Taksat dhe gjobat, në 9 muaj u mbyllën 16 mijë ndërmarrje

Numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin është rritur me një ritëm të pashënuar ndonjëherë më parë. Dokumentet zyrtare të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm për 9 muaj, janë mbyllur mbi 16 mijë ndërmarrje, të cilat kanë kaluar në status pasiv. Lista e bizneseve pasive nisi të publikohej për herë të parë në maj të vitit të kaluar. Në atë kohë, Tatimet deklaruan se në Shqipëri rezultonin në total 91 mijë biznese me status pasiv, të cilat ishin akumuluar që nga viti 1992. Por në fillim të muajit shkurt, shifra e bizneseve në pasiv u rrit në mbi 107 mijë subjekte. Kjo do të thotë se vetëm brenda 9 muajsh mbi 16 mijë ndërmarrje janë detyruar të mbyllin aktivitetin dhe të kalojnë në status pasiv.

Kriza, taksat, gjobat

Arsyet se pse shumë biznese po detyrohen të mbyllin qepenat janë disa. E para, ka lidhje me krizën e gjatë ekonomike, e cila ka goditur konsumin e popullatës dhe rrjedhimisht edhe shitjet e biznesit. Gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit bizneset janë përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërmori dy rritje taksash rresht në vitet 2015-2016 me nga 200 milionë dollarë secila. Por rritja e taksave qendrore nuk ishte e vetmja. Vitin e kaluar bizneset u përballën me një tjetër rritje, këtë herë të taksave lokale, veçanërisht në kryeqytet. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë. Përgjatë kësaj kohe, autoritetet fiskale kanë rritur edhe masat represive. Në vitin 2015 qeveria nisi një aksion kundër informalitetit, që u karakterizua nga një agresivitet shumë i lartë i tatimorëve dhe strukturave të tjera shtetërore. Verën e vitit të kaluar aksioni kulmoi me një valë gjobash, të cilat kanë rezultuar fatale për shumë biznese, duke i detyruar të mbyllen.

Taksat që vilen

Të 463 miliardë lekët që planifikohen t’u vilen bizneseve dhe qytetarëve nëpërmjet taksave dhe tatimeve këtë vit do të peshojnë më së shumti në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2017. Ministria e Financave, në përllogaritjen që i ka bërë planit të buxhetit 2017, rezulton se më shumë se 60 për qind e detyrimeve do të vilen në gjashtëmujorin e dytë. Muajt gusht, shtator, nëntor dhe dhjetor do të jenë më të ngarkuar nga ana fiskale, teksa shihet se plani i të ardhurave në tre muajt e parë është pak më i lehtë. Në janar ishin planifikuar të grumbullohen 31.2 miliardë lekë, në shkurt 29,6 miliardë lekë. Bizneset dhe qytetarët do të paguajnë 31-35 miliardë lekë edhe në tremujorin e dytë të vitit teksa shihet se pesha do të rëndojë në muajt e fundit siç tashmë është bërë traditë. Pesha e taksave dhe tatimeve nis të rëndojë në korrik. Pas këtij muaji, ngarkesa fiskale mujore do të variojë nga 36 miliardë lekë në korrik, 39 miliardë lekë në shtator, ndërsa muaji dhjetor do të mbajë peshën më të madhe, me rreth 44 miliardë lekë. Shpërndarja e grumbullimit të të ardhurave në këtë mënyrë vjen si një përvojë e viteve të shkuara, por praktika e vjeljes në realitet tregon krejt të kundërtën. Në dhjetorin e vitit 2016, të ardhurat e munguara në raport me planin ishin 4.2 miliardë lekë. Për vitin 2017, qeveria ka llogaritur t’i rrisë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me rreth 21 miliardë në krahasim me faktin e 2017. Duke përfshirë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të ardhurat pritet të rriten në vlera neto me 23 miliardë lekë ose 6.5% më shumë. Në janar 2017, të ardhurat në total në buxhet për janarin u rritën minimalisht me vetëm 0.2%, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave jotatimore, teksa institucionet buxhetore derdhën gati 700 milionë lekë në buxhet.

Artikulli paraprakRevolta kundër monopoleve, bizneset: I shërbehet një grupi
Artikulli tjetërKompanitë e energjisë fitojnë miliarda, çmimi për qytetarët nuk ulet, paratë ikin në tendera