Tallja Nikolla-Bardhi si provë e durimit të ndërkombëtarëve!

Nga Namir Lapardhaja

Nëpërmjet një shkrese të bërë publike dy ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka bërë kujdes të sqarojë se Sali Berisha nuk është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për arsye se kërkesa e Gazment Bardhit nuk e përfshinte atë te deputetët e përjashtuar nga ky grup gjatë kësaj legjislature.

Nga ana tjetër, vetë Bardhi është treguar thellësisht ambig dhe i paqartë në deklaratat e tij në raport me rikthimin e Berishës “Non grata” në grupin e PD-së.

Është e qartë se përgjigjja e Nikollës dhe kërkesa e Bardhit janë në koordinim të plotë me njëra-tjetrën dhe sigurisht që janë bërë në dijeninë e plotë të Ramës dhe të Berishës, për arsye se kjo është një lojë që shkon tej mundësive të dyshes Nikolla-Bardhi.

Në një kohë që Lindita Nikolla nuk i kthen përgjigje shkresave zyrtare të PD lidhur me përfaqësimin dhe drejtimin e grupit parlamentar, ajo tregohet e kujdesshme të “shfajqësojë” Bardhin që nuk e ka kërkuar nëpërmjet shkresës së tij, ndofta si pasojë e ndonjë lapsusi, por edhe veten, duke u treguar “e ashpër” për të mos pranuar Berishën në Grupin Parlamentar të PD.

Në fakt, është e qartë që të dyja palët luajnë dhe tallen.

Pikë së pari, tallen me qytetarët, qofshin demokratë apo socialistë, duke i trajtuar si fëmijë të paditur, që nuk kuptojnë, me të cilët mund të bësh lojëra të tilla, të qepura trashë, dhe ata të mos kuptojnë.

Së dyti, tallen me ndërkombëtarët, të cilëve u thonë që ne nuk kemi punë me “Non gratën”, mirëpo, nga një anë, Bardhi e njeh si kryetar dhe është bërë nënkryetar i tij, ndërsa, nga ana tjetër, Nikollës i intereson kjo situatë, sepse për sa kohë që Berisha të jetë pjesë e lojës politike dhe opozita të jetë në këtë gjendjeje, PS vijon e pashqetësuar pushtetin.

Edhe pse deri më sot ndërkombëtarët nuk janë shprehur për këtë çështje, duke e ndjekur në heshtje dhe duke mbajtur shënim, për shkak të pritjes me durim të përfundimit të çështjes së PD-së në dyert e gjykatës së Apelit, raporti i fundit i “Freedom House” tregoi se amerikanët janë të qartë jo vetëm për atë që po ndodh, por, mbi të gjitha, ata nuk kanë luajtur asnjë milimetër nga qëndrmi fillestar për Sali Berishën dhe atyre që iu bashkëngjitën atij.

Sigurisht që talljes së Nikollës dhe Bardhit shumë shpejt do t’i vijë fundi, por atëherë dëmet do të jenë të parikuperueshme për opozitën, sepse pushteti në rregull është, atij i intereson thjesht vazhdimësia.

Kjo që po ndodh është një kambanë alarmi për opozitën dhe për popullin e pakënaqur, i cili nuk duhet të jetë thjesht spektator në këtë mizanskenë, por duhet të bëhet protagonist, duke e kuptuar se çfarë po luhet në sytë e tij dhe, më pas, duke u bërë pjesë e ndryshimit të nevojshëm dhe të kërkuar.

Artikulli paraprakRevokimi i vendimit për deputetët e përjashtuar nga grupi/ PD kallëzon në SPAK Lindita Nikollën: Ka shpërdoruar detyrën
Artikulli tjetër“Janë aneks i qeverisë” – Basha akuza ndaj “Rithemelimit”: Me vendimin për Xhaçkën jemi në krizë Kushtetuese, pse nuk e bllokojnë tani foltoren?