Kuksianët do të paguajnë taksë për “Rrugën e Kombit”

Derisa autostrada është ndërtuar me fonde publike nuk ka argument për taksë shtesë për çdo mjet. Makinat në vend paguajnë taksën e qarkullimit, e cila i dedikohet mirëmbajtjes së rrugëve dhe taksimi në autostradë është një taksë mbi këtë taksë
Vetëm nga Kukësi çdo ditë në rrugë kalojnë 400 mjete dhe sipas tij, kjo përkthehet në një humbje prej “rreth 120.000 euro në muaj ose 1.4 milionë euro në vit”
Koncesioni i shumëpërfolur i rrugës së “Kombit”, autostradës që filloi të ndërtohej një dekadë më parë, ka kushtuar mbi 1 miliard euro dhe nuk ka përfunduar ende, pritet të fillojë të zbatohet në muajin dhjetor, pasi kompania koncesionmarrëse të përfundojë ndërtimin e traut të pagesave. Megjithatë, pavarësisht se nga dhjetori të gjithë qytetarët përdorues të rrugës do të fillojnë të paguajnë për ta përdorur atë, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve do të paguajnë si taksapagues, edhe nëse nuk i bie kurrë rruga nga këto anë, autostrada vijon të jetë efektivisht në të njëjtën gjendje teknike, pjesërisht e papërfunduar, me shpejtësi të lejuar të ulët për një autostradë dhe burim i përhershëm rreziku dhe aksidentesh.
Rreth 30 veta, sipas policisë, kanë humbur jetën në aksidente automobilistike përgjatë rrugës Durrës-Kukës që prej vitit 2009, kur ajo filloi të përdorej edhe pse ende e papërfunduar, ndërsa shpejtësia e lëvizjes në autostradën e pagëzuar si “rruga e Kombit” u përgjysmua.
Altin Mena, ish-shef i Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Kukësit dhe ekspert në këtë fushë i tha BIRN se segmenti, të cilin ai e ka studiuar, Tuneli i Kalimashit “është nga më problematikët në vend, me disa hyrje-dalje pa asnjë lloj kriteri”. Ai shpjegon se rruga është e rrezikshme, pasi ka pjesë të përfunduara me 4 korsi dhe disa ura me vetëm dy korsi dhe po ashtu disa hyrje-dalje jashtë kritereve.
E megjithëse rruga është ende e papërfunduar para disa javësh konsorciumi i kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha, i cili fitoi një vit më parë koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës, ka filluar punën për ndërtimin e vendpagesave. Kjo ka nxitur zemërim në Kukës, ku qytetarë dhe drejtues lokal thonë se i tremben një izolimi të mëtejshëm të qytetit, që sipas tyre është një nga më të varfërit në vend.
Vangert Beqollari, përfaqësues i kompanisë “Salillari” i tha “BIRN” se, punimet për ndërtimin e vendpagesës vazhdojnë me intensitet dhe pritet që të përfundojnë në dhjetor. “Kur të vinin në dhjetor do të jetë çdo gjë gati. Në bazë të projektit në këtë shesh do të jenë 10 korsi (5 hyrje dhe 5 dalje) me trarët ku do të kryhet pagesa”, tha Beqollari. Sipas tij çdo gjë në vendpagesë do të jetë elektronike, ndërsa do të ketë edhe dy ndërtesa, që do të shërbejnë për zyra dhe për personelin e sigurisë.
Koncesioni për mirëmbajtjen e rrugës iu dha kosorciumit “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha, në gusht të vitit 2016, pasi Komisioni i Prokurimit Publik, përmbysi një vendim të Ministrisë së Trasporteve, e cila kishte shpallur fitues një kompani tjetër. Atëherë edhe sot, banorët e Kukësit kundërshtojnë pagesën duke pretenduar se kjo do e varfërojë qytetin dhe dëmtojë biznesin e vogël atje.
Sipas të dhënave publike për koncesionin mesatarisht çdo makinë që do të kalojë në këtë rrugë do të paguaj 5 euro me TVSH, ndërsa koncesionari do të marrë prej vitit të tretë të koncesionin edhe një shtesë prej 5 milionë euro në vit (nga viti i tretë deri në atë të 15) si subvencionim të koncesionit.
Sokol Kolgjini, kryetar i shoqatës “BpB”(Biznesi për Biznesin) në emër të biznesmenëve dhe tregtarëve kuksianë thotë se, “derisa autostrada është ndërtuar me fonde publike nuk ka argument për taksë shtesë për çdo mjet”. Ai po ashtu thotë se, makinat në vend paguajnë taksën e qarkullimit, e cila i dedikohet mirëmbajtjes së rrugëve dhe taksimi në autostradë është një taksë mbi këtë taksë.
“Ne tashmë kemi një përvojë negative me një koncesion të ngjashëm që bllokoi Aeroportin e Kukësit, duke i shkaktuar këtij rajoni një dëm ekonomik, e kështu s’mund të biem dakord me një koncesion tjetër që do na shkaktojë humbje të drejtpërdrejtë”, thotë Kolgjini. Ai shpjegon se, Kukësi nuk ka një rrugë alternative që e lidh me Tiranën, rruga e vjetër është amortizuar, kjo e bën kalimin në autostradë të detyrueshëm.
Kolgjini thotë se vetëm nga Kukësi çdo ditë në rrugë kalojnë 400 mjete dhe sipas tij kjo përkthehet në një humbje prej “rreth 120.000 euro në muaj ose 1.4 milionë euro në vit”.
Me shoqatat e biznesit dhe banorët është solidarizuar edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i cili thotë se koncesioni është një tarifë që do ndëshkojë biznesin e vogël në qytet dhe rrezikon mbylljen e mjaft prej këtyre bizneseve. “Tarifa që do të paguhet është e papërballueshme për ne. Kam folur me të gjithë bizneset e vogla që operojnë në Kukës. Ka biznese që sjellin tre-katër automjete në ditë për furnizim. Kostoja e tyre, pas pagesës së detyrueshme, do të shkojë 1200 euro në muaj. Po në vit? Pra, një tarifë e papërballueshme për një biznes të vogël që do të sjellë mbylljen e tyre”, thotë Shehu.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit ka vënë alarmin edhe për largimin e turistëve, të cilët sipas tij nuk do të përballojnë kostot e kësaj rruge. “Kosovarët janë të vetmit turistë që kemi dhe ata nuk harxhojnë shumë. Kjo pagesë do të rrisë koston e udhëtimit dhe do sjellë largimin e tyre nga Shqipëria, drejt vendeve të tjera”, theksoi Bashkim Shehu.
Ndërkohë drejtori për Rininë në Bashkinë e Kukësit, Njazi Hoxha e ka cilësuar koncesionin e rrugës së “Kombit” si një vjedhje dhe abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. “Pavarësisht se qeveria tashmë e ka vendosur, ne kemi qenë kundër dhënies me koncesion të rrugës së “Kombit”. Kjo përbën një krim për qytetarët shqiptarë dhe ato të Qarkut Kukës… Por më e rëndësishmja është që kjo taksë, ky koncension është një vjedhje dhe abuzim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti ndaj atyre kuksianë”, tha Njazi Hoxha.
Qytetarë të ndryshëm të kontaktuar nga BIRN thanë se, jo vetëm do kundërshtonin pagesën e rrugës, por kërcënuan se do të bllokonin kalimin në tunel. Në një rast, madje një i ri që nuk deshi të identifikohej tha se pas taksës, Kukësi duhej të kërkonte bashkim me Kosovën.
Shefqet Kastrati drejtues i njërës prej kompanive të konsociumit tha se, ky i fundit nuk kishte përgjegjësi për pjesët e papërfunduara të rrugës. Sa i përket çmimit dhe ankesave nga qytetarët dhe biznesi, Kastrati i tha BIRN se, kompania ka menduar lehtësira, duke përfshirë edhe një kartë abonimi për përdoruesit e përditshëm. “Për ato mjete që ka ndjeshmëri sociale kemi menduar që do i jepen Bashkisë 100 mijë euro. Këtu përfshihen autobusët e të tjera”, tha Kastrati. Ai po ashtu tha se, kompania nuk mund ta vononte fillimin e mbledhjes së tarifës. “Ne kemi filluar të paguajmë për mirëmbajtjen. Duhet të kihet parasysh se vetëm energjia është 50 mijë euro në muaj”, tha ai. Kastrati tha se megjithëse ishte shqyrtuar nga avokatët dhe kompanitë këshilluese nuk ka asnjë mundësi për të përjashtuar një qytet nga pagesa.
Megjithë kundërshtimet nga Kukësi, kompania “Salillari & Kastrati” që ka marrë me koncesion rrugën e “Kombit” ka filluar para dy javësh punën për vënien e trarëve, të cilët do të shërbejnë për ndalimin e automjeteve, për të paguar taksën e kalimit në autostradën Durrës-Kukës-Morinë, duke filluar kështu zbatimin në terren për krijimi i infrastrukturës së nevojshme për mbledhjen e kësaj takse.
Projekti sipas punonjësve të kompanisë parashikon zgjerimin e një segmenti të rrugës së “Kombit” rreth 4 km në hyrje të Tunelit të Kalimashit, nga katër në gjashtë korsi, ndërsa do të ndërtohen mbi dhe nënkalimet, rrethimi dhe çdo element tjetër sigurie në autostradë si dhe vendosjen e trarëve, që do të shërbejë për vjeljen e taksës së rrugës.
Në të njëjtën kohë vijon edhe procesi i ndërtimit të urave të mbetura përgjysmë në rrugën Kukës-Morinë i zvarritur që prej tetë vitesh për mungesë fondesh. Për vitin 2017, qeveria e Shqipërisë ka vënë në dispozicion 5 milionë euro. Sipas drejtorit teknik të firmës Vega, që ka fituar tenderin për përfundimin e urave në rrugën Kukës-Morinë, pesë ura duhej të kishin përfunduar në qershor, por nuk kanë përfunduar, ndërsa dy urat e tjera ku përfshihet edhe ajo më e madhja e këtij segmenti në afërsi të ish- Uzinës së Bakrit në Rexhepaj nuk mendohet se do të përfundojnë në afatin e përcaktuar në kontratë.

Artikulli paraprakHolandezi Blom do të gjykojë Skënderbeun
Artikulli tjetër“Pikturat, si të një djali kolegji të droguar”