Dhjetor ‘90, pse u zgjodh Azemi në krye?

Errësirë brenda errësirës

Mitro ÇELA

8 dhjetor 1990. E shtunë. Punoja në gazetën “Bashkimi”. Katër vjet më parë më kishin vënë “drunë’ nga “ZP”-ja. Gjatë ditës, më shumë tunda derën. Një çaj mali në bufenë e gazetarëve. Kafe? Nuk kishte dollarë për të importuar?! U ktheva herët në shtëpi. Mora makinën e shkrimit. Boshllëk. Asgjë për të shënuar, pikërisht në çastin kur për vendin kishin nisur tallazet që do të shembnin një diktaturë, edhe pse shtëpia ime ndodhet 2 kilometra larg Qytetit të “Studentëve”. Pse?
Pas krizës së ambasadave. Pas arratisjes së mijëra shqiptarëve drejt Evropës, duke hyrë më 2 korrik 1990 në ambasada. Pas shembjes së Murit të Berlinit. Pas Gorbaçovit… Shqipëria nakatosej me ideologjinë marksiste. Kishte miq: Fidel Kastron e Kubës dhe Kim Ir Senin e Koresë së Veriut?! Errësirë brenda errësirës. TVSH dhe Radio Tirana-memece. “Zërin e Amerikës” – duke pasur lepurin në bark, e dëgjoje, por nuk e përtypje. E dëgjoje, por nuk e komentoje…
9 dhjetor 1990. E diel. Në mëngjes erdhi në shtëpi Irena. Studente.
-Mos ka pasur ndonjë rrëmujë nga Qyteti i Studentëve?- pyeta.
-Diçka kam dëgjuar. Por nuk di!
Ka të drejtë të mos dijë. Bota e saj është ushtari. E ka njohur që në shkollë të mesme. Sot? Ai është ushtar. Ajo studente. Kur studentët ngrenë krye, ajo është në krahët e ushtarit, nën kurorën e ndonjë pishe.
Lavdi Zotit edhe pyllin e ka afër…edhe jarani është në formë, sepse, për mungesë valute, nuk është importuar nga ajo esenca që hidhet në çaj dhe dobëson bateritë e ushtarëve…

Liria mbi barrikadë

11 dhjetor ‘90. E martë. Në mëngjes shkova në Qytetin “Studenti”. Grumbull djemsh e vajzash. Ishte improvizuar një podium. Flisnin oratorë të ndryshëm, secili për hesap të vet. Dikush më tregoi një djalë me baluke, me xhakavento të zezë: është Azem Hajdari…
M’u afrua një student: “Profesor (unë jepja ekonomi në kurset e gazetarisë), ju jeni me ne?” Instinktivisht iu përgjigja:
-Përderisa jam këtu?!
Ishte fraza më pa kuptim që mund të thuhej.
Pashë kryeredaktorin e “Zërit të Popullit” Spiro Dede. E kishin rrethuar studentë. Dukeshin armiqësorë. U afrova.
-Pse nuk botoni informacion për ne? Pse shqiptarët duhet ta dëgjojnë të vërtetën nga “Zëri i Amerikës”?
Në mikrofon u dëgjua një zë. “Është Sali Berisha, tha një student. – E njoh doktorin se jam student nga Tropoja”…“Kam ardhur këtu si miku juaj…” Midis studentëve pati shënja mosaprovimi…
Pastaj foli Hamit Beqja. Një fjalim i gjatë. Pa pika e presje. As mish, as peshk.
… “Xhaketë e kthyer, tha dikush… “Nuk u ngop së foluri ky njeri, xhanëm…”

Ramiz Alia përballë studentëve

11 dhjetor. E martë. Në orën 16:00 shkova në Qytetin e “Studentëve” i shoqëruar nga gazetari Gëzim Sinemati. Rrugës mora vesh se ishte mbledhur Plenumi i KQ të Partisë. Kishte pasur debate të forta. Ishin shkarkuar 7 anëtarë të Byrosë Politike. Me dy vota kundër-Spiro Koleka dhe Shefqet Peçi-Plenumi kishte vendosur të lejohej pluralizmi. Dhe së fundi nga radha, por jo nga rëndësia: Shoku Ramiz Alia do të takohej me një përfaqësi të studentëve.
Ora 20:00:
Në autobus hipën përfaqësuesit e studentëve. Ne shikonim gjithë ankth rrugën. Shoferi e preu timonin majtas. Në turmë u shtua ankthi. Pas disa minutash, dikush tha: “Autobuzi u fut në Pallatin e Brigadave”…Natë. Errësirë. Kallkan. Mijëra njerëz kodrave të Qytetit të “Studentit”. Shumica studentë. Bashkë me ta, prindër. Kishte punëtorë nga kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha”. Tipografë. Qytetarë nga Tirana, por edhe nga Durrësi, Shkodra, Kavaja… Thirrje në kor. Poshtë diktatura! Enver-Hitler! Poshtë dinastia! Nga parullat në këngë. Korale. Motive patriotike: “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”…
Presidenti Ramiz Alia në mes. Në një krah Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit. Në anën tjetër Lisen Bashkurti, Sekretar i Parë i Rinisë. Përballë studentë e pedagogë. Qetësi. Frymëmarrje të tensionuara. Akullin e theu Presidenti:
-Do më dëgjoni mua një herë dhe pastaj të flisni ju…Sot ishte një mbledhje e Plenumit të Partisë…Desha tju njoftoj për çka u vendos. Së pari, në qershor 1991 të mblidhet kongresi i 10-të i Partisë së Punës …Së pesti, të lejohet krijimi i organizatave politike të pavarura…
Pauze. I pari u ngrit Arben Demeti…Pastaj Arben Imami, Azem Hajdari, Zef Brozi, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Arben Meçe, Blendi Goxhe, Ardian Petrollari, Edmond Budina, Mimoza Ferraj, Arben Lika…Kaluan rreth tre orë. Autobusi mori rrugën për në Qytetin e “Studentëve”. Në podium u ngjitën me radhë disa oratorë: Berisha, Imami etj. Kudo thirrje entuziazmi. Tha Pashko:
-Në magnetofon do të vëmë kasetën ku është incizuar biseda me Ramiz Alinë. Ju dëgjojeni!- tha.- Ne do të mblidhemi, sepse do të hartojmë programin e Partisë…
Ata kaluan para meje. Në fillim urova Pashkon. “Mitro, hajde! Do të punojmë për programin, më tha. – Mendoj se do të na nevojitet përvoja jote”. Pastaj takova Imamin, Berishën etj.
-Pse nuk shkon, më tha Gëzim Sinemati, m’u duk sikur të ftuan me gjithë zemër.
-Nuk kam të drejtë të shkoj! Këta kanë tri ditë që luftojnë. Ndërsa unë kam rrufitur kafe të ngrohtë…
Çfarë kishte ngjarë? Dy-tre javë më parë se të se të fillonte lëvizja studentore, në Qytetin “Studenti” qarkullonte një letër “top sekret”. Kishte dy qëllime. Së pari, të firmosej. Së dyti, të krijohej: “Organizata e studentëve dhe intelektualëve të rinj.” Këto ide, ishin hedhur nga një grup studentësh dhe pedagogësh të godinës 15-të. Javën e parë të dhjetorit 1990, ishin mbledhur tek shtëpia e Gramoz Pashkos: Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Ruli. Debate. Me bereqet dhe pa bereqet. Mbi të gjitha shkëlqeu një batutë e Aleksandër Meksit: “Lërini budallallëqet! Në asnjë vend të botës nuk ka parti studentësh…” U diskutuan dy variante: Parti Demokratike apo Lidhja Demokratike. Mbeti varianti i parë, sepse Lidhja Demokratike bënte një farë dualizmi me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Azem Hajdari, Kryetar i PD-së

12 dhjetor 1990. E mërkurë.
Ora 9. Mbledhje e tensionuar në redaksinë e gazetës “Bashkimi”. Një nga shefat e redaksisë, propozoi të merrnim në intervistë anëtarët e Byrosë Politike që u shkarkuan. Një tjetër tha të bëjmë një reportazh.
– Dërgojmë një gazetar në Qytetin “Studenti”, propozova unë. – Ai të japë vetëm informacion. Artikullin, para botimit, ta dërgojmë në sektorin e shtypit të KQ të Partisë. Në qoftë se ky informacion nuk botohet, atëherë unë do të jap dorëheqje si shef i sektorit të ekonomisë.
I thashë kryeredaktorit, Qemal Sakajevës, që për këtë vendim të vërë në dijeni sektorin e shtypit në KQ të Partisë. Dolëm nga mbledhja. Në korridor takova Sali Berishën.
-Doktor! Po të kini ndonjë problem me programin ekonomik, unë mund t’ju ndihmoj.
-Unë jam dakord! Por mos thotë gjë Gramoz Pashko…
-Nuk besoj, sepse ai më ftoi që mbrëmë…
Ora 11:30. Në klubin e gazetarëve hyri një djalë. M’u drejtua mua: “Të kërkon Sali Berisha”… Ngjitëm shkallët e godinës 15 në Qytetin e “Studentëve”. Atje u njoha edhe me Eduard Selamin dhe Edmond Trakon. Të dy pedagogë. “Kemi përgatitur programin e Partisë, më tha Berisha. – Kemi ngecur në një paragraf. Është fjala për qëndrimin ndaj tokës. Cili është mendimi yt?”…I hodha një sy statutit. Zgjedhja dhe mandati i Kryetarit të PD-së: “Zgjidhet për dy vjet me të drejtë rizgjedhje edhe një herë.”… Në dhomë hynë edhe disa gazetarë. Berisha, pasi përfundoi me mua iu drejtua atyre:
-Tani ju duhet të shpërndaheni kudo. Idetë e këtij programi të prekin mendjet e shqiptarëve. Nga shtypi nuk mund të presim asgjë: Ka çensurë! Këtë punë mund ta bëni vetëm ju…
-Problemi nuk është kaq i thjeshtë, ndërhyra unë. -Gazetarët nuk mund ta bëjnë hapur këtë mision. Ndryshe do të humbasin vendet e punës!
Pastaj i tregova për mbledhjen tonë në gazetë dhe për presionin që kishin bërë tipografët: Në qoftë se nuk botohej informacion nga Qyteti i “Studentëve”, ata nuk do të lejonin botimin e asnjë gazete!
-Lajm i mirë, tha Berisha…

“Keqardhja” e Nexhmie Hoxhës

U ktheva në shtëpi. Ra telefoni. Ishte kryeredaktori:
-Më mori në telefon Sofo Lazri, dora e djathtë e Ramiz Alisë… I tregova për vendimin e tipografëve. Pastaj për mbledhjen tonë.
-Po kush është ky shefi, që dashka të largohet nga puna,- pyeti shoku Sofo…
-Mitro Çela…Nuk hezitova, sepse kjo ishte edhe kërkesa jote.
-Po pse me zor qëndron shef ky Mitroja, -vazhdoi Sofo. -Në qoftë se ka mall të largohet, nuk e pengon njeri…
Pas pak ra telefoni… Jam Nexhmie Hoxha: Më fal, shoku kryeredaktor! Po si është puna e tipografëve?… Po gazetarët… diçka më tha Sofo Lazri… Mitro Çela? Po më habit! Ne kishim menduar që ai të bëhej deputet, si kandidat i Frontit Demokratik…

Ironi e fatit

13 dhjetor. E enjte.
Ora 15:00. Në shtëpi erdhi Guga, shofer i gazetës. Je i arrestuar, tha ai me humor.- Vishu! Në makinë gjeta Luçie Doçin (sekretare e kolegjiumit të gazetës), Genc Tiranën, Gëzim Sinematin dhe Arben Rukën. Të tre gazetarë. Më thanë se i kishte nisur kryeredaktori. Do të bëhej një mbledhje në Kinoteatrin “Studenti”.
Salla ishte plot. Në presidium dallova Pashkon, Berishën, Azem Hajdarin dhe Arben Imamin…Në rreshin e parë një burrë me mustaqe, veshur me xhakavento. Më shumë bënte shënja sesa fliste. Më thanë se ishte Aleksandër Meksi. Në fillim foli Berisha. Pastaj Azem Hajdari, Zef Brozi, Edmond Budina. Ishin përgatitur dokumentet për në Ministrinë e Drejtësisë. Duheshin edhe 300 firma për të legalizuar Partinë Demokratike.
-Sa të merren firmat në sallë,- tha dikush nga presidiumi,- do të zgjedhim një komision nismëtar. Mendohet të ketë 14 anëtarë: 6 studentë, po kaq intelektualë. Dy do të jenë nga klasa punëtore.
Po lexoheshin emrat e intelektualëve, me një karakteristikë të shkurtër. Kur përmendej emri, kandidati ngrihej në këmbë. Në fillim studentët: Azem Hajdari, Blendi Gonxhe, Edmond Budina, Shinasi Rama, Arben Lika, Alma Bendo.
Pas studentëve, intelektualët. U ngritën Sali Berisha, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Preç Zogaj… i fundit…
-Mitro Çela, gazetar dhe ekonomist i njohur. Punon në gazetën “Bashkimi”…
Instinktivisht u ngrita në këmbë. Buzëqesha dhe u ula, duke ngritur supet. “Sa i fshehtë”, -tha Gëzim Sinemati, duke më uruar.
Më shtrënguan dorën edhe të tjerët. Unë isha befasuar! Nuk dija gjë. Nuk më kishin pyetur!?
-Tani duhet të zgjedhim dy përfaqësues të punonjësve,-tha dikush nga podiumi.
Ra qetësi. Nuk ishim mësuar me këtë lloj demokracie. Kandidatët i gatuante piramida e Mihal Bishës, mjeshtri i madh i kuadrit. Kishte raste që nuk fuste duart Sigurimi i Shtetit. E vërteta ishte që vendimin e merrnin masat: Çdo partia bën populli…U ngrit një djalë i ri. Jam pedagog në Institutin Bujqësor. Quhem Eduard Zaloshnja. Unë do të bëj një propozim. Do të duket jashtë logjike: propozoj të zgjidhet motra ime, Merita Zaloshnja! Është ekonomiste në ndërmarrjen artistike “Migjeni”. Shkollën e ka mbaruar natën…
Pati ilaritet. Disa ngritën supet. Diçka ngeci. Por akullin e theu presidiumi. Le të vazhdojmë me kandidatura të tjera. Në fund janë votat ato që vendosin…Merita Zaloshnja fitoi. Së bashku me të edhe Ilir Myftari, inxhinieri në minierën e Valiasit…Më vonë, në komisionin nismëtar u shtuan edhe Arben Demeti, Arben Sula, Bardhyl Reso, Zenel Hoxha, Sokrat Nesuri, Petrit Dodbiba.
Sali Berisha propozoi që Azem Hajdari të ishte Kryetar i PD-së. Proceverbalet e mbledhjes i ka mbajtur studentja Ilenja Mëhilli. (Në mes të vitit 1991, Milenja emigroi në Itali, si shumë studentë shqiptarë.)

Pse u zgjodh Azem Hajdari kryetar?

Më parë kërkon përgjigje pyetja: Kush ishte Azem Hajdari? Deri më 8 dhjetor 1990-njeri i zakonshëm. Student si gjithë studentët e tjerë. Ndoshta diçka më pak: vinte nga provinca, nga Tropoja e largët.
Kur nisi shtrëngata: Azemi zgjohet. Ku ishte rreziku-printe Azemi. Me fjalën e Azemit-studentët vranë frikën. Me fjalimet e tij u ndezën qindra zemra. Ndoshta Azemi ishte pasardhësi i fundit i një plejade të tërë heronjsh, që me idealin e lirisë, i shkon për shtat fjalës së Fan Nolit: “Trimi i mirë duhet a të rrojë si burrë, a të vdesë si burrë”.
Tani le të kthehemi tek pyetja: pse u zgjodh Azem Hajdari kryetar i parë i Partisë Demokratike? Sipas pikëpamjes sime, për dy arsye. Së pari, e meritonte: ishte simboli i Idealeve të Dhjetorit. Së dyti, ishte një zgjedhje kompromisi (ku ka kompromis, ka demokraci). Kur nisi mbledhja e parë e komisionit nismëtar, zgjedhja e Azemit qetësoi, përkohësisht, gjakrat e trazuara të liderëve të ardhshëm të politikës shqiptare.

Vonesa e Edi Ramës

Fati e desh që ato ditë dhjetori, Edi Rama të ishte në Greqi. Në Tiranë mbërriti më 13 dhjetor. Kur arriti në Qytetin e “Studentëve”, ishte bërë zgjedhja e komisionit nismëtar. I vonuar, u fut në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar. Gjëja e parë që bëri: Sherr me Berishën. Pas ndërhyrjes me takt të Pashkos, Edi Rama u largua nga mbledhja.
Rama bëri edhe përpjekje të tjera për t’u futur në drejtimin e PD-së. Kur dështoi, vendosi ta sfidojë PD-në, duke krijuar Partinë Popullore Fetare në bashkëpunim me Spartak Ngjelën, Ardian Klosin, Kasëm Trebeshinën dhe Gavrosh Lubonjën. Sipas platformës Rama, partia do të kishte disa fraksione, duke filluar me ballistë, zogistë, antikomunistë, demokristianë, ish të burgosur politikë etj. Pas shumë përpjekjesh, të ndihmuar edhe nga Sejfi Protopapa, emigrant në SHBA, në fillim të qershorit të vitit 1991, u bë mbledhja e parë e partisë në Pallatin e Kulturës në Tiranë.
Më 22 qershor 1991, ishte parashikuar që Tiranën do ta vizitonte Sekretari amerikan i Shtetit Bejker. Rama vendosi ta shfrytëzojë këtë shans, për të bërë presion për legalizimin e partisë. Rama propozoi të shkonte në takim Ardian Klosi, si njohës i mirë i gjuhës angleze. Mirëpo Klosi rridhte nga një familje e njohur komuniste. U ngritën të përndjekurit. Sha të shajmë… Normale. Jetonim në demokraci. Dhe Ardian Klosi u “përjashtua” nga takimi. Në këmbë të tij shkoi një i përndjekur, që bëri një vërë në ujë… Pas këtij dështimi erdhi goditja në Parlament. U diskutua ligji që ndalonte krijimin e partive me baza fetare. Dhe ëndrra e Edi Ramës për të drejtuar Partinë Popullore Fetare nuk u bë kurrë realitet…

Lajm mbi lajm

19 dhjetor. E mërkurë. Ora 16:30.
Salla e Pallatit të Kulturës “Studenti”. Konferencë shtypi. Në podium Preç Zogaj dhe Genc Pollo. Ishte konferenca e parë dhe bëhej për organizimin e shtypit. Mendimet ishin nga më të ndryshmet. Brenda dhe jashtë kohe. Racionale dhe irracionale. U ngritën edhe disa shkrimtarë.
-Nuk kemi folur kurrë shqip, tha një piktor i TVSH-së. -Kemi folur në të gjitha gjuhët, por shqip jo!
Dikush u afrua në presidium. “Më falni,- tha Preçi,- kemi një lajm të gëzuar: Në Ministrinë e Drejtësisë u bë legalizimi i Partisë Demokratike”.
Zhurmë. Britma. Lotë. Përqafime. Parulla. Pas tyre kënga… Oratorë që flisnin… Lajmi i madh i theu rregullat e demokracisë. Mbledhja u kthye në anarki…

Pjesë nga libri Dhjetor ’90-Olimpi i Demokracisë

Artikulli paraprakBE paralajmëron shkallë për kalimin e Murit në Mitrovicë?
Artikulli tjetërTë dielën zgjedhjet në Maqedoni