, si dhe për një çështje më delikate nëse insitucioni i UEFA-s do të ketë kurajon të dënojë ashpër klube që mund të thyejnë edhe rregullat e Fair Play financiar. Për Ceferin shqetësim ishte komisioni i lartë i agjentëve, të cilët bëjnë që shuma të konsiderueshme financiare të dalin nga xhiro e fushave ndërkohë që për të fonde të tilla duhet të mbeten brenda rrethit futbollistik, duke bërë që ato të riciklohen nga një njëri klub tek tjetri.
Gjithashtu, ai sheh si absurd faktin se si admnistratorë apo politikanë që operojnë në futboll të kenë një fuqi absolute kur në këtë sport ata që janë më të rëndësishmit dhe vendimtarë duhet të jenë vetëm lojtarët. Avokati 50-vjeçar që mban postin e Presidentit të UEFA-s që nga viti 2016 u tregua kategorik për fair play-in financiar, duke deklaruar se do të merren masa shumë të ashpra për të gjithë ata që tentojnë dhe thyejnë rregullat e vendosuara, pasi ne nuk mund të jemi një tigër pa dhëmbë citohet të ketë thënë presidenti slloven Ceferin.
Njëherazi ai komunikoi edhe vendimin e UEFA-s për të implementuar një Luxury TAX për klubet më të pasura që operojnë lirshëm në merkato në mënyrë që të ruhet balanca dhe të krijohet barazi edhe për klubet me buxhet më të vogël. Për të evituar që yjet të jenë të aksesueshëm vetëm nga skuadrat elitare europiane. Një mënyrë për të ulur pabarazitë financire me klubet e vogla që shpesh e shohin veten të detyruar të shesin lojtarë cilësorë si pasojë e super ofertave nga klubet milionere. “Ne duhet të evitojmë që një numër i kufizuar skuadrash të ketë përqendrimin më të lartë të talenteve, duhet ruajtur një balancë e shëndetshme që ky sport të funksionojë më mirë”. Në axhendën e re që do të implementohet nga UEFA parashikohet të ketë kufizime të tjera në numrin e lojtarëve që një klub zotëron apo do të ketë të drejtë të blejë.

Artikulli paraprakSytë nga e ardhmja
Artikulli tjetërLamtumirë Barcelonë!