Të dielën zgjedhjet në Maqedoni

Ambasadat dhe diplomacitë e vendeve të huaja në Maqedoni kanë paralajmëruar shtetasit e tyre që të kenë kujdes në 11 dhjetor datë kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në vend.
Qytetarët nga jashtë të kenë kujdes më 11 dhjetor nëse ndodhen në Maqedoni. Kështu rekomanduan Ambasada e SHBA-së dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve evropiane në Shkup. Në njoftimet e kumtuara, qytetarëve u rekomandohet t’i shmangen qëndrimet në grupe apo pjesëmarrjet në tubime politike. Por pavarësisht paralajmërimit, Ambasada amerikane në Shkup, e quan thjesht një procedurë standarde. “Është procedurë standarde dhe përmbushje e obligimit të ambasadës ndaj qytetarëve. Të dhëna për rrezik konkret nuk ka! Kjo nuk duhet të merret si koment mbi ecurinë e zgjedhjeve, por thjesht si detyrim i ambasadës ndaj qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së. Ambasada e Francës ndan të njëjtin qëndrim.“Ky rekomandim është i karakterit të përgjithshëm dhe nuk ndërlidhet aspak me zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thanë nga Ambasada e Francës. Nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup informojnë qytetarët e tyre që ndodhen në Maqedoni se deri më tani ka pasur disa sulme në objekte të partive politike, andaj duhet të kenë kujdes.“Gjatë periudhës së zgjedhjeve, qytetarët britanikë duhet t’i shmang tubimet politike dhe çfarëdolloj tubimi tjetër”, njoftuan nga Ambasada e Britanisë së Madhe.

Artikulli paraprakDhjetor ‘90, pse u zgjodh Azemi në krye?
Artikulli tjetërPlan për rikthimin e Gruevskit